2011-11-04 18:54:19

Forum për shpërdorimet e fëmijëve. Imzot Shcicluna: të bashkëpunohet me autoritetet civile për dënimin e fajtorëve.


“Bota e fëmijëve dhe shpërdorimi i të drejtave të tyre”: kjo ishte tema e një takimi, organizuar nga Qendra ndërkombëtare për fëmijët e zhdukur e të shfrytëzuar (Imec), lindur në Bruksel, në bashkëpunim me shoqatën italiane Telefoni i Kaltër, Spitalin romak të “Krishtit Fëmijë”dhe Mayo Clinic amerikane. Pjesëmarrësit ishin mysafirë të Senatit italian.
Ndërmjet referuesve, imzot Charles Scicluna, promotor i Drejtësisë pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, ripohoi se është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë të denoncohen shpërdorimet e të bashkëpunohet me autoritetet civile për dënimin e shpërdoruesve.

“Shpërdorimet mbi të miturit janë plagë e padenjë, që duhet zhdukur; një botë, e cila mohon të drejtat e fëmijëve, është pa siguri e pa shpresë”: me këtë qortim të Presidentit të Republikës italiane, Napolitano, u hapën punimet e Forumit ndërkombëtar, në të cilin morën pjesë specialistë, personalitete politike e përfaqësues të Kishës. Të dhënat janë tronditëse: çdo vit në botë zhduken 8 milionë fëmijë e pothuajse 2 milionë janë viktima të shfrytëzimit. Fenomen në rritje ky, sidomos në mjediset familjare, por edhe në bashkësitë edukative, me ndikim të fortë nga rrjetet e internetit. Por ka edhe më! Fëmijëve vijojnë t’u hapen plagë të reja, për të cilat flet, në mikrofonin tonë, profesor Ernesto Caffo, themelues i Telefonit të Kaltër:

Përgjigje: - Gjëja, që të trondit më shumë, është se autorët e këtyre krimeve seksuale nuk janë vetëm të rriturit, por edhe të rinjtë, madje, të miturit. Gjithnjë më shpesh dhuna ndërmjet bashkëmoshtarëve po bëhet fenomen edhe më i rëndë, nga sa na dukej disa vjet më parë.

Pyetje: - Nga ky takim u bë një thirrje e fuqishme për veprimtari globale, që t’i jepet fund një herë e mirë shpërdorimeve mbi fëmijët, të cilët duhen mbrojtur nga të gjitha anët. Por, në të vërtetë, në këtë epokë shqetësimesh të mëdha ekonomike, të krijohet përshtypja se të drejtat e fëmijëve kanë kaluar disi në plan të dytë…..

Përgjigje: - Duhet thënë se në çaste krize, për fat të keq, bota e të rriturve vë në plan të parë interesat e veta, duke harruar të investojë për breznitë e ardhshme. Shpërdorimet mbi fëmijët mund të parandalohen, mund të përballohen. Gjithsesi kjo mund të bëhet realitet, vetëm në se ndihmohen viktimat e dënohen fajtorët... Por sa janë dënuar deri më sot? Pak, shumë pak! Mungon bashkëpunimi ndërkombëtar i domosdoshëm, sepse një fëmijë i huaj, që jeton larg vendlindjes, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, bëhet lehtë viktimë e trafikut dhe e shfrytëzimit, nga ana e tregjeve tepër të pasura. Prej këndej, edhe tepër të rrezikshme. E duhet thënë edhe se ligjet kombëtare nuk mjaftojnë më: duhen hartuar ligje evropiane, duke përfshirë në këtë veprimtari edhe botën shkencore, botën e sipërmarrjeve, sepse nuk mjafton më vetëm ligji, nuk mjaftojnë nismat e veçuara, shoqatat e veçuara. Duhet me të vërtetë një impenjim global. Për këtë arsye ne bashkëpunojmë ngushtësisht me Kishën italiane, që ta kemi gjithnjë pranë në këtë rrugë, aspak të lehtë.

Pyetje: - A mund të na sillni ndonjë shembull, që tregon se kush impenjohet më shumë për mbrojtjen e të miturve edhe nga ekranet e televizionit, të kompjuterit e të kinemasë? E vërteta është se shikojnë gjithçka, madje shumë më tepër se i lejohet miturisë. Edhe ky duhet konsideruar shpërdorim i fëmijëve. E është tejet e trishtuar të shikosh se vijon, i ndjekur nga indiferenca e plotë e botës, që i rrethon fëmijët...

Përgjigje: - Për fat të keq, nga mediat kalojnë në botë mesazhe absolutisht të papranueshme, që tërheqin edhe fëmijët. E kemi fjalën për televizionin, rrjetet e internetit, kinemanë. E kur ndokush ndërhyn për t’iu kundërvënë, shikohet si moralist i prapambetur. Në të vërtetë – sipas mendimit tim – vlerat themelore të një bashkësie duhet të kalojnë përmes mjeteve të komunikimit, e kjo do të thotë edhe të ndihmosh familjet për t’i përballuar më mirë këto probleme, sepse fëmijët, kur janë vetëm, shikojnë në televizion pamje, që mund të quhen me të vërtetë helmuese. Prandaj duhet rishikuar vlera e mediave, si mjete pozitive të edukimit e të zhvillimit. Ashtu si duhet rishikuar edhe vlera e shkollës, e cila duhet t’i ndihmojë më shumë fëmijët në përdorimin e këtyre mjeteve. Duhet t’i ndihmojë edhe të rriturit, prindërit në radhë të parë, që t’i shoqërojnë fëmijët në njohjen e rrjeteve. E edhe vetë mjetet e komunikimit, që t’i shikojnë me sy kritik aspektet pozitive të tyre, por edhe ato negative, e t’i mbrojnë fëmijët edhe duke e mbyllur kanalin, kur është nevoja, ose duke shmangur nga rrjeti kontaktet, shpesh tejet të rrezikshme.

Ndërmjet referuesve në Forum ishte edhe imzot Zygmunt Zimovski, kryetar i Këshillit për punonjësit e shëndetësisë, si dhe imzot Charles Scicluna, promotor i Drejtësisë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë, i cili i mbylli punimet, duke nënvizuar parimin e shenjtë, sipas të cilit çdo institucion duhet të kujdeset për fëmijët, që të rriten të shëndoshë në trup e në shpirt, t’u respektohet pafajsisa e moshës e të mos u hapen plagë tragjike, që ndikojnë, pastaj, mbi gjithë jetën. Shërimi i këtyre plagëve nuk është aspak i lehtë: duhen gjetur fjalët e përshtatshme e, sidomos, duhen zbuluar shpërdorimet, për t’i dënuar, pastaj. Kjo detyrë dhe e drejtë u përket në radhë të parë prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve. E, në rast se paditen njerëzit e Kishës, imzot Scicluna i ftoi të gjithë t’i kapërcejnë konsideratat e gabuara e të pavend të besnikërisë e të përkatësisë, t’i japin fund kësaj frike të gabuar, t’i denoncojnë shpërdorimet e pushtetit kishtar e t’i quajnë me emrin, që meritojnë: “tradhti e besimit”. Prej këndej buron edhe rëndësia e bashkëpunimit me autoritetet civile, për t’i dënuar fajtorët.







All the contents on this site are copyrighted ©.