2011-11-03 10:53:45

Kardinali Toran: besimtarë e jo besimtarë, të bashkuar në impenjimin për paqe e drejtësi.


Në takimin e Asizit u ndje fort edhe prania e kardinalit Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, i cili foli disa herë edhe në mikrofonin tonë. Pas përfundimit të takimit të madh të Asizit, kardinali Toran, thekson posaçërisht frymën e impenjimit për paqe:
Përgjigje: - Gjatë kësaj dite, kujtova ç’ka shkruar Gjon Pali II në letrën e tij “Novo millennio ineunte”, sidomos atë pjesë, ku thoshte se emri i të vetmit Zot, duhet të bëhet gjithnjë më shumë emër i paqes, imperativ i paqes. Më duket se të gjithë ata, që ishin në Asizi, e kuptuan domosdoshmërinë e paqes. E ishte shumë prekëse, duke folur njëri me tjetrin, të zbuloje se në fund të fundit kemi vlera themelore të përbashkëta, si nderimi i thellë për Zotin e për hirin hyjnor, dëshira për Zotin e për çdo gjë hyjnore, respekti për jetën, vetëdija për dinjitetin e familjes, e edhe dëshira e pakufishme për paqen. E kjo dëshirë vërehej posaçërisht në shpirtin e të rinjve: paqe me Zotin – me Absolutin – e paqe ndërmjet njerëzve. Ishte e perceptueshme edhe dëshira, gati e njëzëshme, për t’u impenjuar, për të bashkëpunuar në shërbim të drejtësisë, të lirisë e të paqes si dhe në mbrojtje të burimeve natyrore. Prej këndej, besimtarët kanë të përbashkët strategjinë, që promovon pedagogjinë e takimit e të nderimit për larmitë fetare të secilit, si dhe një armë të përbashkët, që është lutja për paqen. Jemi, pastaj, edhe para risisë së këtij Takimi të Asizit: pranisë së anjostikëve, njerëzve që nuk pohojnë se Zoti nuk ekziston, por që nuk e kanë gjetur akoma. Prania e tyre, me luftën shpirtërore për të gjetur Zotin, është ftesë drejtuar besimtarëve për ta pastruar fenë e tyre, në mënyrë që, përmes një jete koherente, kush kërkon Zotin, të mund ta gjejë fytyrën e Tij në jetën e në shembullin e besimtarëve. Unë kujtoj vazhdimisht këtë frazë të Papës, shqiptuar më 1 janarin e kaluar, duke folur për Ditën e Asizit: “Kush ecën kah Zoti, nuk mund të mos transmetojë paqe; kush ndërton paqen, nuk mund të mos i afrohet Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.