2011-11-04 18:49:07

Papa në Mbrëmësoren për fillimin e vitit akademik të universiteteve papnore: meshtari të bashkëpunojë me Jezusin e të shërbejë pa interes


Sot pasdite, Papa Benedikti XVI mori pjesë në Mbrëmësoren për përurimin e Vitit të ri Akademik të universiteteve papnore. Përveç studentëve e pedagogëve, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ishin të pranishëm edhe pjesëmarrësit e kuvendit, organizuar këto ditë, në 70-vjetorin e Veprës për Thirrjet Meshtarake, themeluar nga Papa Piu XII, si pjesë e Kongregatës aktuale për Edukimin Katolik. Pikërisht atyre iu drejtua Ati i Shenjtë, pasi falenderoi prefektin e Kongregatës, kardinalin Zenon Groçolevski për përshëndetjen. Duke komentuar leximet e liturgjisë së sotme, sidomos Letrën e parë të Shën Pjetrit, Papa përvijoi disa karakteristika të meshtarit, duke dhënë si shembull figurën e Krishtit, Bariut të Mirë:
“Vërtet, nuk mund të jemi barinj të mirë, nëse nuk bëhemi një gjë e vetme me Krishtin e gjymtyrët e tij, përmes dashurisë. Dashuria është detyra e parë e bariut të mirë”.
Thirrja e apostujve, vazhdoi Papa, jeton falë marrëdhënieve personale me Krishtin, ushqehet nga lutja e frymëzohet nga pasioni për ta shpallur mesazhin e përvojën e fesë sonë. Por, që meshtari të jetë gjithnjë në përkim me Jezusin, duhet të plotësojë disa kushte, tha Benedikti XVI:
“Dua të nënvizoj tre, që dalin nga leximet e sapodëgjuara: aspirata për të bashkëpunuar me Jezusin në përhapjen e Mbretërisë së Zotit, impenjimi baritor i përkushtuar e pa interes, si edhe shërbimi”.
E Ati i Shenjtë i shpjegoi me radhë të trija. Thirrja për meshtari dëgjohet atëherë kur njeriu takohet me Jezusin e mbetet i mahnitur prej fjalëve e veprave të Tij. Kandidati për meshtar dallon, në mesin e mijëra zërave, zërin e Mësuesit Hyjnor e dëshiron të rrijë me Të, si dishepujt e Emausit:
“Atëherë, ministër i Ungjillit është ai, që e lë veten në dorë të Krishtit, që di të “rrijë” me Të, që hyn në sintoni, në miqësi të thellë me Të, në mënyrë që gjithçka të bëhet “siç i pëlqen Zotit” (1 Pjt 5,2), sipas vullnetit të Tij në dashuri, me liri të brendshme e me gëzim të madh në zemër”.
Së dyti, theksoi Ati i Shenjtë, jemi të thirrur t’i shërbejmë Zotit jo për interes, por me bujari. Marrja e Sakramentit të Urdhërit të Shenjtë Meshtarak do të thotë ta hapësh zemrën e ta lejosh Hyjin të veprojë në të, do të thotë t’ua dhurosh vetveten Zotit e vëllezërve sipas këshillës ungjillore “Falas keni marrë e falas jepni” (Mt 10,8):
“Thirrja e Zotit për t’i shërbyer nuk është fryt i meritave të veçanta, por dhuratë për t’u pranuar e për t’iu përgjigjur, duke u përkushtuar jo për një plan personal, por për atë të Zotit, me bujari e pa interes, që Ai të veprojë me ne sipas vullnetit të Tij, megjithëse kjo mund të mos përkojë me dëshirat tona”.
Nuk duhet të harrojmë, nënvizoi Papa, se qëllimi i shërbimit baritor nuk është suksesi, por ndjekja e Krishtit në Kryq. Për këtë, meshtari duhet të japë shembull me jetën e tij. E Benedikti XVI përvijoi detyrat:
“Është një jetë, që karakterizohet thellë nga ky shërbim: nga kujdesi për grigjën, nga kremtimi besnik i liturgjisë e nga gatishmëria për të ndihmuar të gjithë vëllezërit, sidomos më të varfërit e më nevojtarët”.
Pavarësisht se iu drejtua veçanërisht meshtarëve, Papa i ftoi edhe rregulltarët e laikët, studentët e pedagogët e pranishëm, të gjejnë në këto tri drejtime, rrugën e shenjtërimit të jetës e motivacionin për impenjimin e përditshëm. Të gjithë ua besoi Zojës, Seli e Dijes, e cila vigjëlon mbi universitarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.