2011-11-04 13:03:54

21 vjetori i Meshës në Shkodër që shënoi rifitimin e lirisë në Shqipëri


Më 4 nëntor, Kisha katolike në Shqipëri e kryeipeshkvia metropolit e Shkodër-Pultit përkujtojnë 21 vjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrmajit të qytetit nga dom Simon Jubani, që shënoi rënien e regjimit të diktaturës ateiste komuniste dhe rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri.
Pra u takon Shkodranëve merita e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. E pas dekadash të tëra të ndalimit të rrëfimit të fesë në Zotin nga regjimi ateist e komunist në Shqipëri, dom Simon Jubani, meshtar katolikë para 21 vjetësh kremtoi Meshën e parë në varreza të Shkodrës duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e duke bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën e errët ateiste, të ngadhënjente fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë dhe vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen.

Mesha e kremtuar nga dom Simoni hodhi themelet e lirisë e të demokracisë në Shqipëri pas dimrit të egër e të gjatë të imponuar nga diktatura komuniste. Prifti shkodran dom Simon Juban, që ndërroi jetë më 12 korrik të këtij viti njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve.

Kështu mund të pohojmë se kremtimi e Meshës së parë më 4 nëntor 1990 në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave e Xhamive në Shqipëri kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri. Në 21 vjetorin e kësaj ngjarje madhore, madje historike të dëgjojmë një fragment nga intervista bërë me dom Simon Jubani para disa vjetësh....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.