2011-10-28 16:55:37

Liderët fetarë një zëri: “shpirti i Asizit” u mësoi besimeve vlerën e dialogut.


Para Benediktit XVI, të enjten e kaluar, në Bazilikën asizjane të Shën Marisë së Engjëjve folën njëri pas tjetrit, disa nga krerët e Kishave të krishtera të Lindjes e të Perëndimit, së bashku me përfaqësuesit e botës hebraike, islamike e të disa feve të tjera të mëdha botërore, mbledhur në takimin e madh të dialogut si shtegtarë të paqes e të së vërtetës.RealAudioMP3

Të fitojë dialogu ndërmjet feve, do të thotë të fitojë mirëkuptimi e jo urrejtja, paqja, e jo konflikti. Si një melodi e luajtur me shumë duar, me frymëzimin e Asizit, në vend të notave, liderët fetarë, që e morën fjalën njëri pas tjetrit nën qemeret mahnitëse të Shën Marisë së Engjëjve, ripohuan në mënyra të ndryshme të njëjtin koncept, guri i parë i themelit të të cilit u hodh në Asizi, qytet i Shën Françeskut, 25 vjet më parë.
Bartolomeu I, Patrik Ekumenik i Kostandinopojës, i cili i parapriu dhjetë diskutimeve të paradites, të enjten e kaluar, vijoi të replikonte me ata, që ngulin këmbë se takimet për paqen, organizuar në rrjedhë vitesh në qytetin françeskan, përmbajnë një devijim sinkretik:
“Il ne s’agit pas, comme certains l’insinuent…
Nuk është fjala, siç mendojnë disa, për të bërë dialog ndërfetar, ose dialog ekumenik, në perspektivë sinkretiste. Përkundrazi, vizioni që ne lavdërojmë në dialogun ndërfetar, ka një kuptim krejt të veçantë, i cili buron nga vetë aftësia e feve për të depërtuar në çdo fushë të shoqërisë e për të promovuar paqen”.
Sot nuk jemi këtu – e vijoi simbolikisht këtë mendim, primati i Bashkimit anglikan, kryeipeshkvi i Canterbury-t, Rowan Williams – për të pohuar emëruesin, sado të vogël, të përbashkët, të asaj, që besojmë...
“…but to speak out of the depth…
... por, për të ngritur zërin nga thellësia e traditave tona, me të gjitha veçantitë e tyre, në mënyrë që familja njerëzore ta kuptojë plotësisht sa shumë urti duhet në luftën kundër marrëzisë së një bote, të pushtuar nga frika e dyshimet, të dashuruar ende me idenë e sigurisë, që bazohet mbi aftësinë mbrojtëse, në mes të armiqësive. Një bote që vijon ende të tolerojë ose të injorojë humbje të pallogaritshme jetësh të njerëzve më të varfër, për shkak të luftërave e të sëmundjeve”.
Rabini i madh Rozen, drejtor i Departamentit për Çështjet Ndërfetare të “American Jewish Committee”, pas një reflektimi të shkurtër, lidhur ngushtë me temën biblike të shtegtimit, theksoi se e shikon shtegtimin e Asizit si një nga etapat e shtegtimit universal të njeriut kah shtëpia e Hyjit:
“For demonstrating this aspiration…
Pikërisht sepse na e tregoi këtë frymëzim në mënyrë kaq të dukshme, këtu, në Asizi, 25 vjet më parë, i jemi borxhlinj të Lumit Gjon Pali II e duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës pasardhësit të tij, Papës Benedikti XVI, për vijimin e këtij shtegtimi”.
Duke kujtuar 11 shtatorin, por edhe ‘pranverën arabe’ të ditëve tona, Patriku i Kostandinopojës pati prekur, pak më përpara, pikën më delikate, e cila u ndje pastaj nga pak në të gjitha reflektimet, që pasuan diskutimin e tij: atë të përdorimit të fesë si mjet për të ndezur zjarrin e luftërave. Lidhur me këtë manipulim të fesë, delegati i sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ndërkombëtare të Studimeve Islamike (Icis), Kiai Haxhi Hasim Myzadí, nënvizoi:
“There are also other factors that are reasons…
Ka edhe faktorë të tjerë në bazën e konflikteve, që lindin ndërmjet besimtarëve; faktorë, që bazohen mbi interesa jo fetare, që fshihen pas mësimeve fetare, me qëllim që ta përdorin, pastaj, fenë, për të arritur objektivat e tyre, aspak fetare. Lidhur me këtë, duhet ta dallojmë mirë fenë, që është me të vërtetë fe, domethënë që qëndron mbi të gjitha interesat. E në se feja do të jetë përmbi interesat e të gjitha natyrave të tjera, atëhere po, do të shërbejë si fanar i shpresës, që na e lanë trashëgim të parët tanë”.
“Drejtësia edhe vërtetësia janë kushtet konkrete për të siguruar pajtimin, tha primati i Kishës Apostolike Armene të Francës, Norvanzakarian, i cili u përqendrua kryesisht tek mundësia e krijimit të organizmave gjyqësore ndërkombëtare dhe veprimtaria për të zbuluar të vërtetën mbi krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura e, posaçërisht, mbi krimin më të rëndë, atë të genocidit.
I orientuar nga ardhmëria, i gjithë reflektimi i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Ekumenik të Kishave, Olav Fykse Tveit:
“What Francis accomplished as a youngman…
Ajo që bëri Françeku kur ishte ende i ri, 20 vjeçar, është për ne një përkujtim prekës; të lë gjurmë të thella në shpirt e të sjell në mendje rolin, që duhet të luajnë të rinjtë, si në bashkësitë fetare, ashtu edhe më gjerë, në gjirin e mbarë shoqërisë. Pa këtë, nuk do të ishim sot këtu. E edhe sot, si gjithnjë, paqja në botë kërkon përsëri idetë e kontributin e të rinjve”.
Zëdhënësi i fesë Ifu e Yoruba në botë, i cili theksoi se po fliste në emër të krerëve e besimtarëve të feve vendase të Afrikës, vuri theksin mbi rolin e fesë, jo vetëm si udhë për të respektuar të afërmin, por edhe natyrën, sepse po të mungojë respekti ndaj krijesës, nuk mund të flitet as për paqe, e as për qetësi.
Në një botë me rrjete dixhitale, tashmë tejet të përhapura, është e domosdoshme që të gjithë të krijojnë lidhje vëllazërore, në mbrojtje të jetës e të paqes” – këtë theksoi përfaqësuesi i budizmit korean, kryetar i ‘Jogye Order’, Ja-Seung.
Për temën e shtegtimit, por me ngjyrim lindor, reflektoi përfaqësuesi i fesë hinduiste, Acharya Shri Shrivasta Goswani, duke u ndaluar mbi progresin e shpirtit të Asizit, në harkun e 25 vjetëve:
“Dialogue will be a futile exercise…
Dialogu do të ishte një ushtrim i kotë, në se nuk e bëjmë me përvujtëri, durim, me dëshirën për të respektuar tjetrin, e këtë, pa kërkuar asnjë shpërblim. Një dialog i tillë do të na bëjë të aftë t’i themi ‘jo’ padrejtësive të të gjitha tipeve. Por kjo kërkon shumë guxim, e ky guxim mund të fitohet vetëm përmes lutjes”.Pas gjithë këtyre reflektimeve për rolin e fesë, ai i profesoreshës bullgare Julia Kristeva, një nga të katër intelektualët jo besimtarë të pranishëm në Asizi, natyrisht nuk kishte të bënte fare me besimin. Përfaqësuesja e jo besimtarëve e vuri theksin mbi rolin e humanizmit, parë në këndvështrimin laik, duke nënvizuar se rikthimi tek humanizmi nuk është dogmë providenciale, e as lojë e shpirtit. Është sfidë, që duhet përballuar! Epoka e dyshimit nuk mjafton më. Përballë krizës e kërcënimeve, që bëhen gjithnjë më të rrezikshme, ka arritur epoka e sfidës. Duhet të përballojmë sfidën e përtëritjtes së vijueshme të aftësive të burrave e të grave për t’i besuar njëri-tjetrit e për ta njohur më mirë njëri tjetrin!







All the contents on this site are copyrighted ©.