2011-11-04 18:52:12

Kisha e Portugalisë shqetësohet për borxhet e familjeve


Portugalia është një nga vendet evropiane, ku kriza ekonomike ndjehet më tepër. Fondi i Solidaritetit Shoqëror, krijuar në vitin 2010 nga Konferenca Ipeshkvnore ka ndihmuar deri tani 1290 familje, duke shpërndarë 330 mijë euro si ndihmë për nevojtarët. 38 përfaqësues të 11 dioqezave portugeze u mblodhën këto ditë në Fatima për të shprehur shqetësimin e tyre të madh për vështirësitë, në të cilat ndodhen familjet. Shpesh, atyre u sekuestrohet një pjesë e pagës për larjen e borxheve, por meqë gjithsesi e kanë një pagesë, nuk mund të marrin ndihma nga shteti. Dokumenti i Konferencës Ipeshkvnore, dalë nga kjo mbledhje, tërheq vëmendjen edhe mbi plagën e papunësisë, e cila ka arritur në 12,5%, duke u shkaktuar probleme sidomos të rinjve. Në fund, vihen në dukje kushtet në të cilat ndodhen edhe studentët emigrantë të vendeve të gjuhës portugeze, që kanë mbetur pa bursa, si edhe qindra portugezë, punëtorë në Spanjë, të cilëve u është mohuar e drejta e asistencës, nëse mbeten pa punë.







All the contents on this site are copyrighted ©.