2011-11-02 17:09:03

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: pas vdekjes nuk është asgjëja, por dashuria e Zotit.


“Të kujtosh të vdekurit e dashur, është njëlloj si të bësh një shtegtim në amshim”. Në ditën, kur Kisha përkujton besimtarët e vdekur, Benedikti XVI ia kushtoi pikërisht kësaj teme, katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan.
Pasi kremtuam dje Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve - kujtoi në fillim të katekizmit Ati i Shenjtë – Kisha na fton sot të kujtojmë gjithë besimtarët e vdekur, gjithë fytyrat e atyre, që na paraprinë e që e përfunduan shtegtimin mbi këtë tokë. Pastaj Benedikti XVI reflektoi mbi realitetin e vdekjes e cila, për ne, të krishterët, ndriçohet nga Ngjallja e Krishtit, prej nga buron besimi i patundur në jetën e pasosur.RealAudioMP3
Ashtu si në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, edhe në audiencën e sotme, Papa kujtoi se këto ditë të gjallët shkojnë në varreza, për të vizituar njerëzit e dashur, që na lanë, për t’u shprehur edhe një herë dashurinë, afërsinë, mallin e pashuar. Kujtojnë, kështu, një nga shprehjet e Besojmës, atë të shoqërisë së shenjtorëve, duke e ndjerë fort lidhjen e ngushtë ndërmjet të gjallëve, që vijojnë shtegtimin mbi tokë, e atyre, që tashmë gëzojnë amshimin.
Njeriu shqetësohet gjithnjë për fatin e të dashurve të vdekur e përpiqet t’u japë një jetë të dytë përmes kujtimit, kujdesit, dashurisë. E, paradoksalisht, mënyrën si jetuan të vdekurit, si deshën, si dreshtën, si shpresuan e si përbuzën, ne, të gjallët, e zbulojmë pikërisht nga varret, para të cilave kalojmë nga kjo botë, në botën e kujtimeve. Varret janë gati-gati pasqyrë e botës së të vdekurve.

E në sa meditojmë para varreve, nuk mund të mos i bëjmë vetes pyetjen: “Pse na tremb kaq shumë vdekja?”. “Pse njerëzimi nuk ka pushuar kurrë së besuari se duhet të ketë diçka përtej vdekjes?”. Na tremb, nga që nuk duam ta pranojmë se njeriu mund të përfundojë në asgjë, në hiç. Prandaj kemi frikë nga vdekja: është frika nga asgjëja, nga nisja në një drejtim të panjohur, ku nuk e dimë ç’na pret:
“Prandaj kemi ndjesinë e mospranimit të vdekjes, prandaj nuk e duam e nuk mund të pranojmë se gjithçka e bukur dhe e madhe, e realizuar gjatë tërë jetës, mund të zhbëhet përnjëherësh, të bjerë në greminën e hiçit. Në mënyrë të posaçme kur dashurojmë, zemra e kërkon me etje amshimin, mbasi nuk është e mundur që vdekja ta shkatërrojë dashurinë në një çast të vetëm”.
Kemi frikë nga vdekja edhe pse, kur na afrohet fundi i jetës, nuk mund të mos mendojmë se do të gjykohemi për veprat e bëra gjatë gjithë jetës, posaçërisht, për ato që na rëndojnë mbi ndërgjegje. Mendoj se kujdesi i njeriut të të gjitha kohëve për të vdekurit, vëmendja për ata, që ishin tejet të rëndësishëm sa qenë gjallë, por që nuk i kemi më pranë në shtegtimin tonë mbi tokë, buron pikërisht nga mendimi i gjyqit të mbramë.
“Në një farë mënyre gjestet e dashurisë, me të cilat rrethohen të vdekurit, janë përpjekje për t’i mbrojtur, me bindjen se këto gjeste nuk do të mbeten pa ndikuar mbi gjykimin e mbramë. E këtë sjellje e vërejmë pothuajse në të gjitha kulturat e historisë njerëzore”.
Sot bota, së paku në dukje, është bërë më e arsyeshme, ose, më mirë të themi, është përhapur prirja për të menduar se çdo realitet duhet përballuar me kriteret e shkencës eksperimentale e se edhe pyetjeve, që lindin nga vdekja, duhet t’u përgjigjemi jo aq me fenë, sesa me njohuritë e eksperimentueshme, empirike:
“Nuk vihet re fare se duke ecur në këtë udhë, njeriu modern bie në format e spiritizmit, në përpjekjen për t’u lidhur me botën e përtej vdekjes, gati-gati duke e përfytyruar realitetin e përtejmë, si kopje të këtij, në të cilin jetojmë”.
Por vizita në një varrezë, çasti kur sodisim fotografinë e njeriut të dashur, që nuk është më, na bën të zhytemi në një përmasë tjetër, në atë të kujtimeve. E, papritmas jetojmë një realitet, të cilin s’ka shkencë në botë që mund ta shpjegojë. Varret – theksoi Benedikti XVI - hapin në shpirt një shteg, ku arsyeja nuk mund të shkelë. Po pse ndodh kështu?
“Sepse, ndonëse vdekja është shpesh temë gati e ndaluar në shoqërinë tonë, e edhe më shpesh njeriu i sotëm mundohet ta shlyejë nga kujtesa mendimin e vdekjes, ajo vjen për secilin nga ne. Vjen për njeriun e të gjitha kohëve, të të gjitha hapësirave. E përballë këtij misteri, të gjithë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, kërkojmë një dritë, një shpresë, një shenjë që të na ngushëllojë e të na hapë horizonte të reja, të na sigurojë se nuk jemi fare pa të ardhme. Udha e vdekjes është udhë shprese. Duke vizituar varrezat tona, në sa lexojmë epitafet mbi rrasa, ne ecim pikërisht në udhën e amshimit”.
Ja pra, sqaroi Papa, e vërteta që Kisha jeton e dëshmon, duke kremtuar Shenjtorët e duke përkujtuar të vdekurit, në hullinë e ngjalljes së Krishtit, që i hapi njeriut portën e amshimit:
“Vetëm kush mund të dallojë shpresën e madhe në vdekje, mund edhe ta jetojë jetën, duke u nisur nga shpresa. Në se e kufizojmë njeriun vetëm në përmasën horizontale, në atë që mund të perceptohet empirikisht, vetë jeta e humbet fare kuptimin e saj më të thellë. Njeriu ka nevojë për amshimin. Çdo shpresë tjetër, për të është tepër e shkurtër, tepër e kufizuar. Njeriu mund ta gjejë kuptimin e vet më të thellë, vetëm kur beson se ka Zot”.
“Në sa shkojmë në varreza, ku lutemi me dashuri për të vdekurit tanë të paharruar, ta përforcojmë me guxim besimin në jetën e pasosur, madje të jetojmë me këtë shpresë të madhe e t’ia dëshmojmë me forcë botës!”. Kjo ishte porosia e Benediktit XVI i cili, në përfundim të katekizmit, theksoi:
“Pas së tashmes nuk vjen asgjëja. E është pikërisht besimi në jetën e pasosur ai, që i jep krishterimit guximin ta dojë edhe më fort këtë tokë e të punojë për të ndërtuar ardhmërinë, që të japë kështu, një shpresë të vërtetë e të sigurtë”.

Pas përmbledhjes së katekizimit në gjuhët kryesore të botës, Papa ia besoi të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, ipeshkvit të dikurshëm të Milanos, Shën Karl Borromeos, të cilin Kisha do ta kujtojë pasnesër. “Qe mësues e prijës i palodhur i vëllezërve”, kujtoi Benedikti XVI.
Në përfundim, urimet:
Shembulli i tij ju ndimoftë ju, të dashur të rinj, ta lëshoni veten në dorë të Krishtit, që t’ju prijë Ai në rrugët e drejta, ku mund të shkelni pa frikë;
ju dhëntë guxim ju, të dashur të sëmurë, t’ia ofroni vuajtjen tuaj barinjve të Kishës, për shpëtimin e shpirtrave;
ju ndihmoftë ju, të dashur bashkëshortë të rinj, t’i shërbeni bujarisht jetës!







All the contents on this site are copyrighted ©.