2011-11-02 10:53:34

Benedikti XVI na fton ta shohim vdekjen në dritën e dashurisë së amshuar të Zotit, pa besëtytni.


Sot më shumë se kurrë duhet ungjillëzuar vdekja, e cila është kaq tepër subjekt i besëtytnive, në mënyrë që ajo të përjetohet në dritën e Krishtit të Ngjallur e të dashurisë së amshuar të Zotit. Kështu pat pohuar Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 2 nëntor 2008, në ditën e përkujtimit të të gjithë besimtarëve të kaluar në amshim.
Jeta e njeriut bashkon dy mistere: vdekjen në vetvete dhe ringjalljen në Ngjalljen e Krishtit. Ati i Shenjtë Ratcinger na këshillon ta jetojmë dhimbjen për të dashurit, që ndahen me këtë botë, përmes të vërtetave të fesë, duke e parë vdekjen dhe jetën e përtejme në dritën e Zbulesës Hyjnore:
“Edhe Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para, i këshillonte besimtarët “të mos jenë të trishtuar si të tjerët që nuk kanë shpresë”. “Nëse në fakt – shkruante ai – besojmë se Jezusi ka vdekur dhe është ngjallur, ashtu edhe Zoti, përmes Jezusit, do të mbledhë rreth vetes të gjithë ata që kanë vdekur”. Është e nevojshme edhe sot të ungjillëzohet vdekja dhe jeta e pasosur, realitete që janë shpesh subjekt i besëtytnive dhe sinkretizmit, që e vërteta e krishterë të mos rrezikojë të përzihet me mitologji te ndryshme”.
Papa, në vazhdën e Enciklikës mbi shpresën e krishterë, pyeti nëse burrat e gratë e kësaj epoke e dëshirojnë akoma jetën e amshuar, apo nëse ekzistenca e tyre tokësore është bërë “i vetmi horizont”:
“Në të vërtetë, siç vërente shën Agostini, të gjithë e duam “jetën e lume”, lumturinë. Nuk e dimë mirë se çfarë është e si është, por ajo na tërheq. Kjo është shpresa universale, e përbashkët për njerëzit e të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve. Shprehja “jetë e amshuar” dëshiron t’i japë një emër kësaj pritjeje, që ndihet si domosdoshmëri: nuk është një zëvendësim pa fund, por zhytja në oqeanin e dashurisë së pafundme, në të cilën koha, para dhe mbrapa nuk ekzistojnë më. Plotësimin e jetës e të gëzimit: këtë shpresojmë dhe presim nga qenia jonë me Krishtin”.
Pikërisht sot, nënvizoi më pas Papa, ripërtërijmë shpresën në jetën e amshuar, të bazuar me të vërtetë në vdekjen e ngjalljen e Krishtit:
“U ngjalla dhe tani jam gjithnjë me ty”, na thotë Zoti, “e dora ime të mban. Kudo që të biesh, do të biesh ndër duart e mia e do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes. Aty ku askush nuk mund të të shoqërojë e aty ku ti nuk mund të marrësh me vete asgjë, aty unë do të të pres për të shndërruar errësirën në dritë”.
Shpresa e krishterë, theksoi Benedikti XVI, nuk është kurrë individuale, është gjithnjë edhe shpresë për të tjerët. Me të vërtetë, jeta e secilit prej nesh është thellësisht e lidhur me atë të të tjerëve, në të mirë e në të keq. Ajo që bën një person prek gjithnjë edhe të tjerët:
Kështu lutja e një shpirti shtegtar në botë mund të ndihmojë një shpirt që po pastrohet pas vdekjes. Ja përse sot Kisha na fton të lutemi për të dashurit tanë të vdekur e t’u bëjmë një vizitë në varreza. Shën Maria, yll i shpresës, le ta bëjë më të fortë e më të vërtetë besimin tonë në jetën e amshuar e ta mbështesë lutjen tonë për shëlbimin e vëllezërve të vdekur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.