2011-11-03 17:05:31

Në Kanë takimi i G20-ës. Marrëveshje për taksë mbi transaksionet financiare


Filloi sot në Kanë të Francës mbledhja dyditore e G20-ës, e cila u parapri nga Takimi i emergjencës për përballimin e krizës ekonomike. Në qendër të diskutimeve të Francës, Gjermanisë, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian ishte Greqia dhe gjendja e saj, pas vendimit të kryeministrit Papandreu për të mbajtur një referendum mbi masat ekonomike të marra, për të përfituar nga ndihmat ndërkombëtare. Pas presionit ndërkombëtar, Greqia vendosi të heqë dorë nga konsultimi popullor për planin e shpëtimit të vendit nga falimentimi.
Kjo është atmosfera, në të cilën u hap Takimi i 20 të mëdhenjve të botës, në të cilin ushtrohet presion edhe mbi Italinë. Vetëm mbrëmë vonë, nga mbledhja e qeverisë së Romës, doli një maksiamendament për ligjin e stabilitetit, i cili shkakton diskutime e debate. Sot paradite, presidenti amerikan Barak Obama u takua me homologun francez Nikolas Sarkozì e me kancelaren gjermane Angela Merkel, së cilës i njohu rolin e liderit në Evropë. E kush është në kërkim të lajmit bombë, të paktën një është bërë i njohur: Franca dhe Amerika kanë rënë dakord mbi vendosjen e një takse për transaksionet financiare. Opinioni i pedagogut të ekonomisë politike në Universitetin Katolik të Milanos, prof. Anxhelo Baljoni:
Jemi në një fazë dramatike, në të cilën shpërbërja e zonës së euros mund të sjellë zhvlerësimin e fuqishëm të veprimtarive financiare të aktorëve të tjerë botërorë, përveç Greqisë, si bankat ndërkombëtare, bankat qendrore. Deri tani, krijimi i euros bazohej mbi faktin se askush nuk mund të dilte nga eurozona. Nëse një vend i zhytur në borxhe, si Greqia, do të dilte, kjo mund të krijojë përshtypjen se në një fazë të mëvonshme, edhe vende të tjera me borxhe të mëdha, si Italia, Spanja, Portugalia, mund të dalin nga euro. Është një perspektivë shumë negative, hap i madh mbrapa për Evropën.







All the contents on this site are copyrighted ©.