2011-11-04 18:49:27

Irlanda mbyll ambasadën pranë Selisë së Shenjtë në Romë, për arsye ekonomike. Atë Lombardi: marrëdhëniet diplomatike nuk diskutohen.


“Selia e Shenjtë është në dijeni të vendimit, marrë nga Irlanda për të mbyllur ambasadën pranë Selisë së Shenjtë, në Romë”: këtë pohoi mbrëmë drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, pas vendimit të qeverisë së Dublinit. Masa - shpjegoi ministri i jashtëm irlandez, Eamon Gilmore – është pasojë e krizës së sotme, për shkak të së cilës në vend ndjehet nevoja të hiqet dorë nga një numër i madh shërbimesh publike, për t’iu përgjigjur, kështu, objektivave të programit të shpëtimit, miratuar nga Be-ja dhe Fmi-ja.
“Natyrisht – nënvizoi atë Lombradi – çdo shtet që ka marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë, është i lirë të vendosë, mbi bazën e mundësive e të interesave të veta, të ketë një ambasador pranë Selisë së Shenjtë me seli në Romë, ose në një vend tjetër. Rëndësi nuk ka selia, por marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e shteteve, e këto, përsa i përket Irlandës, nuk vihen në diskutim.
Mbi këtë ngjarje foli edhe kardinali Séan Brady, kryeipeshkëv i Armagh dhe primat i Irlandës. Hirësia e Tij shprehu zhgënjimin e tij të thellë për këtë vendim i cili – theksoi – të krijon përshtypjen se nuk po tregohet vëmendja e duhur për rolin e rëndësishëm që ka luajtur e luan Selia e Shenjtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe për vlerën e lidhjeve historike ndërmjet popullit irlandez e Selisë së Shenjtë, në rrjedhë shekujsh. Kardinali Bredi uron që “bashkëpunimi ndërmjet Irlandës dhe Selisë së Shenjtë të vijojë mbi bazën e impenjimit të përbashkët për drejtësinë e paqen, zhvillimin ndërkombëtar dhe shqetësimin për të mirën e përgjithshme, pavarësisht nga ky hap i vajtueshëm”.Dublini, gjithnjë për shkaqe ekonomike, njoftoi se do të mbyllë edhe përfaqësitë diplomatike në Iran e në Timorin Lindor.







All the contents on this site are copyrighted ©.