Me 4 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun.
Data e sotme 4 nëntor e kalendarit Kishtar shënon emrin e njërit nga ipeshkvijtë
më të mëdhenj në historinë e Kishës: atë të Karl Borromeut, ipeshkëv i Milanos, njeriut
që ishte i madh në dashuri, i madh në doktrinë, i madh në apostullim, por sidomos,
i madh në përshpirtëri e devocion. Zëri i tij na flet e na kujton se “Shpirtërat
fitohen në gjunjë!”. Fitohen me lutje, me lutje të përvujtë. E shën Karl Borromeu
mund të konsiderohet një nga pushtuesit më të mëdhenj të shpirtrave që njeh historia
e Kishës. Bir i Gjilbert Borromeut e i Margeritës së Mediçëve, pronarë të mëdhenj
tokash rreth Liqenit të Madh, nip i vetë Papës Piu IV, Karl Borromeu, i lindur më
1538 - do të kishte mundur të gëzonte fatin e bijve të dytëlindur në shtëpitë e pasura:
të bëhej ushtarak ose të ndiqte karrierën kishtare, me kamje e të ardhura jetike.
Gjithsesi kjo nuk do të ndodhte, sepse Karli do t'i dhuronte meshtarisë jo vetëm korpin,
por edhe gjithë shpirtin e fenë e vet të pakufishme. I emëruar që në moshën 12
vjeçare komendatar, që përfitonte të ardhurat e Komendës së Abacisë të Aronës, prej
2. 000 skudash, qe thirrur më pas në Romë nga i ungji që e zgjodhi Protonoter Apostolik
dhe e krijoi kardinal në moshën 22 vjeçare, ndonëse nuk ishte shuguruar ende meshtar.
Pak më vonë do të emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij. Ndërsa pas vdekjes
së xhaxhait, më 1565, si refuzoi zgjedhjen në fronin e papnisë, u kthye në Milano,
ku zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme, i rrethuar nga njerëz të aftë e shembullorë.
Gjatë episkopatit të tij, Milano u bë shembull për të gjitha qytetet tjera italiane.
Nga Roma, shenjtorët e reformës katolike shikonin me admirim e ngushëllim Karl Borromeun,
model për të gjithë ipeshkvijtë, që e shkriu deri në fund jetën për Kishën. Por gjithë
kjo veprimtari ia shkatërroi shëndetin. Ndonëse i sëmurë rëndë, vijoi vizitat e tij
baritore, pa ngrënë, pa fjetur, duke u lutur e duke dhënë mësim. E ndoqi deri në frymën
e fundit veprimtarinë e të gjitha veprave, që kishte themeluar. Më 3 nëntor 1584 ipeshkvi
titan i Milanos, u shemb nën peshën e lodhjes e të sëmundjes. Ishte vetëm 46 vjeç. Në
lutjen e Engjëllit të Tënzot të 5 nëntorit 2007, Papa Benedikti XVI foli për figurën
e Karl Borromeut e mes tjerash pohoi: “Edhe një herë Ungjilli na thotë se dashuria,
duke u nisur nga zemra e Zotit e duke vepruar përmes zemrës së njeriut, është forca
që përtërin botën”. Një e vërtetë kjo – shtoi Ati i Shenjtë Racinger - e cila
shkëlqen posaçërisht në dëshminë e Shenjtit që përkujtohet sot: Karl Borromeut, kryeipeshkëv
i Milanos: "Figura e tij spikat në shekullin XVI si model bariu shembullor për
bamirësi, doktrinë, zell apostolik e posaçërisht për lutje: “Shpirtrat – thoshte –
fitohen në gjunjë”. Shën Karl Borromeu – vijoi Papa – duke vënë në jetë mësimet
e Koncilit të Trentos, iu kushtua plotësisht Kishës ambroziane: themeloi seminare,
ndërtoi spitale, mbrojti të drejtat e Kishës përballë pushtetarëve të kohës dhe themeloi
një kongregatë të re priftërinjsh shekullarë, Oblatët. Prej këndej, Benedikti XVI
ia besoi mbrojtjes së Shën Karlit të gjithë ipeshkvijtë e botës e shtoi: ”Motua
e tij përmblidhet në një fjalë të vetme: “Humilitas” . Përvujtëria e shtyu, ashtu
si Zotin Jezus, të mohonte vetveten e të bëhej shërbëtor i të gjithëve”.