2011-10-27 18:50:10

Takimi i Asizit: reflektimet e profesor Hurtado-s, profesor Bodei-t dhe kardinalit Toran.


Sot Benedikti XVI dhe 300 përfaqësues të feve të ndryshme botërore u mblodhën në Asizi për një ditë reflektimi, dialogu e lutjeje për paqen dhe drejtësinë në botë. Papa, së bashku me delegacionet, u nisën me tren drejt qytetit të Shën Françeskut ku, më 1986, u mbajt takimi i parë i madh i feve për paqen, i thirrur nga Gjon Pali II.
Ashtu si 25 vjet më parë, fetë u mblodhën rishtas së bashku që të luten, këtë herë me një përmasë të fortë, atë të shtegtimit. Të takohesh përsëri në vitin 2011, në Asizi, për fetë do të thotë të përballosh një shtegtim kah drejtësia e paqja, lidhur ngushtë me kërkimin e së vërtetës. Që nga 1 janari i kaluar, kur Benedikti XVI dha njoftimin për Ditën e 27 tetorit, të gjithë protagonistët, duke nisur nga Këshillat Papnore të ngarkuara me organizimin, përsëritën disa herë gjatë këtyre muajve, rëndësinë e kësaj udhe, për t’i treguar botës se njerëzit e feve, së bashku – risi tjetër kjo- me njerëzit e kulturës, edhe jo besimtarë, mund të japin kontributin e tyre për ndërtimin e një shtëpie më të mirë të përbashkët. Të krishterë, myslimanë, hebrenj, hinduistë, budistë, përfaqësues të feve të tjera, jetuan sot e do të vijojnë të jetojnë edhe nesër, disa çaste të përbashkëta, për të shijuar përvojën e vëllazërimit, ashtu si në vitin 1986, e për të përsëritur impenjimin e tyre, përballë sfidave të kohëve të reja. 25 vjet më parë bota ishte ende e ndarë në dy blloqe të mëdha kundërshtare. Katolikët shqiptarë e patën ndjekur Gjon Palin II me frikën e burgimit, mbledhur rreth aparateve të pakta televizive, me lot në sy e me dëshirën e zjarrtë për ta parë një ditë Papën duke u lutur për paqen, në e për trojet shqiptare. Kanë kaluar vetëm 25 vjet, por sa sa ujë ka rrjedhur që atëhere! Muri i Berlinit u shemb. E u shemb edhe gardhi i hekurt që izolonte vendin e vetëm, shpallur me Kushtetutë, vend i paZot. Kanë kaluar 25 vjet, po mesazhi historik që Gjon Palit II i përçoi njerëzimit “ fetë botës, pa u ngatërruar në politikë, mund të bëhen zëdhënës të paqes” vijon të jetë aktual. Sot njerëzit e fesë na kujtojnë se përballë kërcënimeve moderne të laicizmit, fondamentalizmit, terrorizmit, përballë rreziqeve që burojnë nga kriza ekonomike, varfërisë, pabarazisë shoqërore, diskriminimeve, edhe fetare, duhet kërkuar me këmbëngulje e vërteta, si kusht që i paraprin kërkimit të paqes. Asisi 2011 në krahasim me Asizin e 1986-tës, nuk ishte çast publik i lutjes së feve të ndryshme, por çast i heshtjes e i dialogut, që përfshiu edhe jo besimtarët, sepse “shtegtimi i së vërtetës, i jetuar vërtetësisht, hap rrugën e dialogut me tjetrin, nuk përjashton askënd, i impenjon të gjithë të jenë konstruktorë të vëllazërisë e të paqes”.
Në ndryshim nga Dita e 1986-tës, sivjet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të botës së kulturës e të shkencës jo besimtarë, të cilët dje pasdite u mblodhën në Universitetin Roma Tre rreth një tryeze të rrumbullakët.RealAudioMP3
Filozofi meksikan Guilermo Hurtado, pedagod i Institutit të kërkimeve filozofike, pranë Universitetit të Meksikos, “Unam”, në mikrofonin tonë, reflekton për këtë Ditë:

Përgjigje: - Para së gjithash, ishte diçka e papritur. Ftesa më preku pa masë, sepse mendoj që dialogu ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve është tejet i rëndësishëm. Të dyja palët kemi interesa të përbashkëta. E njëra prej tyre, është paqja, por edhe e vërteta. Prandaj më duket se ky takim i Asizit është i pashembullt, pikërisht sepse në të u ftuan edhe njerëz, që nuk besojnë, për të diskutuar së bashku rreth problemeve, që i shqetësojnë njëlloj të dyja palët, në një botë makinash e ëndrrash, shpesh fare boshe. Në këto rrethana, duhet të kërkojmë një dialog të thellë, posaçërisht për problemet më të mprehta të njerëzimit bashkëkohor, për problemet etike, që lindin nga zhvillimi teknologjik, për mbrojtjen e ambientit, krizën e demokracisë e, sidomos, për të gjetur rrugë të përbashkëta. Një lloj tjetër dialogu, është ai që ka të bëjë me çështjet themelore njerëzore: me mjerimin e madhështinë e jetës, që i provojmë të gjithë. Është dialog, që duhet bërë me zemër të hapur, duke e kuptuar mirë tjetrin. Aventurë, që mund t’i shndërrojë në mënyrë ekzistenciale besimtarët e jo besimtarët, të çojë në një njohje më të lartë e, prej këndej, në kushte të reja për njerëzimin. Natyrisht, të njohësh vetveten është diçka gati e pamundur, e të njohësh të tjerët, një përpjekje e jashtëzakonshme, që kërkon jo vetëm shumë durim, por edhe shumë mirësi. Gjithsesi më duket se duhet ta bëjmë këtë: duhet të afrohemi njëri me tjetrin, sepse vetëm kështu mund të dalim nga kriza aktuale, shumë më e thellë se kriza ekonomike, sepse krizë, që prek shpirtin e besimtarëve e të jo besimtarëve.

Foli edhe profesori Remo Bodei, filozof, pedagog pranë Universitetit të Kalifornisë, sot në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Unë nisem nga bindja se jemi të gjithë mysafirë në jetë, të gjithë emigrantë në kohë e se, në fund të fundit, askush nuk e njeh plotësisht të vërtetën. Prandaj ballafaqimi me fenë është ballafaqim i lirë, ndërmjet njerëzve vullnetmirë e mendjemirë, të gatshëm për ta kërkuar të vërtetën, në një periudhë, në të cilën e vërteta bëhet një optional, bëhet pre e opinioneve. Prandaj ballafaqimi më duhet gjithnjë i nevojshëm.

Pyetje: - Kjo Ditë e 27-të ishte nën shenjën e shtegtimit kah paqja e kah e vërteta. Si mund të punojnë së bashku, njerëz që mbrojnë të vërteta të ndryshme...

Përgjigje: - Së pari, duke pranuar se ekzistojnë vlera të përbashkëta, vlera, që na takojnë të gjithëve, si njerëz që jemi. Kërkimi i paqes, kërkimi i të drejtave, ndihma që u duhet dhënë të varfërve e të ligshtëve, janë vlera, për mbrojtjen e të cilave mund të punohet fare mirë së bashku, secili për arsyet e veta.

Pyetje: - Gjon Pali II u pati kërkuar feve të jenë dëshmitare të paqes e të dialogut. Në këto 25 vjet, sipas jush, a është vërejtur ndonjë farë ndryshimi i rolit të feve në botë?

Përgjigje: - Natyrisht. Në mënyrë të posaçme, pas krizës së regjimeve komuniste, ateizmit shtetëror, Kishat e thelluan rolin e tyre; mblodhën nën flatrat e veta shumë njerëz, që më parë besonin në një fe të vetme, në atë të shtetit a të partisë, e cila përpiqej ta pushtonte krejtësisht mendjen e zemrën e njeriut. Por një fakt i tillë, pozitiv në vetvete, i shoqëruar me rrënjosjen e disa feve, ka bërë që ndërmjet tyre të lindin më shumë konflikte, sesa bashkim, gjë që duhet diskutuar.

Për domethënien e kësaj dite, të dëgjojmë edhe kardinalin Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar:

Përgjigje: - Jetojmë – e këtë e shikojmë çdo ditë duke lexuar gazetat – në një botë, ku nuk ka drejtësi, as paqe për të gjithë. Armët, për fat të keq, flasin me zë shumë më të lartë, sesa drejtësia. Ja pse e deshi Benedikti XVI këtë takim të tretë në Asizi. Takimet e Asizit duan të dëshmojnë se të drejtat nuk fitohen vetëm me vringëllimën e armëve: ekziston edhe një përmasë tjetër, ajo e lutjes. Pavarësisht nga larmitë e feve, lutja është shprehje e lidhjes me Pushtetin më të lartë, lidhje, që i kapërcen aftësitë tona njerëzore. Atëhere, duke praktikuar sjelljet e përbashkëta për të gjitha familjet shpirtërore – lutjen, agjërimin e shtegtimin – fetë mund t’i dëshmojnë botës se janë faktor paqeje, e jo lufte. Kur flasim për paqen, kemi folur edhe për të vërtetën. E kështu, ecim të gjithë bashkë drejt gurrës së dritës. E veçanta e kësaj Dite të Asizit është se iu kushtuar më shumë kohë reflektimit e heshtjes, që bëhet lutje. E sidomos, edhe anjostikëve iu dha mundësia të thonë fjalën e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.