2 nëntori është pra një ditë përkujtimi që na nxit të reflektojmë thellë e sidomos,
na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga vijmë
e ku shkojmë? Ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja? Vdekja sot është bërë fjala
më e padëshirueshme, është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet menduar.
Njeriu i sotëm nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet të krijojë mitin
e shëndetit e të formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme, që e përjashton
plakjen e vdekjen. Ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen njeriut që i afrohet
cakut të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet për këtë shtegtim të
mbram, tepër të vështirë, drejt amshimit. Njeriu i sotëm rrallë herë vdes në shtëpi
të vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiset ndër strukturat
shëndetësore, në vetmi të plotë! Vdekja bëhet gjithnjë më anonime, formë e shpersonalizimit
të njeriut që ka jetuar e ka vdekur. Tepër aktuale lutja-poetike e poetit të famshëm
gjerman, Rilke: Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet, vdekjen që nga jeta lulëzoi; nga
jeta në të cilën çdo njeri, gëzimin e vuajtjen provoi. Por ka edhe më: është
edhe vdekja sipas dëshirës, pasojë e kulturës së vdekjes e cila vijon të përhapet
për shkak të jetës së papërgjegjshme, që i kundërvihet vetë jetës, në të cilën mbretëron
droga, shpejtësia e çmendur, netët me dehje ndër diskoteka…Vjen pastaj vdekja e dëshpëruar
e njeriut që jeton pa shpresë. Vetëm vdekja e krishterë përshkohet nga vetëdija e
kalimit në jetën e pasosur, është plot me shpresën e njeriut që e lëshon plotësisht
e përfundimisht veten në duart e Atit Hyjnor, i sigurt se do të ringjallet.