2011-10-28 17:22:09

Dosja Karitas-Migrantes: kriza peshon rëndë edhe mbi emigrantët


Kriza ekonomike peshon rëndë edhe mbi emigracionin. Sipas Raportit Karitas-Migrantes, paraqitur dje në Romë, në vitin 2010 numri i të huajve të rregullt në Itali është ndalur në shifrën 5 milionë. Mbetet tejet e rëndësishme, ndërkaq, ndihmesa që i japin shoqërisë: mjafton të mendojmë se kontributi i tyre për pensionet vlen 7,5 miliardë euro. Në mesazhin e rastit, Kryetari i Senatit, Renato Skifani, shprehu kënaqësinë e tij për Raportin, realizuar me sukses nga Karitasi.RealAudioMP3

Prania e emigrantëve në Itali ka mbetur ajo që ishte; emigrantët përbëjnë 7,5% të popullsisë italiane. Numri i ardhacakëve vitin e kaluar ka arritur në shifrën një gjysëm milion vetë, të pajisur me dokumente të rregullta e pa dokumente. Por duhet pasur parasysh se numri i të ardhurve është i barabartë me atë të të larguarve për shkak të përfundimit të lejës së qëndrimit në Itali. Kështu këta emigrantë janë riatdhesuar, ose kanë kaluar në numrin e të parregulltve. Shumica e atyre që kanë mbetur, ka vijuar të vizitojë qendrat e dëgjimit të Karitasit. Të ndjekim, për këtë, imzot Vitorio Nocan, anëtar i Kryesisë së Komitetit, që hartoi Dosjen:
“Një numër emigrantësh, që prej vitesh nuk i frekuentonte më qendrat e dëgjimit, vendet e strehimit, mensat, tani, për shak të humbjes së vendit të punës, ka nisur t’i këkojë përsëri këto tipe shërbimi. Ky është edhe shqetësimi më i madh. Shqetësohemi për ata, që kishin nisur të siguronin të ardhmen e që papritmas humbën punën, domethënë, sigurinë. Atëherë rrugëdalja e vetme ishte të kërkonin ndihmë ekonomike, strehë, mbështetje për fëmijët, që vijojnë shkollën, për shëndetin e vet e të pjesëtarëve të familjes”.
Lombardia e Lazio, mbeten zonat më të populluara me emigrantë. Të parregullt janë një gjysëm milioni, ndërsa gjatë vitit 2011 u regjistruan 4 mijë e 200 të dëbuar në kufi e më se 16 mijë riatdhesime të detyruara. Për të gjithë, gjëja më e rëndësishme është integrimi i vërtetë, posaçërisht në një vend, si Italia, ku të huajtë përbëjnë 10% të krahut të punës.
Të dëgjojmë edhe Flavio Xanonato-n, delegat i Shoqatës Kombëtare të Komunave Italiane (Anci-t) për punën:
“Nuk është fjala vetëm për të drejtat në punë, për shtëpinë, për kohën e lirë, por edhe për mundësitë e bashkimit familjar; domethënë, për plotësimin e të gjitha kërkesave të jetesës të njerëzve, që vijnë të jetojnë këtu. E nuk arrijnë vetëm krahë të pakualifikuar pune, por edhe njerëz shumë të përgatitur në fusha të ndryshme. Prandaj këto kërkesa duhen përballuar me seriozitetin më të madh, që të mos bëhen “problem”, sepse ‘problem’ është ai i integrimit të këtyre njerëzve”.
Emigrantët kërkojnë, më shumë ndihmë, më shumë shërbime. Dhe kanë të drejtë, përderisa derdhin 1,5 miliard euro më shumë sesa marrin. Edhe për këtë Karitasi kërkon të ndryshohen ligjet mbi nënshtetësinë e atyre, që arrijnë nga jashtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.