2011-10-27 12:20:27

Çelësi i fjalëve të Kishës: Imitimi i Krishtit


Në emisionin e sotëm, do t’ju flasim për kuptimin e krishterë të fjalës ”imitim”. Natyrisht është fjala për ”Imitimin e Krishtit”, detyrë dhe qëllim për çdo besimtar.

Një nga librat klasikë të përshpirtërisë së krishterë, ”Imitimi i Krishtit”, mbi autorësinë e të cilit janë paraqitur ide nga më të ndryshmet, ka në qendër një temë, e cila përvijohet në Besëlidhjen e Re e shprehet si me frazën e njohur ”sekuela (ndjekja) e Krishtit”, ashtu edhe me anë të konceptit të dishepullit.
I pari, që shkruan për këtë, është Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Efesianëve, të cilët i këshillon: ”Përngjajini Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit” (5,1-2). Teksti tjetër përmbahet në Letrën e parë të shën Pjetrit: ”Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin, që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tij: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tij nuk u gjet gënjim; Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe i salvuar nuk kërcënonte, por ia lëshonte çështjen e vet Atij, që gjykon me drejtësi” (2,21-23).
Pra, imitimi s’është tjetër, veçse praktimi i dashurisë dhe i dhurimit të vetvetes, ashtu siç bën Ati Qiellor e ashtu siç dëshmoi Krishti me flijimin e vet. Jo më kot, porosia e Tij e fundit qe: ”Duajeni njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju” e gjesti i larjes së kënbëve është shembulli simbolik, që e pasqyron këtë: ”Ju dhashë shembull, që sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju” (Gjn 13,15.34).
I krishteri ka para vetes si shembull parësor pikërisht jetën e Krishtit, e cila duhet t’i shërbejë gjithnjë si busull, duke pasur parasysh se Jezusi, në vend që ta gëzonte jetën, iu nënshtrua kryqëzimit. Pra, të ndjekësh Krishtin, ta imitosh Atë, do të thotë të marrësh kryqin tënd mbi supe e të shkosh në gjurmët e Tij (Mt 16,24). Ashtu si në Besëlidhjen e Vjetër, njerëzit nxiteshin të ishin ”shenjt, ashtu si Zoti është shenjt” (shih Lev 11,45), tani është sidomos përvuajtëria në dhurimin e vetvetes, shembulli për t’u ndjekur: ”Pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemërbutë e i përvujtë” thotë Krishti (Mt 11,29). E shën Pali Apostull vazhdon: ”Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, …ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit” (Fil 2,5-7).
Për të krishterët vlejnë fjalët e Ungjillit të Shën Mateut: ”Ai që ndër ju, dëshiron të bëhet i pari, le të bëhet skllavi juaj, sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!” (20,27-28). Pra, e ndjek Krishtin, ai që e imiton në këtë përkushtim, me thjeshtësi e përvuajtëri, me liri e dashuri: ”Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi për detyrë ta japim jetën tonë për vëllezërit” (1 Gjn 3,16). Pikërisht në këtë dritë, kuptohet vlera e dëshmisë së fesë, e cila bëhet rast konkret për imitimin e Krishtit, që të tjerët ta shohin përmes nesh. Vetë Shën Pali i këshillon shpesh bashkëbiseduesit e vet ta imitojnë, ashtu si ai imiton Krishtin (shih 1 Kor 11,1). Të krishterëve të Selanikut, duke i përgëzuar, u thotë se janë bërë imitues të tij e të Zotit (1 Ts 1,6). E ashtu siç shkruhet në Letrën drejtuar Hebrenjve, të përpiqemi të gjithë ”të mos na pakësohet zelli, por t’u përngjajmë atyre, që në sajë të fesë dhe të duresës, trashëgojnë të mirat e premtuara” (Heb 6,12).








All the contents on this site are copyrighted ©.