2011-11-03 14:33:15

‘Fjala e Paqes’ gusht-shtator 2011 gazeta kryedioqezane e Shkodër-Pultit


Zotështëpia…doli
edhe rreth orës tretë,
pa do të tjerë duke ndenjur
të papunë në treg e u tha:
“Shkoni edhe ju në vreshtën time
e do t'ju jap sa të jetë e drejtë”.
(Mt. 20, 3-4)

NR. 5 (100) VITI XIII GUSHT - SHTATOR 2011 - E GËZOFSHIM TË 100-TËN FJALË TË PAQES

BENEDIKTI XVI ME TË RINJTË NË MADRID

Në Ditën Botërore të të Rinjve, të dielën, me datë 21 gusht 2011, Ati Shenjtë kremtoi Meshën përfunduese në Bazën Ajrore “Katër Erërat” në Madrid. Në fillim të kremtimit eukaristik Ai tha:
Të dashur të rinj,
kam menduar shumë për ju gjatë këtyre orëve në të cilat nuk jemi parë. Shpresoj që të keni mundur të flini të paktën pak, pavarësisht prej kohës së keqe. Jam i sigurt se mëngjesin e sotëm i keni ngritur sytë nga qielli më shumë se një herë dhe jo vetëm sytë, por edhe zemrën, dhe kjo do t'ju ketë lejuar të luteni. Hyji di ta nxjerrë të mirën prej gjithçkaje. Me këtë besim, dhe duke e ditur se Zoti nuk na braktis kurrë, le ta fillojmë Kremtimin eukaristik plot entuziazëm dhe të fortë në fe.

HOMELIA

Të dashur të rinj,
me kremtimin e Eukaristisë arrijmë në momentin kulmor të kësaj Dite Botërore të Rinisë. Duke ju parë këtu, të mbledhur në numër të madh nga çdo anë, zemra ime mbushet me gëzim duke menduar për dashurinë e veçantë me të cilën Jezusi ju shikon. Po, Zoti ju do dhe ju quan miqtë e vet (krh. Gjn 15,15). Ai ju del përpara dhe dëshiron t'ju shoqërojë në ecjen tuaj, për t'ju hapur dyert e një jete të plotë dhe t'ju bëjë pjesëmarrës të marrëdhënies së tij të ngushtë me Atin. Ne, nga ana jonë, të vetëdijshëm për dashurinë e tij të madhe, dëshirojmë t'i përgjigjemi me çdo bujari kësaj shenje të përzgjedhjes me qëllimin që ta bashkëndajmë edhe me të tjerët gëzimin që kemi marrë. Sigurisht, janë të shumtë ata që aktualisht ndihen të tërhequr prej figurës së Krishtit dhe dëshirojnë ta njohin më mirë. E perceptojnë se Ai është përgjigjja ndaj shumë prej shqetësimeve të tyre personale. Por kush është Ai me të vërtetë? Si është e mundur që dikush i cili ka jetuar mbi tokë shumë vjet më parë të ketë të bëjë me mua, sot?
Në Ungjillin që kemi dëgjuar (krh. Mt 16,13-20) shohim të përshkruara dy mënyra të dalluara për ta njohur Krishtin. E para qëndron në një njohje të jashtme, të karakterizuar prej opinionit të përgjithshëm. Pyetjes së Jezusit: «Ç'thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?», nxënësit i përgjigjen: «Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët». Domethënë, Krishti konsiderohet si një personazh fetar tjetër prej atyre të njohur më parë. Pastaj, duke iu drejtuar personalisht nxënësve, Jezusi i pyet ata: «Po ju ç'thoni: kush jam unë?». Pjetri përgjigjet me atë që është dëshmimi i parë i fesë: «Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë». Feja shkon përtej të dhënave të thjeshta empirike apo historike, dhe është e aftë ta kuptojë misterin e personit të Krishtit në thellësinë e vet.
Por feja nuk është fryt i përpjekjes njerëzore, i arsyes së njeriut, por është dhuratë e Hyjit: «I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell». E ka zanafillën e vet në nismën e Hyjit, që na zbulon intimitetin e vet dhe na fton të marrim pjesë në vetë jetën e vet hyjnore. Feja nuk jep vetëm disa informacione mbi identitetin e Krishtit, por supozon një marrëdhënie vetjake me Të, bashkimin e gjithë personit, të inteligjencës së vet, vullnetit dhe ndjenjave të veta me shfaqjen që Hyji i bën vetvetes. Kështu, pyetja «Po ju ç'thoni: kush jam unë?», është duke i nxitur nxënësit që të marrin një vendim personal në lidhje me Të. Feja dhe ndjekja e Krishtit janë në marrëdhënie të ngushtë. Dhe, meqenëse supozon ndjekjen e Mësuesit, feja duhet të forcohet e të rritet, të bëhet më e thellë dhe e pjekur, në masën në të cilën intensifikohet e forcohet marrëdhënia me Jezusin, intimiteti me Të. Edhe Pjetri dhe apostujt e tjerë u desh të ecnin në këtë rrugë, deri sa takimi me Zotërinë e ngjallur u hapi atyre sytë për një fe të plotë.
Të dashur të rinj, edhe sot Krishti ju drejtohet ju me të njëjtën pyetje që u bëri apostujve: «Po ju ç'thoni: kush jam unë?». Përgjigjjuni me zemërgjerësi dhe guxim, siç përgjigjet një zemër e re siç është ajo e juaja. Thuajini: Jezus, unë e di se Ti je Biri i Hyjit, se ke dhënë jetën tënde për mua. Dua të të ndjek me besnikëri dhe të lejoj të udhëhiqem prej fjalës tënde. Ti më njeh dhe më do. Unë të zë besë ty dhe e vë krejt jetën time në duart e tua. Dua që Ti të jesh forca që më mban, gëzimi që nuk më braktis kurrë. Në përgjigjen e vet ndaj dëshmisë së Pjetrit, Jezusi flet për Kishën: «Edhe unë po të them: Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time». Çfarë do të thotë kjo? Jezusi e ndërton Kishën mbi shkëmbin e fesë së Pjetrit, që dëshmon hyjninë e Krishtit.
Po, Kisha nuk është një institucion i thjeshtë njerëzor, si çdo tjetër, por është e lidhur ngushtë me Hyjin. Vetë Krishti i referohet asaj si Kisha «e tij». Nuk është e mundur të ndahet Krishti prej Kishës, ashtu siç nuk mund të ndahet koka prej trupit (krh. 1 Kor 12,12). Kisha nuk jeton prej vetvetes, por prej Zotit. Ai është i pranishëm në mes të saj, dhe i jep jetë, ushqim e forcë.
Të dashur të rinj, më lejoni që, si Pasardhës i Pjetrit, t'ju ftoj ta forconi këtë fe që na është përçuar prej Apostujve, ta vini Krishtin, Birin e Hyjit, në qendrën e jetës suaj. Por, më lejoni edhe që t'ju kujtoj se ta ndjekësh Jezusin në fe do të thotë të ecësh me Të në bashkësinë e Kishës. Nuk mund ta ndjekim Jezusin vetëm. Ai që bie në tundimin që të ecë «për llogari të vet» ose ta jetojë fenë sipas mendësisë individualiste, që mbizotëron në shoqëri, rrezikon të mos e takojë kurrë Jezu Krishtin, ose të përfundojë duke ndjekur një shëmbëlltyrë të rremë të Tij.
Të kesh fe do të thotë të mbështetesh në fenë e vëllezërve të tu, dhe se feja jote, në të njëjtën mënyrë, shërben si mbështetje për atë të të tjerëve. Ju kërkoj, të dashur miq, ta doni Kishën, që ju ka lindur në fe, që ju ka ndihmuar ta njihni më mirë Krishtin, që ju ka bërë të zbuloni bukurinë e dashurisë së tij. Për rritjen e miqësisë suaj me Krishtin është themelore të njihni rëndësinë e përfshirjes suaj të gëzueshme në famullitë, bashkësitë e lëvizjet, ashtu sikurse pjesëmarrja në Eukaristinë e çdo të diele, afrimi i shpeshtë me sakramentin e pajtimit dhe kultivimi i lutjes e meditimi i Fjalës së Zotit.
Prej kësaj miqësie me Jezusin do të lindë edhe shtytja që çon në dëshmimin e fesë në mjediset më të ndryshme, përfshirë edhe ato ku ka mospranim apo mospërfillje. Nuk është e mundur ta takojmë Krishtin dhe të mos ua bëjmë atë të njohur të tjerëve. Pra, mos e ruani Krishtin për vetvete! Komunikojani të tjerëve gëzimin e fesë suaj. Bota ka nevojë për dëshminë e fesë suaj, ka nevojë, sigurisht, për Hyjin. Mendoj se prania juaj këtu, të rinj të ardhur prej pesë kontinenteve, është një provë e mrekullueshme e frytshmërisë së mandatit që Krishti i ka dhënë Kishës: «Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve» (Mk 16,15). Edhe juve ju takon detyra e jashtëzakonshme që të jeni nxënës e misionarë të Krishtit në toka të tjera dhe në vende ku ka një shumicë të rinjsh që dëshirojnë gjëra më të mëdha dhe, duke vërejtur në zemrat e veta mundësinë e vlerave më të përnjëmendta, nuk lejojnë që të joshen prej premtimeve të rreme të një stili jete pa Hyjin.
Të dashur të rinj, lutem për ju me gjithë dashurinë e zemrës sime. Ju porosis Virgjërës Mari, që t'ju shoqërojë gjithmonë me ndërmjetësimin e vet amënor dhe t'ju mësojë besnikërinë ndaj Fjalës së Zotit. Ju kërkoj edhe të luteni për Papën, që si Pasardhës i Pjetrit, të mund të vazhdojë duke i forcuar vëllezërit e vet në fe. Që të gjithë në Kishë, barinj dhe besimtarë, t'i afrohemi çdo ditë e më shumë Zotit, për t'u rritur në shenjtërinë e jetës dhe për të dhënë kështu dëshminë efikase se Jezu Krishti është me të vërtetë Biri i Hyjit, Shëlbuesi i të gjithë njerëzve dhe burimi i gjallë i shpresës së tyre. Amen

Pas Meshës, Benedikti XVI, para lutjes së “Angelus” tha tëto fjalë:

Të dashur miq,
tani do të ktheheni në vendet ku banoni zakonisht. Miqtë tuaj do të duan të dinë se çfarë ka ndryshuar në ju pasi keni qenë në këtë Qytet fisnik me Papën dhe qindra mijëra të rinj nga e gjithë bota: çfarë do t'u thoni atyre? Ju ftoj të jepni një dëshmi të guximshme jete të krishterë para të tjerëve. Kështu do të jeni tharmi i të krishterëve të rinj dhe do të bëni që Kisha të ridalë në pah me fuqi në zemrën e të gjithëve. Sa shumë kam menduar këto ditë për ata të rinj që presin kthimin tuaj! Përçojuni atyre dashurinë time, posaçërisht atyre më fatkeqëve, si edhe familjeve tuaja dhe bashkësive të jetës së krishterë të cilave u përkisni.
E pranoj se më ka bërë me të vërtetë përshtypje numri kaq domethënës i Ipeshkvinjve dhe Meshtarëve të pranishëm në këtë Ditë. I falënderoj të gjithë prej thellësisë së shpirtit, duke i nxitur, në të njëjtën kohë, që të vazhdojnë duke kultivuar baritoren rinore me entuziazëm dhe përkushtim.
Përshëndes me dashuri Arqipeshkvin Ordinar Ushtarak dhe falënderoj shumë Aviacionin Ushtarak që e ka dhënë me aq bujari Bazën Ajrore të Katër Erërave pikërisht në njëqind vjetorin e themelimit të Aeronautikës Ushtarake Spanjolle. Nën mbrojtjen amënore të Shenjtes Mari, me titullin e Zojës së Loretos, i vë të gjithë ata që e përbëjnë atë si dhe familjet e tyre.(...)
Jam i lumtur t'ju shpall tani se vendi ku do të zhvillohet Dita Botërore e Rinisë, në vitin 2013, do të jetë Rio de Zhaneiro. Le t'i kërkojmë Zotit që qysh prej këtij momenti t'i mbështesë me forcën e vet të gjithë ata që duhet ta organizojnë dhe ta sheshojë ecjen e të rinjve të të gjithë botës në mënyrë që të mund të mblidhen përsëri me Papën në këtë qytet të bukur brazilian.
Të dashur miq, para se të ndahemi, dhe ndërsa të rinjtë e Spanjës u dorëzojnë atyre të Brazilit kryqin e Ditëve Botërore të Rinisë, si Pasardhës i Pjetrit, u besoj të gjithë të pranishëmve këtë detyrë të madhe: çojani njohjen dhe dashurinë e Krishtit të gjithë botës. Ai dëshiron që të jeni apostujt e tij në shekullin e njëzetenjëtë dhe lajmëtarë të gëzimit të tij. Mos e zhgënjeni! Faleminderit.

Nga L’Osservatore Romano


KISHA KATOLIKE QË ËSHTË NË EUROPË ZHVILLON ASAMBLENË PLENARE NË TIRANË

KOMUNIKATË PËR SHTYP

UNGJILLIZIMI I RI ËSHTË TASHMË NË VEPRIM !

Ky është komunikatë shtypi në përfundim të Asamblesë Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE), që u mbajti në Tiranë, Shqipëri, 29 shtator - 2 tetor 2010:

“Presidentët e Konferencave Ipeshkvore të Evropës janë takuar këtë vit në Tiranë, Shqipëri, sipas ftesës së Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrës-it, për asamblenë e tyre vjetore plenare nga 29 shtatori deri më 2 tetor 2011. Gjatë takimit të tyre, presidentët kanë diskutuar si më poshtë:
- Zgjedhja e Presidencës së re të CCEE. Presidentët e Konferencave Ipeshkvore të Evropës kanë zgjedhur Presidencën e re të CCEE për pesëvjeçarin 2011-2016. Në detyrën e Presidentit është rizgjedhur për një mandat të dytë, kardinali Péter Erdő, arqipeshkëv i Esztergom-Budapest, Primati i Hungarisë e president i Konferencës Ipeshkvore Hungareze e në detyrën e Zv/Presidentit janë zgjedhur kardinal Angelo Bagnasco, arqipeshkëv i Genova-s e president i Konferencës Ipeshkvore Italiane dhe mons. Józef Michalik, arqipeshkëv i Przemyśl dhe president i Konferencës Ipeshkvore Polake. Të dy zv/ presidentët zëvëndësojnë kështu kardinalët Jean-Pierre Ricard, arqipeshkëv i Bordeaux e Josip Bozanić, arqipeshkëv i Zagrebit. Asamblea Plenare ka falënderuar të sapozgjedhurit për gatishmërinë e tyre e u ka uruar një punë të frytshme në shërbim të ungjillizimit e të Kishës në Evropë. Në të njëjtën kohë, pjesmarrësit kanë falenderuar anëtarët e Presidencës së mëparshme për punën e kryer për të mirën e Kishës e për përkushtimin në promovimin e bashkimit vëllazëror mes ipeshkvijve evropianë. Të dy zv/ presidentët zëvëndësojnë kështu kardinalët Jean-Pierre Ricard, arqipeshkëv i Bordeaux e Josip Bozanić, arqipeshkëv i Zagrebit. Asamblea Plenare ka falënderuar të sapozgjedhurit për gatishmërinë e tyre e u ka uruar një punë të frytshme në shërbim të ungjillizimit e të Kishës në Evropë. Në të njëjtën kohë, pjesmarrësit kanë falenderuar anëtarët e Presidencës së mëparshme për punën e kryer për të mirën e Kishës e për përkushtimin në promovimin e bashkimit vëllazëror mes ipeshkvijve evropianë.
- Anëtar i ri i CCEE. Asamblea Plenare e CCEE ka pranuar kërkesën e mons. Milan Šašik, ipeshkëv eparkial i Mukachevo të Rutenëve të ritit bizantin, që të bëhet anëtar i i Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës, sipas formulës së propozuar nga Kongregazioni për Kishat e Lindjes. Prandaj CCEE tashmë përbëhet nga Presidentët e 33 Konferencave Ipeshkvore të pranishme në Evropë e nga arqipeshkvijtë e Luksemburgut, të Principatës së Monakos, të Qipros së Maronitëve, nga Ipeshkëvi i Chişinău (Rep. Moldavia) e nga ipeshkëvi eparkial i Mukachevo-s. Do të marrin pjesë gjithashtu Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Kazakistanit dhe Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve që kanë statusin e miqve të përhershëm.
Eparkia e Mukachevo i përket Kishës “sui iuris” Rutene. Me bashkimin e Užhorod (1646), Kisha Rutene i bashkohet Kishës katolike. Eparkia e Mukachevo-s është drejtpërdrejt nën Selinë e Shenjtë.
- Asamblea Plenare 2012. Asamblea Plenare e 2012 do të zhvillohet në St. Gallen në Zvicër nga 27-30 shtator 2012 me rastin e 1400 vjetorit të mbërritjes në San Gallo të murgut irlandez me të njëjtin emër i cili themeloi një qelë dhe një bujtinë mbi bazën e lindjes së manastirit rreth të cilit u zhvillua qyteti aktual zvicerian. Nga fundi i viteve 70 të shekullit të kaluar, sekretaria e CCEE gjendet pikërisht në qytetin e San Gallo.

Mesazhi i Papa Benediktit të XVI-të. Me një mesazh të Kardinalit Sekretar Shteti,Tarcisio Bertone, drejtuar Kardinalit Péter Erdő, Papa Benediktit të XVI-të i nxit ipeshkvijtë evropianë të “të dallojnë me guxim misionar rrugë të reja të ungjillizimit veçanërisht në shërbim të brezave të rinj” dhe i “nxit të ndjekin veprën e kësaj strukture të çmuar të lidhjes mes konferencave ipeshkvore evropiane [CCEE] që prej dyzet vjetësh promovon një bashkëpunim të frytshëm në aktivitetet baritore dhe ekumenike”. Pjesëmarrësit kanë dashur t'i përgjigjen gjestit mirëdashës të Atit të Shenjtë me dërgimin, nga ana e tyre, të një letre për të dëshmuar bashkimin e tyre të thellë me pasardhësin e Pjetrit.

Takim me autoritetet politike shqiptare. Rëndësia e dhënë nga autoritetet lokale asamblesë së CCEE, është treguar gjërësisht edhe me pjesmarrjen në meshën e mbylljes së asamblesë, të Kryetares së Parlamentit, zj. Jozefina Topalli, edhe nga pjesmarrja në hapjen e punimeve të Kryeministrit Z. Sali Berisha, e nga pritja akorduar pjesmarrësve nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi. Të dyja personalitetet e Shtetit Shqiptar janë ndaluar mbi kontributin e rëndësishëm të ofruar nga Kisha Katolike gjatë shekujve në kombin shqiptar, një lloj mbrojtjeje e integritetit territorial e të identitetit kombëtar, për kultivimin e gjuhës dhe të kulturës, për riorganizimin e institucioneve të arsimit publik, për luftën e përditshme ndaj varfërisë e mjerimit e në fusha të tjera e duke nënvizuar edhe rëndësinë e Kishës së bashku me besimet e tjera që kanë mbajtur të pranishme, edhe në momentet e persekutimeve, vlerat e mëdha shpirtërore e hapjen ndaj Hyjit. Nga ana e tij, Presidenti i CCEE, kardinali Péter Erdő, ka shprehur në mënyrë të përsëritur në ndërhyrjet e tij vlerësimin e tij duke theksuar marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Kishës katolike dhe Shtetit shqiptar, e gjithashtu gëzimin e tij për gjallërinë e bashkësisë lokale që është zhvilluar shumë në njëzet vitet e fundit, e i ka drejtuar Presidentit të Republikës dëshirën që “rastet e ndryshme, që i përkasin pronësisë kishtare të konfiskuar në kohën e komunizmit, të zgjidhen, ashtu si në vende të ndryshme të Vendeve të Evropës lindore, në mënyrë që t'i lejojnë Kishës të zhvillojë misionin e saj, në kujdesin e të mirave shpirtërore e në veprat e bamirësisë e të mbështetjes për më të varfërit”.
Takimi me autoritetet fetare të vendit. Gjatë takimit, Sh.T. Selim Muça, kreu i bashkësisë myslimane, Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos, arqipeshkëv i Durrrësit, Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Sh.T. Edmond Brahimaj, kreu i bashkësisë bektashiane dhe I Nderuari Fitor Muça, president i vëllazërisë ungjillore të Shqipërisë, janë ftuar në një drekë me anëtarët e asmblesë plenare. Takimi është zhvilluar në një klimë përzemërsie të madhe, si dëshmi e marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes bashkësive të ndryshme fetare në vend.
Për sa i përket temave të tjera të diskutuara gjatë asamblesë:
Ungjillizimi i Ri. Në përfundim të reflektimit të tyre, pjesëmarrësit e asmblesë kanë miratuar tekstin e mëposhtëm.
Sesioni i 41° plenar i CCEE është zhvilluar në Tiranë mbi temën e Ungjillizimit të Ri. Takimi ishte përgatitur mbi bazën e një anketimi të madh: të gjitha konferencat ipeshkvore i ishin përgjigjur një pyetësori, e një përmbledhje u është paraqitur pjesëmarrësve.
Doli se ungjillëzimi i ri është një prej shqetësimeve më të mëdha për ipeshkvijtë evropianë, dhe një punë e rëndësishme është realizuar tashmë në mënyra të ndryshme: sinode dioqezane e reflektime në nivel të konferencave ipeshkvore, publikime dokumentash (pothuajse në të gjitha vendet) e shumë aplikime praktike.
Ungjillizimi është manifestimi i jetës dhe i vitalitetit të Kishës. Nuk duhet të kuptohet si një aktivitet baritor i thjeshtë, por si manifestimi i natyrës dhe misionit të saj. Ungjillëzimi i ri u drejtohet jo vetëm të krishterëve që janë larguar nga besimi, por të gjithëve. Ka si qëllim të shpallë Krishtin, Hyjin e vërtetë e njeriun e vërtetë, i kryqëzuar për të shlyer të gjitha të këqijat njerëzore, i ringjallur që të gjithë të kishim jetën. Të gjithë besimtarët, nëpërmjet pagëzimit të tyre, janë të thirrur për të marrë pjesë: familjet, të rinjtë që, në përgjithësi, janë më të gatshëm për t'u bërë misionarë, por edhe famullitë, lëvizjet dhe bashkësitë e reja. Edhe katekeza dhe shkollat katolike duhet të bëhen gjithnjë e më shumë vende ungjillizimi. Sakramentet, së fundi janë vende të privilegjuara për të vënë në veprim këtë ungjillizim të ri. Bëhet fjalë edhe të kërkohen rrugë të reja për ungjillizimin, si për shembull teknologjitë e reja, Interneti, rrjetet sociale. Megjithatë, e gjithë kjo është e mundur vetëm nëse, duke ndjekur shembullin e të krishterëve në Veprat e Apostujve, hapemi në mënyrë të re ndaj Shpirtit Shenjt: "Nuk do të ketë Ungjillizim të ri pa një Rrëshajë të re!".
Zgjedhja e Shqipërisë, toka e martirëve, ka qënë në veçanti domethënës për të trajtuar temën e ungjillizimit të ri. Ka qenë një rast për të gjithë ipeshkvijtë e pranishëm për të kujtuar dëshminë e ofruar nga Kisha misionare shqiptare, dhe nga të gjitha Kishat katolike të ritit oriental, nën regjimin komunist.
Mons. Rino Fisichella, president i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të ri, i është drejtuar asamblesë. Ka vënë në dukje që shumë evropianë sot nuk dinë më asgjë për krishtërimin, dhe nëse fjala "krizë" është shumë e përdorur aktualisht, duhet të shohim në këtë gjë një rast për t'u rritur. Sipas mendimit të tij, "Ungjillizmi i Ri është një mundësi që na ofrohet për të lexuar dhe interpretuar momentin aktual historik, në mënyrë që aktiviteti i zakonshëm i Kishës të bëhet i jashtëzakonshëm. Me fjalë të tjera, jemi thirrur të jetojmë në mënyrë të jashtëzakonshme ngjarjen e zakonshme të jetës së Kishës që është Ungjillizimi". Ka përfunduar duke kujtuar nismën e "Misionet e Metropoleve" që do të zhvillohen në 12 qytete të mëdha evropiane gjatë Krezhmeve të ardhshme. (…..)
Observatori mbi rastet e diskriminimit dhe intolerancës ndaj të krishterëve në Evropë. Janë paraqitur aktivitetet e Observatorit që dëshmojnë një ashpërsim shqetësues të rasteve të diskriminimit dhe intolerancës ndaj të krishterëve edhe në Evropë. Konferencat Ipeshkvore janë ftuar të mbështesin aktivitetet e Observatorit, në veçanti në verifikimin e objektivitetit të rasteve që arrijnë deri në Observator e për të gjetur, një herë që vërtetohet rasti, zgjidhjet e duhura për të informuar autoritetet lokale për çfarë po ndodh duke ndjekur në këtë mënyrë udhëzimet të dala në pah në rezoluta të ndryshme të OSBE. (...)
Në përfundim të punimeve, Presidentët e Konferencave Ipeshkvore kanë falënderuar: Imzot Rrok Mirditën e bashkëpunëtorët e tij për mikpritjen e tyre të ngrohtë; Imzot Ramiro Moliner Inglés, Nuncin Apostolik në Shqipëri e në fund Kardinalin Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, që ka shoqëruar punimet e Asamblesë. Punimet janë zhvilluar në një klimë përzemërsie dhe miqësie, e janë pasuruar nga momente lutjeje e nga kremtimet e përditshme të Eukaristisë me bashkësinë lokale. Një moment në veçanti i thellë ka qenë takimi me motrën Maria Kaleta, françeskane stigmatine, që në fund të punimeve ka sjellë dëshminë e saj të krishterë nën regjimin komunist.
Tiranë, e hënë 3 tetor 2011


KONFERENCA E KOMISIONEVE EUROPIANE DREJTËSI E PAQE NË SHQIPËRI

Nga data 16-20 shtator 2011, në Tiranë dhe Shkodër, u mbajt Konferenca e radhës e Komisioneve Europiane Drejtësi dhe Paqe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 25 Komisioneve Europiane.
Konferenca filloi me Work-shopin ndërkomëtar me temë“ Marrëdhëniet ndërfetare dhe ndërkulturore - shans dhe sfidë për solidaritetin tonë - kontributi i Shqipërisë në ndërtimin e Europës. Në këtë Work-shop morën pjë drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri, si dhe Kr/ Ministri I Shqipërisë z. Sali Berisha.
Më pas Konferenca i vazhdoi punimet e Asamblesë së Përgjithshme në Shkodër, ku u kremtua Mesha e Shenjtë, drejtuar nga Imzot Angelo Massafra dhe më pas punimet vazhduan në sencë plenare në “Fshatin e Paqes”, ku u bë edhe zgjedhja e Presidencës dhe Komitetit Ekzekutiv. President i radhës u zgjodh Imzot William Keny nga Britania e Madhe dhe zv/President u rizgjodh z. Luigj Mila, nga Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë.
Në fund, Asambleja doli me një deklaratë të përbashkët për marrëdhëniet ndërkulturore dhe ndërfetare në Shqipëri, të cilën po e botojmë të plotë:

DEKLARATA PËRFUNDIMTARE

Tema e zgjedhur nga Papa Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqes sivjet ishte: “Liria Fetare – Rruga drejt Paqes”. Njëzet vjet pas daljes së Shqipërisë nga një prej rregjimeve komuniste më të egra e shtypëse të Europës, Konferenca e Komisioneve Europiane Drejtësi e Paqe, erdhi për të mësuar rreth përvojës shqiptare mbi marrëdhëniet ndërfetare dhe ndërkulturore.
Përfaqësuesit nga 23 vende të Europës patën privilegjin të priteshin nga Komunitetet Fetare kryesore te Shqipërisë.Krerët e klerit si dhe besimtarë të thjeshtë të komuniteteve Mysliman, Ortodoks, Katolik, Bektashi dhe Ungjillor, ndanë përvojën e tyre me pjesëmarrësit në hapjen solemne të Workshopit në konferencë; në pritjen e pjesëmarrësve në qendrat e tyre, si dhe në bashkëbisedimin në tryezën e rrumbullakët.Kryeministri Sali Berisha përshëndeti pjesëmarrësit dhe miqtë e ftuar në ceremoninë e hapjes.Kjo klimë mikripjeje dhe gatishmërie për bashkëpunim u çmua shumë nga pjesëmarrësit.
Gjatë takimeve me komunitetet fetare, pjesëmarrësve u bëri shumë përshtypje njohja me persekutimin gjatë periudhës së rregjimit komunist. Besnikët e fesë u dënuan me burg; veprimtaria e klerit u shtyp me egërsi; trashëgimia kulturore dhe traditat fetare u shkatërruan plotësisht; vendet e kultit u vunë në përdorim të qëllimeve praktike, duke shkelur kështu pa asnjëfarë respekti misionin e tyre të shenjtë. Fakti që populli shqiptar ia doli të ruante shkëndijën e besimit nën këto kushte të tmerrshme, ishte tepër frymëzues. Kur persekutimi mori fund në 1991, Komunitetet Fetare, të bashkuar nga e njëjta histori vuajtjeje, filluan dalëngadalë të rindërtoheshin duke u mbështetur në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit me njeri-tjetrin. Kështu, gëzimi për ripërtëritjen e fesë në Shqipëri, u përjetua njësoj nga të gjithë.
Të gjithë komunitetet ishin të ndërgjegjshëm se shoqëria shqiptare është ende në tranzicion e sipër.Disa probleme të trashëguara nga e kaluara kanë mbetur pa zgjidhje, dhe ka mjaft sfida të natyrës ekonomike e politike për të ardhmen.Përcaktimi i rolit të fesë në Shqipërinë moderne nuk ka përfunduar ende, por Komunitetet Fetare janë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të re.Edhe pse mund të ketë disa tensione apo vështirësi, qëndrimi i Komuniteteve fetare ndaj njeri-tjetrit karakterizohet nga respekti i ndërsjellë, fryma e bashkëpunimit dhe nxjerrja në pah e vlerave të përbashkëta siç është dinjiteti njerëzor.Pikërisht këto vlera duhet të jenë në themel të punës së përbashkët për ballafaqimin me sfidat e ndryshme.
Mbështetja që udhëheqësit politikë u japin Komuniteteve Fetare, siç u theksua edhe nga Kryeministri Berisha, na la mbresa të mira. Kjo prirje që vërehet edhe në planin politik, për ta pranuar pluralitetin fetar si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar, dhe për t’u krenuar me të, është një shembull për kombet tjera. Edhe komunitetet fetare bëjnë pjesën e tyre në drejtim të përmirësimit së shoqërisë moderne.Ata janë vazhdimisht aktivë në veprimtari të ndryshme shoqërore, shumë prej të cilave përfshijnë zgjatjen e dorës së miqësisë drejt njëri-tjetrit.
Ana shpirtërore e këtij dialogu ndërfetar u bë veçanërisht e prekshme pasditen e 17 Shtatorit, kur Krerët e Komuniteteve fetare u mblodhën për të bërë një lutje të përbashkët, secili sipas riteve të besimit të tij. Për të shënuar domethënien simbolike të këtij takimi, një pemë ulliri u mboll me lejen e bashkisë në një lulishte në qendër të Tiranës, përballë Galerisë së Arteve.Të gjithë hodhën nga një lopatë dhe mbi rrënjët, ndërkohë që përreth vlonte jeta e zhurmshme e kryeqytetit.
Dëshira e fortë e popullit shqiptar për të forcuar lidhjet e tyre me Europën ishte mjaft e dukshme gjatë gjithë kohës.Është e qartë se Shqipëria ka shumë për të dhënë me shembullin e saj për komunitetet e ndryshme fetare në Europë, në përballjen e tyre me krizën ekonomike, konfliktet e trashëguara nga e kaluara, marrëdhëniet mes besimeve të ndryshme etj.Komunitetet Fetare duhet të japin orientimet e tyre për çështjet morale dhe etike duke kontribuar për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin e shoqërive tona.
Anëtarët e Konferencës së Komisioneve Europiane Drejtësi e paqe shprehin mirënjohjen më të thellë dhe falenderojnë të gjithë ata që ndihmuan në këtë organizim. Një falenderim i veçantë shkon për përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare të Shqipërisë: Imzot Rrok Mirdita (Komuteti katolik); Haxhi Selim Muça (Komuniteti Mysliman); Peshkop Andoni (Komuniteti Ortodoks); Baba Edmond Brahimaj (Komuniteti bektashi); Reverend Fitor Muça (Vëllazëria Ungjillore). Po ashtu, pjesëmarrja e kryeministrit Sali Berisha si dhe pritja nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, na nderon së tepërmi. Falenderojmë gjithashtu edhe Komisionin Drejtësi e Paqe të Shqipërisë: Presidentin Imzot Angelo Massafra, Sekretarin e Përgjithshëm, Luigj Mila, si dhe të gjithë ata që ndihmuan në mbarëvajtjen e vizitës sonë në Shqipëri.
Tiranë, Shqipëri 21 Shtator 2011


800-VJETORI I THEMELIMIT TË URDHRIT TË SHËN KJARËS

16 PRILL 2011 - 11 GUSHT 2012

“O Kjarë, e mbushur me privilegje të tilla e të shumta qartësie! Ke qenë në të vërtetë e qartë para kthimit tënd, më e qartë në ndryshimin e jetës, e ndritshme në jetën tënde në manastir, e shkëlqyeshme në fund me dritë shumë të gjallë pas rrugës së kësaj ekzistence!
Nga Kjara lindi për botën një pasqyrë e qartë shembulli…” –

NGA BULLA E KANONIZIMIT

Natën e të Dielës së Larit të vitit 1211 një vajzë e një familjeje fisnike të Asizit largohet
fshehtas nga shtëpia e të atit për të shkuar në kishën e vogël të Porciunkolës, në Asizi, ku rrinte Françesku me fretërit e vet, me dëshirën për të ndjekur idealin e tij ungjillor. Këtu, me prerjen e flokëve, nisi një jetë pendese dhe kushtimi, që për kohën e saj ishte e pazakontë dhe origjinale.
Me intuitën e saj ungjillore, Shën Kjara u bë e para grua në mesjetë që shkroi një rregull femërore. Pra, kemi të bëjmë me një lëvizje të një rëndësie të jashtëzakonshme për jetën e Kishës dhe të botës.
Gjendemi tashmë në një kohë të gëzueshme për të kremtuar 800-vjetorin e asaj ngjarjeje kaq thelbësore.
Edhe ne, Murgeshat Klarise të Shkodrës, pasditen e 11 gushtit patëm gëzimin t'i bënim nderimin nënës tonë të shenjtë Kjara me kremtimin eukaristik të drejtuar nga Arqipeshkvi ynë Imzot Angelo Massafra. Ministri Provincial U.F.M., Atë Gazmend Tinaj dhe shumë bashkëkremtues, fretër dhe meshtarë, u bashkuan rreth altarit për ta falënderuar Zotin e historisë, bashkë me ne edhe shumë besimtarë që ishin mbledhur në kopshtin e manastirit.
Në shpirtin e Kjarës duam të vazhdojmë ta tregojmë me jetë atë që sodisim dhe prekim prej Fjalës së jetës, Jezu Krishtin Zotin tonë. Duam të themi me ekzistencën tonë që Zoti është ende dashuri, gjithmonë e për të gjithë!

Motrat Klarise


TAKIMI I DYTË I MINISTRIT GJENERAL I FRETËRVE MINORË ME KARDINALË DHE IPESHKVINJ FRANÇESKANË

Fr. Jose Rodriguez Carballo, Ministri i Fretërve Minorë me Këshillin e tij ka organizuar takimin e dytë me rastin e 800-vjetorit të thirrjes së Shën Kjarës dhe të themelimit të Urdhrit të Dytë (Klarise).Morën pjesë 4 kardinalë, 70 Ipeshkvinj dhe disa Vikarë Apostolikë.
Takimi u bë nga data 25 deri më 29 shtator në Assisi dhe u mbyll më 29 shtator në Romë me kremtimin e Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit afër varrit të Tij.
Kemi patur tre relacione: “Urdhri i Fretërve Minorë në bashkim me Kishën” (Fr. Giacomo Bini); “Ecja e Urdhrit në dritën e Kapitulit Gjeneral i vitit 2009” (F. Jose Rodriguez Carballo, Ministër Gjeneral); “Pritjet e Kishës ndaj Fretërve Minorë” (Kardinal Claudio Hummes). U organizua edhe një tryezë e rrumbullakët mbi: “Bashkëpunimin midis Dioqezeve dhe Urdhrit”.
Përveç këtyre kumtesave kemi patur edhe momente shumë të përshpirtshme në shenjtëroret: Shën Maria Maggiore, me Imzot Domenico Sorrentino, Ipeshkvin e Assisit, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve (Porciuncula), në Shën Damiano, në Bazilikën e Shën Kjarës, në Bazilikën e Shën Françeskut, në kriptën, afër varrit të shenjtit, ku kemi lutur dhe kemi puthur reliken: bekimi i Shën Françeskut Fratit Leoni.
Në kthim për në Romë kemi vizituar zonën që quhet “Valle Reatina”, ku gjenden disa shenjtërore.Kemi qenë në Fontecolombo, ku Shën Françesku në një shpellë formuloi Rregullën dhe në Greccio, ku Shën Françesku përjetoi misterin e Betlehemit me shumë besimtarë.
Më 29 shtator, në festën e shenjtërve Mikel, Gabriel dhe Rafael, kemi kremtuar meshën afër varrit të Shën Pjetrit, kryesuar nga Kardinali Angelo Comastri, i cili është “Arciprete” (dmth. përgjegjës i bazilikës). Në fillim, Ministri gjeneral lexoi mesazhin e Papa Benedikti XVI. Në mbarim të meshës patëm hirin t'i afrohemi Urnës që mban kockat e Shën Pjetrit: në këtë moment dhe më pas jam lutur për meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, për gjithë besimtarët e dioqezës dhe për krejt kishën në Shqipëri. Bëra këtë lutje përpara elterit ku është rivarrosur i Lumi Papa Gjon Pali II.
Me drekën vëllazërore në Kurien Gjenerale, u mbyll ky takim i dytë, me falenderime reciproke. Ne, Kardinalët dhe Ipeshkvinjtë, kemi falenderuar Ministrin Gjeneral me Këshillin e tij dhe Ministri gjeneral na falenderoi për pranimin e ftesës dhe për pjesëmarrjen aktive e vëllazërore.
Imzot Angelo Massafra


NDËRROI JETË DOM NDOC NOGAJ

Dom Ndoc Nogaj u lind në Shirokë nga baba Simon Nogaj dhe nëna Marije Maka nga Shkodra.
Shkollën fillore e kreu në Shirokë.Më pas u regjistrua në shkollën e jezuitëve, në Kolegjin e Shën Françesk Saverit.Meqë aty ndjeu thirrjen e Zotit për të ndjekur rrugën e meshtarisë, hyri në Seminarin Papnor.
Në janar të 1947, arrestohet me akuzën fallso si “antipushtet”, dhe ndryhet në bunker në skelën e Vlorës. Mbas gjashtë muajsh torturash të tmerrshme nxirret në gjyqin ushtarak së pari në Vlorë, pastaj në Tiranë dhe përfundimisht dënohet me pesë vjet burgim nga këtu në janar 1947, ku me daljen e amnistisë për të burgosur ushtarakë, lirohet nga burgu dhe kthehet në shtëpi.Më pas punon në sharrat e Pukës si në Gojan, Fushë Arrës etj.
Në korrik të vitit 1951, sipas garancisë së dhënë me gojë nga kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë Imzot Bernardin Shllaku dhe Ordinari i Shkodrës Imzot Erenest Çoba, paraqitet pranë kryesisë së Kishës Katolike për t'u bërë meshtar.
Më 19 Mars 1954, në Sakrestinë e vjetër të Katedrales Dom Ndoc Noga dhe At Gjergj Vata shugurohen meshtarë në fshehtësi nga Imzot Ernest Çoba, pasi pushteti nuk aprovoi shugurimin e tyre.
Nga viti 1952 deri në vitin 1958 kreu detyrën e organistit të Katedrales duke formuar një “Schola Cantorum” me “voci bianche” me rreth 50 djem të moshës deri 14 vjeç.
Ishte viti 1958 kur u detyrua të hyjë punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit për të punuar së pari si punëtor e më vonë si elektricist deri në vitin 1982, vit i daljes së tij në pension.
Me rihapjen e kishave në 1990, Dom Ndoc Nogaj hapi kishën e Zojës Rruzare dhe formoi të parin orator për të rinj duke bashkuar rreth vetës të rinj të të gjitha moshave dhe duke iu mësuar besim, edukatë dhe gjuhë të huaja.
Në prill 1991 rithemeloi Veprimin Katolik të Rinisë, dhe në nëntor 1991 Shtypin Katolik Shqiptar.17 prill 1994 në Kishën Katedrale të Shkodrës rindërtoi Elterin Kryesor kushtuar Nënës së Këshillit të Mirë, Zojës së Shkodrës.
Në maj 1997, në krye të një përfaqësie të dendur të lagjeve Rus Katolik dhe Skënderbeg, zbuloi themelet e Kishës së vjetër të Shën Kollit në Rus dhe hapi kultin fetar në atë vend ku shërbeu me përkushti për disa vite.
Pas transferimit në ambientet e Arqipeshkvisë në Shkodrës, përveç veprimtarisë baritore, Dom Ndoc Nogaj punoi gjithnjë me veprimtari rinore dhe me Shtypin Katolik Shqiptar.
Në vijim po paraqesim homelinë që Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi, bëri gjatë Meshës për salikimin e Dom Ndoc Nogaj.
“Kjoftë lëvduar Jezu Krishti! Shumë të dashur Meshtarë dhe vëllezër e motra!
Në pjesën e Ungjillit që sapo dëgjuam, jemi zhytur në dramaticitetin e vdekjes së Jezu Krishtit dhe në të vërtetën e Ngjalljes së Tij.Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? Ai s'është këtu! U ngjall! – siç e dëgjuam edhe në Ungjill.
Jezusi tha: “Unë jam Rruga, Jeta dhe e Vërteta! Nëse ndokush do të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, le të marrë Kryqin e vet e të më ndjekë! Në Gjetsemani: At, largoje prej meje këtë kelk: por u bëftë vullnesa jote! O At, në duar të tua po e dorëzoj shpirtin tim! Do të kthehem tek Ati e do t'ju përgatis vendin edhe për juve!”.
Vëllezër e motra! Në jetën dhe në fjalët e Jezu Krishtit kemi çelësin e domethënies së jetës: të lindjes dhe të vdekjes. Për çdo njeri, për secilin prej nesh dhe për meshtarin Dom Ndoc.Me Pagëzim, ne të krishterët kemi marrë pjesë në Vdekjen dhe në Ngjalljen e Krishtit.Jemi këtu për të kremtuar Meshën për Dom Ndocin, për t'ia besuar shpirtin e tij mëshirës së Zotit.
Dom Ndoci qe njëri nga meshtarët që i mbijetoi persekutimit komunist, i cili mbi Kishën Katolike qe i pamëshirshëm. Pas viteve të torturave dhe burgimit që ai bëri kur ishte ushtar, në vitin 1954 qe shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba në sakrestinë e kësaj katedraleje. Këtu shërbeu duke u angazhuar në kanton liturgjike dhe këtu punoi për lavdinë e Zotit.Gjatë komunizmit dhe mbylljes së kishave ai u detyrua të punonte si elektriçist.
Kalvari nuk është vetëm Golgota, prandaj jam i bindur se për një meshtar që nuk mund t'u shërbejë besimtarëve në cilësinë e thirrjes, Kalvari është tragjik. Edhe më tragjik bëhej ky kalvar kur besimtarët e persekutuar kishin frikë ta shihnin meshtarin si meshtar. Sa e vështirë është që të kuptojmë gjithçka ka ndodhur në historinë e meshtarëve tanë të vrarë apo edhe të mbijetuar në atë regjim.
Por ne, i lutemi Zotit sot për Dom Ndocin, që t'a pranojë në amshim me mëshirën dhe mirësinë e tij.
Dom Ndoci ishte një meshtar shumë aktiv. Kishte shumë për zemër rininë dhe për të dhe asaj ia ka dedikuar të gjitha mundimet e kohëve të lirisë. Themeloi Veprimin Katolik për të Rinj dhe Shtypin Katolik për të Rinj.Ai drejtoi një revistë që titullohej “Mbas Teje”.Kuptohet se është fjala për të shkuar pas Krishtit.Dom Ndoci ka meritën se mori tokën ku ishte Kisha e Shën Kollit.... ndërtoi një barakë llamarinash..... ku shërbeu shumë vite dhe më pas ndërtuam kishën e bukur.
Në ditët e fundit, kur u shtrua në shtrat, patëm mundësi t'a asistonim dhe motrat vinçenciane tregojnë se Dom Ndoci vdiq tek sa po luste Rruzaren e Mëshirës Hyjnore rreth orës 14. 20. Ne lutemi që të shohësh e kundrosh fytyrën e Zotit.
Të dashur meshtarë, kohët e fundit kemi humbur në pak ditë, meshtarët e vjetër shqiptarë. Jeta, qëndresa dhe vepra e tyre, jam i bindur se do të jetë motiv për thirrje të reja meshtarake e rregulltare. Të gjithë meshtarët, të mbijetuar nga komunizmi, kanë pasur dhe kanë këtë karakteristikë: të mos ndalen kurrë! Ata nuk ndaleshin, punonin në popull dhe me popull. Ata e donin popullin dhe e ndjenin sikur ia kishin borxh atij vitet që komunizmi nuk i lejoi të punonin.
Ky element i tyre le të jetë shtysë dhe shembull për të gjithë, që duke e dashur popullin që Zoti na ka zgjedhur, që t'i shërbejmë, të mos pushojmë, por t'a bëjmë gjithsecilin të vetëdijshëm që thirrja e Krishtit është thirrja jonë, që jeta e Krishtit është jeta për ne, që Ringjallja e Tij është fitorja e jonë dhe dashuria e Atit është Zoti me ne.
Në fund, është mirë dhe e drejtë, të falenderoj ata që i kanë shërbyer në vitet e fundit, zonjën Albana Stenaj, Motrat Vinçenciane dhe Dom Gjovalin Sukaj.
Dom Ndoci pushoftë në paqen e Zotit, dhe të gjithë ata që janë në pikëllim për humbjen e tij, Zoti i ngushëlloftë me hirin e dritës së tij.
Qoftë lëvduar Jezu Krishti!”


DITA E TË RINJVE NË MADRIDTË RRËNJOSUR E TË THEMELUAR NË KRISHTIN, TË QËNDRUESHËM NË BESIM

Kjo ishte tema e cila na përgatiti gjatë vitit për Ditën Botërore të Rinisë në Madrid. Sa ëndrra, dëshira, kuriozitete kanë shoqëruar secilin prej nesh deri në ditën e nisjes. Më 12 gusht arriti data e shumëpritur; nga Katedralja e Shkodrës pas kremtimit të Meshës së Shenjtë, kremtuar nga Imzot Angelo dhe Meshtarët organizatorë, 3 autobusë plot me të rinj, u nisën për udhëtim, i cili do të zgjaste disa ditë e net, për të kaluar disa shtete për të mbërritur në Spanjë. Tashmë në Madrid, të bashkuar me mijëra të rinj nga e gjithë bota, të ardhur me të njëjtin qëllim: “takimi me Papën, takimi me Jezu Krishtin”. Vetëm forca dhe shpirti i Zotit mund të realizojë ngjarje të jashtëzakonshme siç është kjo: qindra flamuj e gjuhë të ndryshme, të ardhur nga çdo kontinent, kuptoheshin në britmat e gëzueshme në rrugët e gjera të Madridit. Një qytet i cili qe i gatshëm t'u hapë dyert, atyre të rinjve, që për disa ditë ndryshuan komplet jetën e vendasve. Në fakt edhe vete Papa sapo hyri në Madrid, i mahnitur dhe plot gëzim, shprehu mirënjohjen ndaj shtetit të Spanjës: si një vend i pasur me histori, kulturë, dhe dëshmi feje, prej të cilit thekson Papa, kanë ardhur shumë shenjtër, gjatë gjithë epokave, burra e gra të cilët kanë përhapur në botë lajmin e ungjillit. Shumë emocione e përcjellin momentin kur Kryetari i Bashkisë i dorëzoi çelësin e Qytetit, dhe Ati i Shenjtë me një buzëqeshje rinore tha: “Të dashur të Rinj, sot Madridi është i juaji dhe i gjithë Botës, sepse ju jeni përfaqësuesit e saj. Mijëra familje, kanë hapur dyert për t'iu pritur ju, sa Kisha dhe institucione janë në shërbimin tuaj. E jo vetëm, por sa Kardinalë, ipeshkvij, Meshtarë, rregulltarë-rregulltare, animatorë dhe vullnetarë, të cilët janë angazhuar për t'ju përcjellë deri në Madrid. Të dashur të rinj, mire se keni ardhur në ditën e 26° botërore të rinisë.Jam pa masë i lumtur dhe mirënjohës ndaj Provanisë Hyjnore që më dha fatin t'ju takoj, e njëkohësisht falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë punuar dhe po punojnë derisa të realizojmë këtë ngjarje të jashtëzakonshme.
Ndërsa uroj që në këto ditë të takoni Krishtin e gjallë, si Ideali i vërtetë i jetës tuaj.Ai le t'i shndrisë hapat tuaj, rrugën dhe jetën tuaj. Pasi, ky është edhe motivi kryesor i ardhjes suaj nga të katër anët e botës. E kështu me radhë, vazhdon Papa me mesazhin atëror dhe të thellë duke iu drejtuar të rinjve gjatë çdo takimi, edhe pse në gjuhë të huaj, fjalët e Tij preknin çdo person, por ne patëm fatin të dëgjojmë mesazhin e Atit të Shenjtë edhe në gjuhën shqipe nga Imzot Angelo gjatë paradites së 20 gushtit. “Të dashur miq, të jeni të mençur dhe të urtë, ndërtoni jetën tuaj mbi bazën e vërtetë që është Krishti, sepse atëherë në zemrën tuaj do të mbretërojë Paqja. Prej gëzimit tuaj do të nxiten edhe të tjerët e ndërsa do të pyesin se cili është sekreti i jetës suaj, do të kuptojnë se shkëmbi mbi të cilin keni vënë themelin është vetë Krishti, Biri i Zotit, miku i juaj, vëllai e Zoti juaj. Ndërsa gjatë Udhës së Kryqit, Papa u tha të rinjve: Të dashur miq, Zoti, këto ditë ju ka dhënë një hir të veçantë që ta përjetoni këtë moment historik, një përvojë feje, ku falë fesë dhe dëshmisë suaj do të kumbojë emri i Tij mbi mbarë tokën. Mos kini turp nga Kryqi… Ai e dha jetën për ne, prandaj edhe ne duhet ta japim për të tjerët…, Dashuria e Zotit e shtoftë gëzimin në ju derisa të jeni të aftë të qëndroni pranë atyre që vuajnë.
Shkojmë në mbrëmjen e shumëpritur. “Quatro vientos”: Tashmë vendi është plot e përplot me grupe rinore që ecin, luten, këndojnë, flamuj që valëviten, të rinj që njihen. Çfarë emocionesh përcjell ajo natë në zemrën e secilit pjesëmarrës.Çfarë gëzimi për Papën dhe të gjithë bashkëkremtuesit të cilët shoqërojnë vigjiljen e lutjes.Një mbrëmje, që as era, as shiu nuk fitoi mbi besimin e të rinjve. Në fakt edhe Papa i cili prej gëzimit brohoriti: “Të dashur miq, faleminderit për gëzimin dhe qëndresën tuaj. Forca juaj sfidon edhe stuhinë.Jeni një dëshmi.Faleminderit. E kështu ndër të tjera tha: “T'i kërkojmë Hyjit që ta zbulojmë thirrjen tonë në Kishë dhe në shoqëri. Është tepër e bukur të dish se Jezusi të kërkon, fikson shikimin mbi ty dhe me zërin e tij thotë: “Eja pas meje”.
Ndërsa ditën e diel gjatë predikimit, ndalet në dy pyetjet thelbësore të pjesës së ungjillit: “Kush thonë njerëzit se është biri i njeriut?” dhe e dyta: “Po ju, kush thoni se jam unë? …” pyetje këto, me anë të cilave Ati i Shenjtë, përpara ndarjes me të rinjtë, dëshiron t'iu japë atyre, misionin derisa çdonjëri të jetë i aftë për t'u përgjigjur si Pjetri: “Ti je biri i Zotit të gjallë”. Kështu, vazhdon Ai, edhe ju thoni sot pa frikë: Jezus, unë e di se je i biri i Zotit, që ke dhënë jetën për mua. Do të vij pas teje në besnikëri i frymëzuar prej fjalës sate. Ti më do dhe më njeh. Unë dua ta besoj krejt jetën time në duart e tua. Dua që të jesh forca që më mban, gëzimi që nuk më braktis, drita që më drejton… e kështu sikurse Pjetrit atëherë edhe ty do të të thotë “Ti je shkëmb e mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time”.
Të ndjekësh Krishtin d.m.th të jesh në bashkim me Kishën, duajeni Kishën e cila ju ka lindur në Fe, ju ka ndihmuar për të njohur më mirë Krishtin. Nga kjo do të lindë edhe nxitja e cila çon në dëshmi të fesë në vendet më të ndryshme edhe atje ku mbizotëron indiferenca dhe përbuzja. Bota ka nevojë për dëshminë e besimit tuaj, ka nevojë për Zotin. Prania juaj këtu të ardhur prej 5 kontinenteve është dëshmia e vërtetë e dërgimit të Krishtit në Kishë: «Shkoni në mbarë botën e shpalleni ungjillin të gjithë njerëzve». Para se të ndahemi thotë Papa: jam i lumtur të shpalli ditën botërore të rinisë, në 2013, e cila do të zhvillohet në Rio de Zhanero. Sot Rinia spanjolle ia dorëzon kryqin rinisë braziliane. Ti kërkojmë Hyjit lutet Ai, “që të ndihmojë të gjithë ata të cilët do të angazhohen në këtë organizim, derisa rinia e gjithë botës të mund të takohen me Papën përsëri në atë qytet të mrekullueshëm brazilian”. Kështu, të gjithë përgatiten për kthim ndërsa janë të rrethuar me emocione, mesazhe, porosi, por edhe me pyetje e mbas gjithë kësaj çfarë do të ndryshojë në dioqezat tona, çfarë do të mbetet nga e gjithë kjo që përjetuam. Jemi përballuar me lodhjen, me të nxehtit e gushtit, urinë, kushtet e vështira por sa mbresa do të mbeten nga momentet e bukura, miq të rinj, momente prekëse të lutjes në Meshët e kremtuara gjatë udhëtimit, lutjet dhe rruzarja në autobus, pritjet e mrekullueshme në çdo vend që jemi ndalur, të organizuara nga Don Vlashi. Pamjet e bukura në vendet e ndryshme si: Katedralja e Milanos, Familja e Shenjtë në Barcelonë, Shën Sebastiano, e sa e sa të tjera. Por mbi të gjitha kush mund të harrojë gëzimin e mbërritjes në Lurdë, ku zemra e secilit dëshironte të ndalej gjatë, para Asaj Nëne, ku lutjet nuk kanë mbarim, Zojës së Lurdit i kushtojmë dëshirat dhe i kërkojmë bekimin. E për të gjitha këto falënderojmë Zotin dhe të gjithë ata që e bënë të mundur që Unë dhe Ti patëm fatin të bëhemi pjesë e vërtetë e ditës botërore të rinisë. Amen .
Motër Dukata Radoja


ENDERR APO REALITET?! Etërit Orioninë, me të rinjtë

Më shumë se ëndërr një realitet i vërtetë. Po, po një realitet! Shumë të rinj shqiptarë ishin të pranishëm në ditën e XXVI botërore të rinisë.Pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Ishin nga Shkodra, Lezha, Mirdita, Laçi, Saranda, Elbasani, Vlora, Malesia e Madhe, Tirana, Durrësi etj. Shumë të rinj të gjallë e plot me entuziazëm të shoqëruar nga barinjtë e tyre Ipeshkëvinj, nga meshtarët e tyre dioqezanë, nga meshtarët e tyre rregulltarë: fretërit minorë, orioninët, salezianët, dehonianët etj.
Kjo ditë Botërore e zhvilluar nga datat 15 deri në 21 gusht në Madrid. Shumë herë dëgjoheshin koret e të rinjve tanë: esta es la juventud del Papa! Esta es la juventud del Papa! Por dëgjohej edhe ky kor: se ve, se siente Albania esta presente!
Një përvojë e paharrueshme dhe e mbushur me një gëzim të paparë. Shtohej gëzimi akoma më shumë nga pjesëmarrja e më shumë se dy milionë të rinjve të ardhur nga mbarë kontinentet. U shumëfishua gëzimi dhe gjallëria me ardhjen e Atit të shenjtë në sheshin Cibeles. Të rinjtë ishin të pranishëm për një përvoje feje të thellë, por edhe për t'i shprehur dashurinë e tyre Zëvendësit të Krishtit në tokë. Ishin të pranishëm dhe shumë në numër për të thënë se përvoja e thellë e Zotit Jezus dhe takimi me të kalon nëpër ndërmjetësinë e Kishës.
Zërat ishin të ndryshëm, po ashtu edhe fytyrat të shumëllojshme, ngjyrat dhe flamujt, por të gjithë të një mendimi dhe me një dëshirë të madhe për të rrënjosur e për të thelluar besimin e tyre në Krishtin.
Një besim i shprehur me praninë domethënëse në ditën botërore, por akoma më shumë me pjesëmarrjen aktive në momentet kyçe të kësaj dite: hapja zyrtare e ditës botërore, mbërritja e Atit të Shenjtë, Udha e Kryqit, vigjilja ne aeroportin Quatro Vientos dhe në fund Mesha përfundimtare me marrjen e misionit nga Ati i Shenjtë “për të qenë kripa e tokës e drita e botës”.
Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të rinjtë të: dëgjojnë fjalët e Jezusit sepse ato mbërrijnë në zemër, rrënjosen në të dhe e formojnë zemrën. Nëse Mësuesi mëson atë që ka mësuar nga të tjerë, Ai, Jezusi mëson atë që Ai është. Më pas vazhdon: ndërtoni jetën tuaj në Krishtin sepse, duke ndërtuar jetën tuaj mbi shkëmbin e fortë, jo vetëm jeta juaj do të jetë e qëndrueshme, por do të kontribojë të projektojë dritën e Krishtit mbi bashkëmoshatarët tuaj dhe mbi gjithë njerëzimin, duke treguar një alternative të vlefshme atyrë që e kanë lënë veten të shkurajohen... Por Ati i Shenjtë nuk ndalet këtu, ai vazhdon ta inkurajojë mbarë rininë: të dashur miq: jini të kujdesshëm dhe të mençur, ndërtoni jetën tuaj mbi bazën e qëndrueshme që është Krishti. Kjo dituri dhe maturi do të udhehëqë hapat tuaj, asgjë nuk do t'ju frikësojë dhe në zemrën tuaj do të mbretërojë paqja.
Do të mbretërojë ajo paqe e brendshme që kërkojmë të gjithë. Ajo paqe që të rinjtë tanë, por mbarë të rinjtë kërkojnë në ekzistencën e tyre.
Një përvojë e paharrueshme, e thellë e kuptimplote që prek jetën e që na fton të nisemi nga Krishti për të ndërtuar dhe themeluar jetën tonë siç na sugjeron Ati i Shenjtë.
Pra, jo një ëndërr por një realitet i bukur që ndriçon e i jep shije jetës. Një realitet ku nuk mund të rrihet duarkryq, ku fjala dëshmi do të thotë dashuri për jetën, për Krishtin dhe për vëllezërit. Një realitet që nuk i shmanget vështirësive, por që nxit e shtyn për të kërkuar e për vepruar mirë të mirën ndaj të gjithëve.
Shumë faleminderit, Atë i Shenjtë për atë çka na dhurove në këto ditë të mrekullueshme. Ti na premtove lutje në ecjen tonë por edhe ne të themi se të duam fort e do të lutemi për ty e për veten: për të qene kripa e tokës e drita e botës.
Don Rolando Reda



SHËRBËTORET E ZOTIT – MARTIRET E DRINIT

“Të bësh mirë, të dhurosh gëzim, dhe t'i udhëheqësh në qiell” (nëna Franziska Lechner). Shërbetoret e Zotit të thirrura në jetë, pagëzim dhe në thirrjen rregulltare, të rrënjosura në Fe, jetuan thirrjen e tyre në pastërti, varfëri dhe dëgjesë në kongregatën e Bijave të Dashurisë Hyjnore.Kush janë këto motra?
M. Jula Ivaneševic, kroate, M. Berchmana Leidenix, austriake, M. Krizina Bojanc, sllovene, M. Antonja Fabjan, sllovene, M. Bernardeta Banja, kroate me origjinë hungareze.
Ato jetuan në bashkësinë e kuvendit të Palës të quajtur “Shtëpia e Marisë”.Në 1941 siç e dimë ishte lufta e dytë botërore, motrat ju shërbyen të gjithëve pa dallim feje njerëzve në nevojë. Për këtë arsye ato nuk patën frikë se do të ndodhte diçka dhe do të kishin ndonjë rrezik për jetë. Por, ja, më 11 dhjetor 1941, çetnikët i morën pesë motrat duke i dërguar për Gorazhde, ndërsa kuvendin e kanë vjedhur dhe djegur. Koha e ftohtë me dëborë dhe udhëtimi i tyre i gjatë katër ditë. Berchmana nuk pati mundësi të vazhdojë kësaj rruge të Kalvarit për shkak të moshës së thyer 76 vjeçe por shpirtërisht dhe fizikisht ishte e bashkuar me motrat e saja në martirizim edhe pse jo në të njëjtin vend me bashkëmotrat e saja, por Kisha ka vendosur ta quajë një ndër pesë martiret e Drinit.
Më 15 dhjetor 1941, çetnikët rrezikuan dinjitetin e tyre dhe motrat besnike të kushtimit rregulltar sidomos të pastërtisë, varfërisë dhe dëgjesës edhe pse ishin marrë peng nga çetnikët, ndodheshin në një repart ushtarak, qëndruan besnike deri në fund duke mbrojtur virgjërinë e tyre. Duke parë se nuk kishin rrugëdalje nga çetnikët motra Jula eprore i fton motrat që të hidhen nga dritarja për ta mbrojtur virgjërinë. Ato njëra pas tjetrës u hodhën nga dritarja e katit të dytë të repartit ushtarak, dhe çetnikët të dëshpëruar që nuk ja arritën qëllimit zbritën poshtë dhe me thika i masakruan dhe i zhveshën dhe më në fund i hodhën në lumin Drin duke ju dhënë fund jetës së tyre trupore por jo shpirtërore. Për këtë më mirë se askush dëshmon dëshmitari okular don Anto Bakoviç i cili e ka përjetuar këtë dramë të martirizimit të tyre.
Por motrat e dinin se jeta e tyre nuk ishte në duart e çetnikëve duke u identifikuar me librin e dytë të Makabenjve “Ti o i pashpirt, mbi të pashpirtit, po na merr jetën e tanishme, por mbreti i botës i cili e din se po vdesim për ligjet e Tija, do të na ngjallë për jetën e pasosur” (2Mak 7,9).
Kështu u hap një faqe e re në jetën e tyre, për Gorazhden, Bosnjen sidomos për Bijat e Dashurisë Hyjnore dhe Kishën mbarë.
Motrat vdiqën duke falur sepse e dinin se do ta merrnin shpërblimin në qiell: prandaj Kongregata e Bijave të Dashurisë Hyjnore i fali çetnikët, po ashtu Kisha në Bosnje, populli slloven, austriak dhe hungarez. Bosnja me shumë histori të përgjakshme, luftërat e tmerrshme, sot i thotë Papës Benediktit XVI: falëminderit që nënshkrove Dekretin për Lumturimin e “Shërbëtoreve të Zotit” të shpallur të lumtur në Sallën e Sporteve “Zetra” në Sarajevë gjatë Meshës së Shenjtë të kremtuar nga i dërguari i Papës Kardinali Angelo Amato, dhe shumë Kardinajve, Ipeshkvijve, Meshtarëve, dhe grupeve të ndryshme të cilët morën pjesë në kremtimin Eukaristik, duke lutur dhe duke falënderuar Zotin për ngritjen e “Shërbëtoreve të Zotit” në elter. Më në fund dëshirojmë edhe ne të falënderojmë Imzot Angelo Massafra, Imzot Zef Gashin dhe të gjithë meshtarët shqiptarë që morën pjesë në gëzimin tonë në Sarajevë.
Bijat e Dashurise Hyjnore


IMZOT MAMBERTI I DREJTOHET OSBE-SË RRETH DISKRIMINIMIT TË TË KRISHTERËVE

Në vitin e kaluar pati qindra mijra të krishterë që në të katër anët e botës u persekutuan dhe u vranë pasi ishin të krishterë të Krishtit.Me keqardhje edhe në vendin tonë ka disa raste të diskriminimit apo dëshirës për të injoruar rolin e Kishës në shoqërinë tonë shqiptare. Prandaj na u duk me vend që të publikojmë në vijim pjesërisht ndërhyrjen e bërë nga Imzot Dominique Mamberti, Arqipeshkëv dhe Sekretar i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet e tjera, mbajtur me 12 Shtator me rastin e tryezës së rrumbullakët mbi Çështje e Diskriminimit të krishterëve (“Parandalimi dhe Përgjigjja ndaj Incidenteve dhe Krimeve të Urrejtjes ndaj të Krishterëve), në kuadër të Samitit të zhvilluar në Romë nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ndoshta do të ishte mirë që edhe zyrtarët e OSBE-së në Shqipëri ta lexojnë këtë reflektim e denoncim të Sh. T. Imzot Dominique Mambertit.
Ndër të tjera ai tha:
Selia e Shenjtë, është një shtet pjesëmarrës në OSBE që nga themelimi i saj në 1975 dhe mundohet të kontribuojë me forcë me aktivitetet dhe projektet të saj qoftë me pjesëmarrjen e saj direkte qoftë nëpërmjet Misionit të Saj të përhershëm në Vjenë.
Një prej arsyeve kryesore të kësaj Tryeze të Rrumbullakët është fakti se garancia e lirisë së besimit ka qenë gjithmonë dhe është akoma në qendër te veprimtarive të OSBE-s.
Është pikërisht në këtë kontest që krimet e bëra nga urrejtja ndaj të krishterëve, janë një argument i rëndësisë së veçantë për OSBE-n në përgjithësi dhe për Selinë e Shenjtë në veçanti. Në mesazhin e tij në Ditën botërore të Paqes 2011, Papa Benedikti XVI ka vënë theksin duke thënë se: “të krishterët, aktualisht janë grupi fetar i cili për shkak të fesë së vet vuan persekutimet më të ashpra. Të shumtë janë ata që çdo ditë pësojnë fyerje dhe shpesh jetojnë në frikë për shkak se kërkojnë të vërteten e fesë së tyre në Jezu Krishtin e bëjnë apel të sinqertë nga ana e tyre që tu njihet liria e besimit. E gjithë kjo nuk mund të pranohet, sepse përbën një fyerje ndaj Zotit dhe dinjitetit njerëzor; në të njëjtën kohë është një kërcënim ndaj sigurisë dhe paqes dhe pengon realizimin e zhvillimit autentik e të plotë njerëzor”.
Mund të kundërshtojmë, e me arsye të plotë, që krimet si shkak i urrejtjes kundër të krishterëve në botë, në të shumtën e rasteve, verifikohen jashtë zonës së OSBE-s. Megjithatë ka sinjale shqetësuese edhe brenda kësaj zone. Raporti vjetor i krimeve si shkak i urrejtjes bërë nga ODHIR-i ofron një provë të pakundërshtueshme të intolerancës ndaj të krishterëve. Të injorosh këtë fakt të mirë-dokumentuar do të thotë të dërgosh një sinjal negativ edhe atyre vendeve të cilat nuk janë pjesëmarrës në Organizatën tonë. Është e rëndësishme atëherë të ngjallet gjithandej një vetëdije rreth këtij problemi. Për këtë Selija e Shenjtë e mirëpret me favor rezolutën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-s të adaptuar këtë vit në Beograd, si një hap i rëndësishëm “për të nisur një debat publik rreth intolerances dhe diskriminimit të të krishterëve” siç e pohon edhe dokumenti. Urojmë që të zhvillohen masa praktike për të luftuar intolerancen ndaj të krishterëve si rrjedhojë e kësaj Konference.
Për të parandaluar krimet si pasojë e urrejtjes është thelbësore promovimi dhe përforcimi i lirisë së fesë koncepti i së cilës duhet të jetë i qartë që në fillim. Në bisedën e tij të 10 Janarit të 2011 drejtuar anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Ati i Shenjtë ka mbrojtur idenë se e drejta e lirisë fetare “në të vërtetë është e para ndër të drejtat, sepse historikisht nga njëra anë është afirmuar e para mes të drejtave të tjera e nga ana tjetër ka si objekt dimensionin përbërës të njeriut, d.m.th. marrëdhënjen e tij me Krijuesin”.
Liria fetare autentike nuk është sinonim i relativizmit, as e idesë postmoderne sipas së cilës feja është një element i dorës së dytë i jetës publike.
Ashtu siç e kam vënë në dukje edhe më përpara, kur flasim për mohimin e lirisë fetare dhe për lidhjen e saj me krimet si shkak i urrejtjes, zakonisht mendojmë për persekutimet e dhunshme të pakicave të krishtera në disa pjesë të botës.Selia e Shenjtë i është mirënjohëse OSBE-s dhe shteteve pjesëmarrëse të cilat janë veçanërisht aktive në denoncimin e arrestimit apo të vrasjes së qytetarëve të pafajshëm të cilët përndiqen ose vriten vetëm sepse besojnë në Jezu Krishtin.Nga ana tjetër n se është e vërtetë se krimi si shkak i urrejtjes është i lidhur me mohimin e lirisë fetare, nuk do të duhej të harronim se ka probleme të rënda në zona të botës ku fatmirësisht nuk ka persekutime të dhunshme të të krishterëve. Fatkeqësisht akte të motivuara nga paragjykime kundër të krishterëve janë duke u bërë shumë shpejt një realitet edhe në ato vende ku të krishterët janë në shumicë.Iluzioni për të gjetur në relativizmin moral çelësin për një bashkëjetesë paqësore është në fakt origjina e ndarjes dhe e mohimit të të drejtave të dinjitetit te qenieve njerëzore.Pikërisht ky këndvështrim i cili identifikon lirinë me relativizmin apo anjosticizmin militant dhe që ngjall dyshime rreth njohjes së të vërtetës, mund të jetë një faktor bazë i shtimit të këtyre incidenteve dhe krimeve të shtyrë nga urrejtja që do të jenë edhe objekti i debatit te sotëm, që kjo Tryezë e Rrumbullaket, e të tilla aktivitete të zhvillohen edhe në të ardhmen, të japë një shtytje të re veprës së OSBE-s dhe të ODHIR-it në këtë fushë.
Dom Gjovalin Sukaj


VULLNETARË DENTISTË NGA KALABRIA NË FSHATIN E PAQES

Gjatë muajit gusht një tjetër shërbim shumë i rëndësishëm organizuar nga Caritas Dioqezan Shkodër-Pult ka qenë kurimi i 250 pacientëve me probleme dentare. Ky shërbim është kryer në Fshatin e Paqes për shtatë ditë rresht në datat 21-27 gusht dhe është bërë i mundur falë stafit prej 21 mjekësh të CALABRODENTAl, drejtuar nga Prof. Massimo Marrelli ardhur në Shqipëri me ftesën e Arqipeshkvisë, të Motrave Kapucine dhe Ordine dei Cavalieri Templari të OSMTH.
Pacientët e kuruar nga Calabrodental kanë qenë persona në nevojë duke filluar nga të varfërit që për arsye financiare nuk mund të kurohen. Gjithashtu janë kuruar fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuara si dhe komuniteti rom. I gjithë shërbimi është kryer falas dhe me shumë humanizëm e profesionalizëm dhe pacientët janë asistuar edhe me medikamente të ndryshme dhe me produkte për mbajtjen e higjienes orale.
Grupi i mjekëve mundi të punonte në ambientet e Fshatit të Paqes me odontoambulancen si dhe pajisjet e sjella nga Calabrodental - Itali.
Të gjitha shërbimet janë kryer në shpirtin një e solidariteti të madh ndërkombëtar, shenjë konkrete e një miqësie të thellë mes dy popujve, Italisë dhe Shqipërisë si dhe kontribut konkret për promovimin e jetës njerëzore.
Jolanda Marena


AKTIVITETET VERORE NË FAMULLINË E STAJKË

Nën ritmin e lutjes, në famullinë tonë të Stajkës, kemi nisur aktivitetet që në muajin maj. Çdo ditë, në orën 17-18 kemi lutur rruzaren dhe Meshën e Shenjtë dhe më pas fëmijët kanë qëndruar dhe kanë luajtur lojëra të ndryshme.
Aty nga fundi i muajit fëmijët ia shprehën dëshirën e tyre famullitarit që të vazhdonin të luanin edhe në ditët në vazhdim dhe meqë ishte edhe fundi i vitit shkollor, famullitari bashkë me animatorёt e realizuan dëshirën e tyre. Kështu një ditë po dhe një ditë jo duke luajtur kaloi edhe muaji qershor.
Në muajin korrik fëmijët morën pushimet: disa shkuan në plazh, disa në mal, disa jashtë shteti dhe disa qëndruan në shtëpitë e tyre.
Javën e parë të gushtit animatorёt bashkë me famullitarin e kaluan në Razëm, një udhëtim i ndërthurur me pushim dhe me impenjim.Tema që u diskutua për 5 ditë radhazi ishte “Rojtarë të Agimit”e marrë nga komentet e bëra nga Papa Gjon Pali II me të rinjtë e botës.Të bëhemi rojtarë të mirë të agimit, pavarësisht nga tundimet apo pengesat nga më të ndryshmet që takojmë, të cilat duhet t'i përballojmë duke besuar dhe shpresuar gjithmonë tek Ai, i Gjithëpushtetshmi, Ati ynë.Ai do të na drejtojë në rrugën e drejtë.
Pas disa takimeve dhe lojërave i erdhi fundi udhëtimit tonë në Razëm. U mërzitëm paksa, pasi kishim kaluar ditë të mrekullueshme, por ajo që na ngushëllonte ishte se në famulli na prisnin fëmijët bashkë me gëzimin e tyre.
Kampi veror zgjati 11 ditë me plot angazhime, të qeshura, lojëra e kënaqësi. Kaluan 11 ditë si të ishin vetëm 3 ditë, pa u ndjerë fare.A e dini arsyen pse kaluan kaq shpejt dhe mirë këto ditë? Sepse gjithçka ishte e përgatitur me orar dhe e mirëorganizuar.
Në orën 9.00 bëhej lutja e mëngjesit “Ati Ynë”, mikpritja dhe 5 himnet tradicionale të kampit. Në orën 9.30-11.00 realizoheshin lojërat ndër grupe dhe pas këtij orari bëhej mbyllja e lojërave. Fëmijët plot entuziazëm ktheheshin në shtëpi duke pritur me padurim ditën e nesërme. Dhe së fundi nën ritmin e gjallërisë dhe të gëzimit aktiviteteve tona u erdhi fundi duke marrë pёrsipёr detyrën parësore Rojtarë të Agimit. Kështu fëmijët për 11 ditë morën bekimin e Zotit të dhënë nga famullitari Don Nikolini.
Bukurinë e këtij aktiviteti ia shtoi prania e ardhjes se Arqipeshkvit Angelo Massafra për t'iu dhënë Sakramentin e Krezmimit fëmijëve të klasës së nëntë. Ky moment na dhuroi një gëzim të madh, sepse e gjithë famullia kaloi një klimë lutjeje dhe feste vëllazërore. Nga Ipeshkvi morëm shumë këshilla që t'u rrimë besnikë premtimeve të pagëzimit dhe që nesër të jemi dëshmitarë të fortë të Krishtit.
Më pas rrugëtimi ynë vazhdoi në aktivitetet tona verore, ku u përfshimë në një larmi të madhe aktivitetesh dhe një ndër të veçantat ishte formimi i animatorëve.
Në mbyllje të aktiviteteve, u ndalëm në një shëtitje të bukur në qytetin e lashtë të Shurdhahit, ku zbuluam se të krishterët e parë i rezistuan persekutimeve të ndryshme për të qenë besnikë besimit të tyre në Krishtin. Nën shembullin e këtij martirizimi edhe ne si grup morëm angazhime të reja për t'u përballur me sfida të kohës për të qenë lajmëtarë të një agimi të ri.
Mari Gjeçaj


FESTIVALI V EUROPIAN I KOREVE

Me datë 8 shtator 2011, në orën 19:00, tek Fshati i Paqes në Tarabosh u zhvillua edicioni i 5-të i Festivalit Europian të koreve. Ky festival u bë i mundur nga bashkëpunimi që Fshati i Paqes dhe Famullia e Shën Shtjefnit Shkodër bënë me Shoqatën “Syri Blu”. Përformuan tre koret: Naama ensemble, nga Izraeli, Fortina Jenska Kllapa ensemble, nga Kroacia dhe Kori polifonik i femrave nga Konservatori i Lecce, Itali.


SHËN FRANÇESKU DHE PËRSHPIRTËRIA MARIANE

Nga data 14-17 shtator 2011, Familja Françeskane e Provincës shqiptare pati disa konferenca mbi rëndësinë e përshpirtërisë Mariane në jetën Françeskane. Predikues dhe relator, ishte Atë Stefano Cecchin, OFM. Të ftuarit ishin të gjitha Kongregatat me përshpirtëri françeskane. Në ditën e parë u pa se thirrja e Shën Françeskut qe një përjetim marian si dhe roli që pati Maria në jetën e shën Françeskut dhe Shën Kjarës. Në ditën e dytë, teologjia Françeskane dhe Maria, si dhe Doktrina Françeskane e të ngjizurit pa mëkat të Marisë. Në ditën e tretë, Françeskanët dhe dogma e të Ngjiturit e Zojës në Qiell dhe në ditën e katërt, konferenca mbi Varrët e Shën Françeskut.
Më 14 shtator morën kushtet e para tre fretër të rinj, të cilët mbaruan vitin e noviciatit: f. Anton Kodrari, f. Kolë Mitri dhe f. Anton Miloti; Meshën e Shenjtë e udhëhoqi Shkëlqesia e Tij, Imzot Angelo Massafra.


RRANXA-BUSHAT MIRËPRET FAMULLITARIN E RI

Dy fjalë mirëseardhjeje. Dom Ardjan, në emër të bashkësisë së Shën Rrokut, Rranxa-Bushat, të urojmë mirëseardhjen si famullitar. Së pari falënderojmë Zotin që asnjëherë në këtë famulli nuk na mungoi shërbesa nga meshtarë të mirë dhe të denjë. Por dhe të falënderojmë ty, Dom Ardian, që iu përgjigje kësaj kërkese dhe pranove që të shërbesh tek ne. “Po”-ja jote para disa viteve për t'u shuguruar meshtar, na jep këtë kënaqësi sot që të gëzojmë për ardhjën tuaj në këtë famulli. Të urojmë më gjithë zemër të hapur të gjithë besimtarët e famullisë së Shën Rrokut; të urojnë pleqtë, të rriturit, të rinjtë e të rejat, fëmijët e katekizmit, katekistët dhe animatorët e famullisë. Përvoja ka treguar se në këtë famulli meshtarin jo vetëm që e mirëpresim, por edhe e duam, e respektojmë, e dëgjojmë dhe e ndihmojmë në rritjen e kishës së gjallë. Për këtë, një përshëndetje të sinqertë të vjen nga katekistët dhe nga të gjithë laikët e tjerë që bashkëpunojnë me kishën e me famullinë. Përshëndetje Dom Ardian, në emër të nënave dhe motrave, që pas një punë të lodhshmë në shërbim të familjeve, marrin rugën për në shtëpin e Zotit në vapën e korrikut apo në acarin e dhjetorit e nën gishta kalojnë kokrrat e rruzarës në lutje për Kishën, për meshtarët e për krejt bashkësinë. E Lumja Nënë Tereza ka thënë: ”Meshtarët janë guzhinjerët në Darkën e Zotit”. Urojmë me gjithë shpirt që shërbesa jote në këtë famulli të dalë e pëlqyeshme për të gjithë. Të premtojmë që ne të rriturit do të të duam si djalin tonë, të rinjtë e të rejat do të të diuan si vëllaun e tyre më të madh që di t’i mësojë e t'i korrigjojë, të bashkëndajë me ta çaste të bukura e të këndshme. Urojmë me gjithë zemër që shembulli yt të jetë nxitje për djemtë tanë që një ditë edhe ata të thonë: “Po, nëse Zoti do të më thërrasë, edhe unë do t'i përgjigjem vullnetit të Tij si Dom Ardiani”. Shpirti Shenjtë të ndriçoftë, të forcoftë e të ruajtë nga çdo e keqe.
Me repsekt.
Bashkësia e Shën Rrokut Rranxa-Bushat


KAMPE VERORE NË RRANXA-BUSHAT

Të nis të përshkruaj të gjitha ndjenjat, emozionet që kam përjetuar gjatë kësaj përvoje është bukur pasi do të rindjeja edhe një herë ato emocione edhe pse tanimë në një formë tjetër. Gjatë kësaj jave kam provuar një sërë emocionesh në çdo moment që kaloja me miqtë që erdhën nga dioqeza e Ories me famullitarin e tyre Dom Pietron dhe nga dioqeza e Torinos me famullitarin Dom Markon. Ishte i pranishëm dhe famullitari ynë Dom Ardiani, i cili na tregoi pak edhe nga përvoja e tij në kampet verore.
Programi i këtij kampi përmbante lojra me fëmijët, shëtitje me katekistët dhe motrat, vizita nëpër shtëpitë e të varfërëve. U gëzova shumë kur shkuam në shtëpinë e Zotit -Bethel- dhe kur vizituam të gjithë të sëmurët të cilët mund ti shihje më një buzëqeshje që tregonte gëzim për pak kohë e kjo më bënte të ndihesha mirë. Kur unë, Gabriela, Sara, Valerio, Pietro ndihmuam atë ditë me pregaditjen e ushqimit për të sëmurët përjetova emocione të veçanta. Që të përgadisja ushqimin për ta, e kisha bërë dhe herë të tjera, por kësaj rradhe po më shoqëronin edhe miq të tjerë në këtë vepër të vogël dashurie.
Më kujtoheshin shumë shprehjë e Nënë Terezës, por do të doja të veçoja njërën ndër to: “Ne jemi si një pikë uji në det por që pa atë pikë uji, deti do të ishte i mangët”.
Kemi bërë disa shëtitje dhe kështu kemi vizituar qytetin e Krujës si dhe kemi bërë një vizitë tek motrat e Nënë Terezës në Shkodër.
Brixhilda Lleshi


KUSHTET E PËRJETSHME TË MOTËR MIMOZA JAKUMOTËR SALVADORIANE

Zoti më thirri sepse më deshi
Me këto fjalë në zemër me datën 08.09.2011 në Kishën e Sheldisë të Shën Jeronimit, m.Mimoza Jaku bëri kushtet e përjetshme, gjatë kremtimit Eukaristik të udhëhequr nga Imzot Angelo Masafra dhe në prani të shumë Meshtarëve. Ajo i bëri kushtet e saja në duart e provinciales m.Gabriella Lemma.
Ishte një gëzim i madh jo vetëm për m. Mimozën, por për të gjithë, sepse akoma sot ka të reja që e dëgjojnë zërit e Atij që e thërret dhe ia dhurojnë jetën krejtësisht.
Të gjitha motrat Salvatoriane e falënderuan Zotin që në kongregatën tonë u bashkëngjit edhe një person, i cili mund të shpallë çdo ditë e më shumë Jezusin si të vetmin Shpëtimtar të botës.
Motrat Salvatoriane

KUSHTET E PËRJETSHME TË MOTËR ARDIANA HAXHARIT MOTËR MISIONARE E KRAHARORIT TË SHENJTË

Unë Motër Ardiana Haxhari, bëj Kushtimin dhe i premtoj Hyjit të Gjithpushtetshëm pastërti-varfëri-bindje.”
Me këto fjalë solemne me datë 3 shtator, motër Ardiana do të vuloste përgjithmonë kushtimin e saj ndaj Hyjit mes Motrave misionare të Kraharorit të Shenjtë. Motër Ardiana u lind në fshatin Rragam të Shkodrës, u rrit në një mjedis të krishterë në të cilin ka ruajtur besimin, duke mësuar nga ajo sythet e para të krishtera. Me ardhjen e lirisë së besimit, Meshtarëve dhe vullnetarëve të rinj për kampet verore në fshatin e saj, ka mësuar përbërës të tjerë të vlefshëm në rritjen e saj. Duke dëgjuar fjalët e Hyjit fillon ecja e saj e zgjedhjes së thirrjes dhe e dashuruar pas Jezusit, kërkon dhe arrin pranimin e saj në Institutin e Motrave Misionare të Kraharorit të Shenjtë me datë 1 nëntor 1997. Vazhdon ecjen e saj të shoshitjes shpirtërore, me një njohje më të thellë të Hyjit, të jetës së kushtuar dhe të karizmës së veçantë të Institutit.
Merr kushtet e para rregulltare me datë 8 dhjetor 2002 në Castelgandolfo (Romë). Udha e zgjedhur nga Hyji për motër Ardianën, sigurisht, nuk është për këdo, ajo është një ndjekje e absolute dhe gjithpërfshirëse. Me kushtet e përjetshme të pastërtisë, varfërisë dhe bindjes, ka shpallur që do t'i dojë të gjithë në Hyjin me zemër të pandarë, që dëshiron të ketë Hyjin si pasuri e vetme, dhe të jetë dëshmirare besnike e dashurisë së tij.
Bashkremtimi solemn, i udhëhequr nga Imzot Angelo Massfra, me praninë e disa Meshtarëve, me ritin solemn të Kushtimit, bërë në praninë e Nënës së Përgjithshme, Nënë Gabriella Penella, është kremtuar në shenjtoren e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, vend i devotshmërisë së vërtetë dhe shtegtimeve të vazhdueshme. Ishin të pranishëm prindërit, familjarët, miqtë, Nëna Provinciale, motër Iginia Cicala, njëra nënë ndihmëse, motër Enza Mastromatteo, bashkësia e Motrave Misionare të Kraharorit të Shenjte të Shkodrës dhe disa rregulltare të instituteve të tjera.
Në një klimë të një bashkësie të hareshme kishtare, së bashku me një ekuilibër të mistershëm lutjesh, heshtjesh, këngësh dhe gjestesh simbolike liturgjike, thurnin në një sinfoni të vetme temën e aleancës martesore mes Krishtit dhe motër Ardianës, dhurimin e plotë ndaj Hyjit në Institutin e Kishës.
Motrat e Kongregatës


AXHORNIMI DIOQEZAN NË FSHATIN E PAQES

Më 10 shtator 2011, pas dreke, u mbajti në Dioqezën tonë në Fshatin e Paqes azhornimi dioqezan, për të cilin ishin të ftuar Meshtarët, Rregulltarët dhe Rregulltare ( d.m.th. për motrat e angazhuara më shumë në punën baritore).
Takimi formues u realizua nga ora 15.00 deri 20.30.
Atë Aurel Gjerkaj OFM trajtoi argumentet juridike, veçanërisht mbi familjen, duke folur për rëndësinë e formimit në përgatitjen e çifteve për martesat, për rëndësinë e formularëve, për procesin martesor, si dhe për martesën si Sakrament. Atë Aureli e mbajti këtë kumtesë edhe me një powerpoint. Pas kumtesës vazhduam me pyetje e përgjigje së bashku në Asamble.
Më pas foli Imzot Angelo Massafra, i cili kujtoi dhe dha disa udhëzime baritore, duke përmendur disa problematika. Takimi parashikonte Meshën e Shenjtë dhe darkën së bashku.


LAJME NGA DIOQEZA E SAPËSTAKIMI I RINISË BOTËRORE - MADRID 2011

Nga data 15-21 gusht 2011, në kryeqytetin e Spanjës në Madrid u kremtua Dita e XXVI Botërore e Rinisë. Të bashkuar me të rinjtë e mbarë botës, morën pjesë edhe 400 të rinjë nga Shqipëria. Grupi zyrtar i Shqipërisë prej 35 personave përfaqësues nga Dioqeza e Sapës, Lezhës dhe Rrëshenit janë shoqëruar nga Ipeshkëvinjtë e dioqezave Shkodër, Lezhë dhe Rrëshen. Ndërsa pjesa tjetër e të rinjve shqiptarë kanë qenë të organizuar në grupe të ndryshme të shoqëruar nga motrat dhe meshtarët dhe kanë udhëtuar me autobuza. Ka qenë një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e të rinjve ku sipas gazetave spanjolle rezulton të kenë marrë pjesë mbi 2 milionë të rinjë nga e gjithë bota, përfaqësues nga 190 Shtete. Madridi që gjatë këtyre ditëve ka qenë jo vetëm kryeqyteti i Spanjës por edhe kryeqyteti i të rinjve, ishte i mbipopulluar, saqë edhe transportet publike, kryesisht metrotë kanë pasë një lëvizje deri në 200% nga kapaciteti i zakonshëm. Organizimi i këtij evenimenti botëror ka qenë i mrekullueshëm dhe secila veprimtari ka patur të veçantën e saj. Grupi shqiptar është bashkuar me grupin e Breshias dhe të Gjenovas, ku kanë marrë pjesë në katekezat e mbajtura nga Ipeshkvi i Lezhës, Ipeshkvi i Breshias dhe i Cremas. Katekezat kanë qenë të mbështetura kryesisht në mesazhin e Atit të Shenjtë drejtuar të rinjve me temë “Të rrënjosur në Krishtin, të fortë në fe”. E nëpërmjet këtij mesazhi Ati i Shenjtë na fton që të jemi protagonistë të kësaj epoke misionare. Jemi të thirrur për t'u shprehur mbi besimin tonë dhe për të dëshmuar veprimin e Krishtit në jetën tonë. Ndërsa gëzimi i festës së të rinjve ka vazhduar si në Meshën e hapjes së Ditës Botërore me 17 gusht kryesuar nga Kardinal Ruocho Maria Varela ashtu edhe në pritjen e Papës me 18 gusht në Piacen Cibeles, një moment shumë emocionues ka qenë edhe kremtimi i Udhës së Kryqit në piacën Kolona të Madridit, ku për herë të parë në historinë e Kishës në një Udhë Kryqi të udhëhequr nga Papa, grupi shqiptar bartë kryqin në stacionin e tetë. Ky moment ka prekur shumë zemrat e të rinjve shqiptarë. Një përqafim i mbarë rinisë botërore me zëvendësin e Krishtit, me Atin e Shenjtë ka qenë në aeroportin “Kuatro Vientos” në Vigjiljen e së shtunes, datë 20 gusht. Në fillim të Vigjiljes edhe pse koha nuk favorizoi shumë ngaqë filloi të binte shi, por edhe kushtet që ishin nën qiellin e hapur, të rinjtë tanë të rrënjosur në Krishtin e të fortë në fe rezistuan pa asnjë hezitim duke qëndruar në heshtje të plotë në momentin kulminant në adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament. Kulmi i festës së madhe rinore arriti në kremtimin Eukaristik të së Dieles së 21 gushtit, që shënoi dhe mbylljen e gjithë kremtimeve kushtuar Ditës Botërore të Rinisë. Ndërkohë u shpall edhe Dita Botërore e XXVII kushtuar të rinjve që do të mbahet në Rio De Zhanero të Brazilit në vitin 2013.
E gjithë kjo veprimtari ka qenë një përvoje e mrekullueshme për të rinjtë pjesëmarrësë ku do kujtohet gjatë në mendjet dhe zemrat e të rinjve, dhe nga ky vend morëm mesazhin që të jemi dëshmitarë të Krishtit dhe ta dëshmojmë kudo që të jemi.

MISIONI VEROR 2011

Siç është bërë traditë, Dioqeza e Sapës, çdo vit organizon misionin veror në zonat e thella malore, si Pukë, Fushë-Arrës dhe Tropojë. Edhe këtë vit gjatë muajit korrik, 12 grupe misionare janë shpërndarë në këto zona për të kryer shërbimin baritor sipas porosisë së Ipeshkvit të kësaj grigje Imzot Lucjan Avgustinit. E veçanta ishte se bashkë me këto grupe, gjatë gjithë muajit ka qenë i pranishëm edhe Ipeshkvi, i cili zgjodhi zonat më të largëta, siç është ajo në Lekbibaj të Tropojës. Por cilat janë përshtypjet dhe ndjesitë që na kanë dhënë gjatë kësaj periudhe të zhvillimit të misionit? Siç e theksuam dhe më sipër, zona e Lekbibajve, ose siç njihet ndryshe zona e Nikaj – Merturit, janë zona më e largët dhe kanë qenë më të pakatekizuarat gjatë viteve të fundit, për shkak të mungesës së meshtarëve. Na ka mahnitur gatishmëria dhe zemërgjerësia e këtyre banorëve, që na kanë pritur mirë neve misionarë. Pasi që i kemi lajmëruar dhe vënë në dijeni se kemi ardhur për të zhvilluar katekizmin që të pajisen me Sakramentet e nevojshme, gjë të cilën shumica e besimtarëve nuk i kishin, ato i janë përgjigjur ftesës së misionarëve menjëherë dhe me zemër të hapur. Kështu, që besimtarët e shumë fshatrave të Nikaj-Merturit si një ditë për ditë me gëzim, mirënjohje dhe falenderim ndaj Zotit, merrnin pjesë në takimet e caktuara të katekizmint dhe pregatitjes mbi fenë deri në momentin kur Ipeshkvi iu ka shpërndarë sakramentet e shenjta të kishës. E gjithë kjo të lë përshtypje të thellë se si Zoti e ruan dhe e rritë të mirën në zemrën e njerëzve edhe pse mungon gjatë gjithë vitit prania e të meshtarëve.
Përveç kësaj, Imzot Lucjani ka zhvilluar një vizitë tre-ditore edhe në mrekullitë e fshehura të Alpeve të Shqipërisë, në Curraj Epër të Nikaj-Merturit, fshati më i thellë malor dhe më i braktisuri nga banorët, ku duhen 8 orë të shkosh në këmbë, për të arritur në këtë vend. Imzot Lucjan është i pari dhe i vetmi Ipeshkëv që ka shkelur në Curraj Epër, i cili njihet si vendi më i mrekullueshëm natyror, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj. Por duke parë kushtet shumë të vështira të jetesës, sidomos për shkak të largësisë, fatkeqësisht tashmë kanë mbetur 3 familje nga 300 që ishin para disa viteve. Edhe këto tre familje jetojnë vetëm në periudhën e verës. Është për të të ardhur keq, që pikërisht këto Alpe të Shqipërisë, ku shumë kush do të dëshironte të bënte një vizitë këtyre vendeve të mrekullueshme të natyrës shqiptare, po bëhet viktimë e braktisjes dhe mosdëshirimit nga ana e banorëve.
Violeta Marashi







All the contents on this site are copyrighted ©.