2011-10-27 13:41:18

Porciunkola


Porciunkola, kjo kapelëz, e ngërthyer si gur i çmuar brenda ngrehinës madhështore të Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, është me rëndësi themelore për historinë e françeskanizmit. Në se Bazilikat e Asizit të trondisin me forcën e kujtimeve e të figurave, Porciunkola të pushton me atmosferën mistike, me shpirtin e fjalës së parë. Zanafilla e françeskanizmit është pikërisht aty, brenda tempullit të vogël, dëshmitar i çastit kur Shën Françesku u shndërrura krejtësisht nga Krishti. E edhe e çastit të mbramë, kur në kapelëz hyri, në majë të gishtave, motra vdekje. Mbi gjithë këtë histori, që nis e i flet shtegtarit sapo shkel në Porciunkola, ngrihet Bazilika Patriakale.
Kapela, me sipërfaqe 4x7 metra, ruan ende strukturat e shekullit XIII, duke përfshirë edhe çatinë e mbuluar me mermere të bardha e të trëndafilta. Gjatë restaurimit të fundit, pas tërmetit të 1997-tës, kryer më 1999, doli në dritë edhe dyshemeja origjinale, mbuluar nga struktura të pesëqindes. Mbi harkun e portës së hyrjes, në fashën e artë, që rrethon afreskun e fasadës, bien menjëherë në sy fjalët: “Kërkesën tënde, Françesk, e pranoj”, shqiptuar nga Krishti, kur Françesku i kërkoi ndjesën e plotë të gushtit. Lexohen më pas fjalët: “Hic locus sanctus est” – “Ky vend është i shenjtë”. Ndërsa mbi bazën e elterit të afreskut, mbi portë, shkruhet: “Haec est porta vitae aeternae”- “Kjo është porta e jetës së pasosur”. Më të djathtë ruhet një nga dokumentet epigrafike më të lashta të Urdhërit: lapidari i varrit të Pietro Katanit, vdekur më 10 mars 1221, kur Françesku ishte ende i gjallë. Rrëfejnë se turmat e shtegtarëve vraponin tek varri i tij, duke trazuar lutjet e fretërve; atëherë Françesku e porositi Katanin të bindej edhe i vdekur, ashtu siç ishte bindur kur ishte i gjallë. E kështu edhe ndodhi.
Në kapelë mund të soditet një kandil i madh i stilit gotik (shek XV-XVI), një shtatore e Zojës së Bekuar e fillimit të shek XV dhe një afresk, i pastruar kohët e fundit, që paraqet Kryqëzimin e Krishtit.
Kah kjo kishëz, pak kohë pas vdekjes së Françeskut, nisën të dynden qindra mijëra shtegtarë. Prandaj, në vitin 1569, Piu V dha lejën për ndërtimin e një bazilike, pikërisht mbi Porciunkolën, sipas projekti të arkitektit Galeaco Alesi: niste historia e Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, ku çdo 2 gusht kremtohet madhërisht Festa tejet e rëndësishme e Faljes.
“Dua t’i çoj të gjithë në Parajsë”: me këto fjalë, plot gëzim, Françesku i Asizit u komunikonte, më 2 gusht 1216, të gjithë atyre që kishin rendur për ta dëgjuar në Porciunkola, se Papa Onori III kishte pranuar t’u jepej ndjesa e plotë atyre që do ta kërkonin. E kjo traditë, e ruajtur deri në ditët tona, përtrihet sërisht në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi dhe në të gjitha kishat françeskane. E merr emrin pikërisht nga Porciunkola, ku Shën Françesku më 1216 iu lut Zotit t'ua falë të gjitha fajet e mëkatet besimtarëve që do ta vizitonin këtë kishëz më 1 e 2 gusht, të penduar e të rrëfyer.
Festa e ndjesës së plotë përjetësohet në afreskun e fasadës, vepër e piktorit Friedrih Overbah (1830). Paraqet Françeskun që i lyp Jezusit e Marisë ndjesën e plotë.









All the contents on this site are copyrighted ©.