2011-10-29 15:07:01

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.
Tema kryesore që trajtohen nga leximeve biblike të kësaj është autenticiteti i jetës, posaçërisht i jetës së atyre që kanë përgjegjësinë dhe autoritetin në bashkësitë fetare e shoqërore. Toni e stili profetik i Jezusin në pjesën ungjillore të kësaj së diele janë kundër sjellje së hipokrizisë, të sjelljes së pandershme, të padrejtë. Jezusi padit hipokrizinë. Autenticiteti i krishterë nuk është, pra nuk qëndron në ritualizmin formal, në fjalët që fshehin apo mashtrojnë, po në marrjen serioze të besnikërisë ndaj urdhrit të dashurisë të cilin Krishti e ka vënë si themel të jetës.
Thirrja humanizuese që Jezusi i drejton atij që dëshiron e do ta ndjek pas është thirrje për të marr mbi vete përgjegjësitë tona në mënyrë besnike, koherente.
Qortimi që Jezusi bënë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele (Mt 23,1-12), është kundër rrezikut të hipokrizisë: drejtësia dhe mëshira para syve të Zotit janë më të rëndësishme se zbatimi formal e i jashtëm i Ligjit. Sjellja hipokrite bëhet lehtë gënjeshtër ndaj vetvetes sonë e mashtrim ndaj tjerëve, prandaj ajo përjashtohet krejtësisht nga përvoja e vërtetë e fesë, e nuk mund të jetë dukuri e njeriut që beson në Zotin e aq më pak e atij që ka autoritetin e udhëheqjes e të shërbimit në bashkësi. Pra tërheqja e vëmendjes dhe qortimi që bënë Jezusi për t’u ruajtur e pasur kujdes para mungesës së koherencës në jetë është në qendër të Ungjillit të kësaj së diele.
Dashuria, bindja apo dëgjesa dhe respekti duhet të përbëjnë thelbin, pra shpirtin e thellë të kultit, si shfaqje e marrëdhënies autentike ndërmjet besimtarit e Zotit. Me fjalë tjera, Ungjilli na fton që veprat dhe stili i jetës sonë të jetë në përkim me fenë, pra me besimin në Të, Jezu Krishtin.
Ungjilli i kësaj së diele përmend tri gabime që e zbrazin jetën. Hipokrizia: thonë e nuk bëjnë; mburrja: gjithçka veprojnë e bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit e për të qenë të admiruar publikisht; Synimi i pushtetit: të tjerëve ua ngarkojnë barrën e rëndë mbi krah por ata vetë as me gisht nuk lëvizin. E padia e Jezusit para këtyre e padrejtësive tjera na ofron tjera rregullore për të vërtetën e jetës: të veprojmë në heshtje, pa u dukur publikisht e para njerëzve, të punojmë me thjeshtësi e pa dyfytyrësi, shërbimi le të jetë pushtet. Urdhri më i madh, thoshte Jezusi, është “Ti duaje”. Më i madhi ndër njerëzit, thotë tani, është ai njeri që e zbaton dashurinë në shërbimin e jetës së përditshme në emër e për dashuri të Zotit e të vëllezërve. Hyji nuk është pronari i pronarëve, apo mbreti i mbretërve, po është shërbëtori që në Jezusin ua lanë këmbët dishepujve., Ai është shërbëtori i çdo jete njerëzore. Të mëdhenjtë e të pushtetshmit e kësaj bote ndërtojnë frone të vdekjes, Zoti nuk ka frone, ai merr në dorë pëlhurën për t’i mjekuar plagët e tokës. Hyji si një shërbëtor: që nuk kërkon, po mbështet; nuk pretendon, po përkujdeset; nuk kërkon të drejta, po u përgjigjet nevojave që ka njeriu. Shërbëtor shembullor edhe për ne.
Po më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu.........RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Nga Libri i Malakisë, profet (Mal 1,14-2,1-2.8-10)

Unë jam Mbret i madh - thotë Zoti i Ushtrive - dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe! E tani ky urdhër është për ju, o priftërinj! 2 Nëse nuk do të dëgjoni, nëse nuk do të kujdeseni t’i jepni lavdi Emrit tim - thotë Zoti i Ushtrive - do ta çoj mallkimin mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, sepse nuk patët farë kujdesi! Ju rrugën e latë, me mësimin tuaj shkandulluat shumë, e zhbëtë besëlidhjen e Levit - thotë Zoti i Ushtrive. Këndej dhe unë ju bëra të përbuzshëm e të përulur, nga të gjithë popujt, pse s’i mbajtët rregulloret e mia e u bëtë të njëanshëm në mësimin e Ligjit.” “Pse a s’e kemi të gjithë vetëm një Atë? Pse a nuk na krijoi të gjithëve një Hyj i vetëm? Pse atëherë secili prej nesh sillemi me dredhi ndaj vëllait tonë duke e prishur besëlidhjen e etërve tanë? Fjala e Zotit!

Nga Letra e parë e shën Palit apostoll drejtuar Selaniksave. (2,7-9.13)
Vëllezër, Përkundrazi qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër. Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit. Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i falemi nderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është - porsi fjalën e Hyjit - që vazhdimisht vepron në ju që besoni.
Fjala e Zotit!

Nga Ungjilli i Shenjtë sipas Mateut (Mt 23,1-12)
Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë - atë që është në qiell! Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës - sepse keni vetëm një Udhëheqës - Krishtin! Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet. Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.