2011-11-02 18:30:35

Përmbytje në Tajlandë, rritet bilanci i viktimave. Rrezik epidemie në Bangkok


Tajlanda në gjunjë nga përmbytjet, të cilat, deri tani, kanë shkaktuar 427 viktima. Shumica e lagjeve të kryeqytetit Bangkok është nën ujë, ndërsa pritet një përmbytje e re nga mesi i nëntorit. Gjendja është e tillë, sa mund të përhapen epidemi e sëmundje. Njerëzit protestojnë kundër politikës së qeverisë, siç dëshmon meshtari Fidei Donum, don Atilio Batisti, me mision në Tajlandë:
Aktualisht, gjendja po ndërlikohet më shumë, sepse edhe tajlandezët, të njohur për durimin e tyre, kanë arritur në pikën e fundit… Ky është një “tsunami i ngadaltë” e po shkakton më shumë dëme, se tsunami në Japoni. Në Bangkok po grumbullohet krejt uji i këtyre muajve me shi të rrëmbyeshëm e duhet të kemi parasysh edhe dy monsonet, që shkatërruan gjithë zonën qendrore të verilindjes së Tajlandës. Gjendja është vërtet e rëndë: mungon ushqimi dhe uji i pijshëm, drita është prerë për të shmangur rreziqe më të mëdha… Problemi kryesor është mbrojtja e zonave të industrializuara dhe shpëtimi i atyre turistike. Deri para pak ditësh, uji nuk arrinte të thithej nga kanalet për shkak të baticës, një koincidencë kjo, që shkaktoi grumbullimin e ujit kudo, duke shkatërruar gjithçka, edhe digat. Flitet për një metër ujë e, në disa zona, edhe për dy metra.







All the contents on this site are copyrighted ©.