Papa dhe delegacionet nisen me tren nga Stacioni hekurudhor i Vatikanit, në orën 8.00.
Pas një ore e treçerek, Ati i Shenjtë mbërrin në Asizi, ku pritet nga autoritetet
italiane dhe kishtare, për të shkuar më pas në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve.
Jashtë Bazilikës janë vendosur ekrane të mëdha për shtegtarët. Të pranishmit i përshëndet
kreu i dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson. Projektohet
një video, që kujton takimin e parë të Asizit, më 1986. Flasin Patriku Ekumenik i
Kostandinopojës, Bartolomeu I, kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiliams,
përfaqësuesi i Kishës Armene, Primati i dioqezës armene në Francë, Norvan Zakarian,
si edhe përfaqësues të tjerë të feve të pranishme, duke përfshirë atë të Rabinatit
të Madh të Izraelit. Papa Benedikti XVI flet i fundit, në orën 12.30. Pas përfundimit
të takimit në Bazilikë, Ati i Shenjtë dhe krerët e delegacioneve shkojnë në kuvendin
e Porciunkolës për një drekë të përbashkët, e cila pasohet nga heshtja, për t’i lënë
hapësirë reflektimit e lutjes personale. Ndërkaq, në orën 13.45, të rinjtë vihen për
rrugë nga Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve drejt sheshit të Shën Françeskut, vendi,
ku janë zhvilluar takimet e Asizit të viteve të mëparshme. Në orën 15.15 vijnë aty
edhe delegacionet, ndërsa koret e krishtera “Gen Verde”, “Gen Rosso” dhe “Interfrancescano”
ekzekutojnë këngë e koreografi të ndryshme. Në orën 16.30, në sheshin e Shën Françeskut
mbërrijnë edhe Papa e krerët e delegacioneve, për takimin përfundimtar të ditës. Këtu,
të gjithë përfaqësuesit e feve rinovojnë Impenjimin e tyre solemn për paqen në botë.
Në mesin e reflektimeve e të meditimeve të katolikëve, ortodoksëve, myslimanëve, hebrenjve,
sikhëve, budistëve etj., edhe një gjest simbolik: ndizen llampa, që u jepen krerëve
të delegacioneve, në shenjë të dritës së fesë dhe delegatët i japin njëri-tjetrit
dorën në shenjë paqeje. Në orën 18.00, Ati i Shenjtë lutet para Varrit të Shën
Françeskut, për t’u nisur më pas me tren për në Vatikan. Të nesërmen, ditën e premte,
Papa do t’i presë delegacionet e pranishme në Asizi, në Sallën Klementina të Pallatit
Apostolik.