2011-11-01 14:30:45

Benedikti XVI, në Engjëllin e Tënzot: Kisha nuk duhet shikuar në aspektin njerëzor, por si bashkësi e Shenjtorëve.


“Shenjtëria është prirje e zanafillës për çdo të pagëzuar”: këtë theksoi Papa në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, duke kujtuar udhët e ndryshme, që mund e duhen përshkuar, për të arritur tek shenjtëria. Më pas, mendimi për ditën e nesërme, kushtuar të vdekurve, ‘dhimbjes për largimin nga kjo botë” e ‘sigurisë së ringjalljes”.RealAudioMP3
Papa i ftoi gjithë të krishterët t’i shkëpusin për disa çaste sytë nga punët e pafundme të kësaj bote, për t’i lartuar kah përmasa e Hyjit, përmasë amshimi e shenjtërie. Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve – shpjegoi Papa – është rasti më i mirë për këtë lartim. Të gjithë anëtarët e popullit të Zotit, janë të thirrur të bëhen shenjtorë – nënvizoi Benedikti XVI - e në vijim shpjegoi pse përdoret epiteti ‘shenjte', kur flasim për Kishën. Në Besojmë – vijoi Papa – e shpallim ‘shenjte’, sepse është Korpi i Krishtit, mjet i pjesëmarrjes në Misteret e shenjta; në radhë të parë, në Eukaristi, e edhe pse është familja e shenjtorëve, mbrojtjes e ndërmjetësimit të të cilëve i besohemi në ditën e pagëzimit. Prandaj Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë ta shikojnë Kishën në këtë perspektivë:
Ftohemi, pra, ta shikojmë Kishën jo në aspektin e saj të brishtë, kalimtar e njerëzor, por ashtu si e deshi Krishti, si bashkësi shenjtorësh”.
E udhët e shenjtërisë janë të pafundme - pohoi Benedikti XVI – duke shpjeguar, në vijim, ç’i bashkon gjithë këto rrugë në një të vetme: “ndjekja e Krishtit, përpjekja për t’u bërë një gjë e vetme me Të, parë si cak i fundmë i jetës sonë njerëzore”:
“Të gjitha udhët e jetës, me hirin hyjnor, por edhe me impenjimin e këmbënguljen e secilit, mund të bëhen udhë të shenjtërimit”.
Papa shpjegoi se pikërisht në horizontin e Kishës qiellore, të cilin na e kujton Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve, jemi të thirrur t’i kujtojmë, në ditën e të vdekurve, të dashurit tanë, që na lanë, dhe të gjithë shpirtërat për udhë kah amshimi. E nuk është aspak e rastit që kjo ditë vjen menjëherë pas Solemnitetit të Shenjtorëve. Që nga kohët e para të fesë së krishterë – shpjegoi Papa – kisha tokësore, duke pranuar bashkimin e gjithë korpit mistik të Jezu Krishtit, u kujdes me përkushtim të madh për shpirtrat e të vdekurve, i kujtoi duke bërë vepra dashurie e mëshire, u lut të pushojnë në paqe, nën rrezet e dritës së pambaruar:
“Lutja jonë për të vdekurit është e dobishme edhe e nevojshme, sepse vetëm ajo mund t’i ndihmojë, e njëkohësisht mund ta bëjë të frytshëm edhe ndërmjetësimin e tyre për ne”.
Benedikti XVI kujtoi varrezat e panumërta, përhapur në mbarë botën, e edhe të gjallët, që nisen nesër e gjatë gjithë nëntorit, muaj kushtuar të vdekurve, drejt varreve të të dashurve, me lule e qirinj:
“Edhe vizita në varreza, ndërsa ruan lidhjet e dashurisë me atë, që na deshi mbi këtë tokë, na kujton se të gjithë jemi nisur kah një jetë tjetër, përtej vdekjes”.
Por Papa kujtoi edhe se në këto vizita të përshpirtshme, nuk mungon dhimbja, as loti, sepse nuk është gjë e lehtë ta humbësh nga sytë njeriun, të cilin e deshe me gjithë zemër. Prandaj – porositi Papa:
“Vaji, që buron nga shkëputja prej kësaj toke, nuk duhet ta vagëllojë sigurinë e ringjalljes, shpresën se edhe ne, që sot vajtojmë, do të arrijmë një ditë në lumturinë e amshimit, 'çast në të cilin na merr ngrykë tërësia e ne përqafojmë tërësinë”.
Pas lutjes mariane, Benedikti XVI përshëndeti besimtarët në shumë gjuhë, duke nisur nga frëngjishtja, me ftesën për t’ua vënë mirë veshin Lumturive, me të cilat Jezusi na mëson të ecim në udhën e shenjtërisë;
në anglisht, e quajti të mrekullueshme festën e Shenjtorëve, duke pohuar, më pas, se edhe dita kushtuar të vdekurve, na flet për bukurinë e fesë sonë e për gëzimin që na pret në qiell, së bashku me gjithë të dashurit;
në gjermanisht, përshëndetja e posaçme drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës Ndërkombëtare Kolping, me theksimin se shenjtorët janë Ungjill i gjallë;
në spanjisht, ftesa për të kundruar dashurinë e pafundme të Zotit;
në polonisht, mendimi i gëzueshëm për të gjithë ata, që Zoti i ka pranuar tashmë në Lavdinë e Tij, për të lumët, që gëzojnë jetën e pamort, që e shikojnë Zotin, ashtu siç është;
në italisht, përshëndetja drejtuar atyre që morën pjesë në ‘Vrapimin e Shenjtorëve”:
“Një përshëndetje të përzemërt u drejtoj atyre, që morën pjesë sot paradite në ‘Vrapimin e Shenjtorëve’, organizuar nga Fondacioni “Don Bosko në botë”. Shën Pali do të thoshte se e gjithë jeta është vrapim kah shenjtëria: ju na dhatë një shembull të mirë! Të gjithëve ju uroj: Gëzuar festën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.