2011-11-03 14:53:07

Papa kujton kardinajtë që ndërruan jetë gjatë këtij viti: dashuria e Zotit është më e madhe se humnera e vdekjes


Kryqi i Krishtit shëlboi njeriun dhe natyrën, duke treguar se dashuria e Zotit për krijesat e tij është më e madhe se humnera e vdekjes. Ky qe mendimi kryesor i Papës Benediktit XVI, i cili sot paradite, kremtoi një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit, për shpirtin e dhjetë kardinajve, që ndërruan jetë gjatë këtij viti. I kujtoi me emër, duke ia besuar Zotit shpirtërat e tyre:
“Për të gjithë e për secilin, lutemi, të frymëzuar nga feja në jetën e pasosur e në misterin e bashkimit të shenjtorëve”.
Një ditë pasi Kisha Katolike përkujtoi besimtarët e vdekur, të cilëve u kushtohet krejt muaji nëntor, Ati i Shenjtë vazhdoi reflektimin e tij për domethënien e vdekjes për të krishterin, reflektim, që e filloi dje, gjatë audiencës së përgjithshme. Para vdekjes, nënvizoi Benedikti XVI, nuk mund të mos provojmë ndjenja e mendime, që na diktohen nga kushtet tona njerëzore. Por shpresat e të krishterit bazohen në Krishtin, në ato tri ditë, në të cilat Ai e mundi vdekjen, duke premtuar shëlbimin për gjithë njerëzimin. E duke komentuar leximet e Liturgjisë së sotme, Papa theksoi:
“Humnera e vdekjes mbushet nga diçka edhe më e madhe, që është dashuria e Zotit, kështu që vdekja nuk ka më asnjë pushtet as mbi Jezu Krishtin, as mbi ata, që për hir të fesë e të pagëzimit, bashkohen me Të: “Nëse kemi vdekur me Krishtin – thotë Shën Pali – besojmë edhe se do të jetojmë me Të”.
Kjo shpresë e jetës pas vdekjes, vazhdoi Ati i Shenjtë, bëhet siguri vetëm në Krishtin. Është Ai që i jep kuptim e bazë të vërtetë, asaj, që përshkruan edhe Ozea profet në liturgjinë e sotme, e që rrezikon të shndërrohet në iluzion, në një simbol, që vjen nga ritmi i sezoneve, nga kalimi prej shiut të vjeshtës në atë të pranverës. Në kohën e profetit, shpjegoi Papa, feja e izraelitëve rrezikonte të ndikohej nga fetë natyraliste të tokës së Kanaanit, por këto lloj fesh nuk janë në gjendje të shpëtojnë askënd. Ndërsa, ndërhyrja e Zotit në historinë e njerëzimit nuk u bindet cikleve të natyrës, por vetëm besnikërisë e dashurisë së Tij për botën. Kjo jetë e re ka vërtet simbol pemën, ashtu si në librin e Ozesë, por për të krishterët, ky dru, që jep fryte, është Kryqi:
“Pa Kryqin e Krishtit, e gjithë energjia e natyrës mbetet e pafuqishme para forcës negative të mëkatit. Ishte e nevojshme një forcë mirëbërëse më e madhe se ajo që ndryshon ciklet e natyrës, një e Mirë më e madhe se vetë krijimi: një Dashuri, që del nga “zemra” e vetë Zotit e që, ndërsa zbulon kuptimin e fundmë të Gjithësisë, e ripërtërin dhe e orienton kah horizonti i saj fillestar e i fundmë”.
Këtë bëri Zoti, në ato tri ditë që ndajnë vdekjen e Jezusit nga Ringjallja e Tij e, mbi të cilat, bazohen dymijë vjet krishterim, përfundoi Papa Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.