2011-11-07 06:55:53

Atë Federiko Lombardi: letër për një foshnje të sapolindur, i shtatëmiliardti në botë


Shkaktoi diskutime të mëdha lindja e fëmijës së shtatëmiliardtë të botës, më 31 tetor, për të cilën primatin e duan India, Filipinet, Sri Lanka, Turqia, Rusia e Pakistani. Edhe data është simbolike, zgjedhur nga OKB-ja për të tërhequr vëmendjen mbi etapën e re të planetit, i cili vetëm 12 vjet më parë festonte ardhjen në dritë të fëmijës së gjashtëmiliardtë. Pavarësisht nga kjo garë, tipike e Guiness-it, në editorialin e sotëm, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi vë në dukje pikëpyetjet e vërteta, që rëndojnë mbi jetën e këtij fëmije e që presin përgjigje nga të rriturit. Ta dëgjojmë letrën e përzemërt, por edhe të shqetësuar të mirëseardhjes, shkruar prej tij, për këtë foshnjë, kudo të ndodhet… RealAudioMP3
“I dashur bebi i shtatëmiliardtë! Nuk e di nëse ti je vajzë, apo djalë, nëse je indian, apo kinez, nëse ke lindur në qytet, apo në fshat, ose madje në pampat e Amerikës së Jugut, apo në një iglo eskimeze, ose në një ishull të humbur, ose në ikje, nën një tendë. Nuk e di nëse ti je shëndosh, apo i sëmurë, apo me të meta fizike. Nuk e di nëse të përqafojnë të dy prindërit, apo vetëm nëna. Nuk di nëse do të të thonë se ti e bashkëmoshatarët e tu jeni shumë, apo shumë pak. Sot, këto gjëra nuk kanë rëndësi.
Kjo botë, në të cilën vjen është pak e ndërlikuar e jo mikpritëse për të gjithë. Nuk kemi qenë kaq të zot, sa të ta përgatisnim më mirë. Krerët e popujve më të pasur e më të fuqishëm u mblodhën rreth një tryeze, për ta vrarë kokën si të shkojmë përpara pa shkaktuar katastrofa të tjera. Edhe ne pyesim si do të jetë e ardhmja jote.
Por sot, unë dua të të them se ti je unik e i ndryshëm nga gjithë të tjerët, se je një dhuratë e mrekullueshme, se je një mrekulli, se shpirti yt do të jetojë përgjithmonë e se je i mirëseardhur. Ne të urojmë që kur të buzëqeshësh, dikush t’i përgjigjet buzëqeshjes sate e, kur të derdhësh lot, dikush të të përkëdhelë. Që të shkosh në shkollë e të mos vuash nga uria. Që dikush t’u përgjigjet me urti pyetjeve të tua e të të japë guxim për iniciativat e tua, për të cilat ti duhet të marrësh përsipër përgjegjësinë. Të urojmë që t’i duash të tjerët, të rritesh, të punosh e të jetosh me familjen, me shumë miq, në një popull e në një botë të lirë e në paqe. Që ta kuptosh se jeta jote e plotëson kuptimin përtej vdekjes.
Sepse ti ke lindur pikërisht për këtë. Krijuesi e Ati yt Qiellor të ka bërë për këtë. Nga ana jonë, do të bëjmë ç’është e mundur që kjo të realizohet; ti përveshi mëngët, sepse e ardhmja jote varet edhe nga ty e, ty do të të takojë t’i urosh mirëseardhjen bebit të tetëmiliardtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.