Pas veprimtarive të paradites, të pranishmit u ftuan për një drekë të shpejtë, krejt
të thjeshtë, në mensat e kuvendit të Shën Marisë së Engjëjve. Pasoi një kohë heshtjeje,
kohë reflektimi e lutjeje personale. Secili delegat kishte në dispozicion një dhomë
në vete në shtëpinë e shtegtarëve, pranë Kuvendit të Shën Marisë së Engjëjve. Rreth orës 13.45
të rinjtë u vunë për udhë nga Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve, kah Sheshi i Shën
Françeskut, ku zunë menjëherë vendin, që u ishte caktuar. Në sa arrinin delegacionet,
Sheshi ushtonte nga koret Gen Verde, Gen Rosso, kori dioqezan dhe ai ndërfrançeskan,
që pasuan njëri tjetrin me këngë e valle. Ati i Shenjtë dhe kryetarët e delegacioneve
dolën në këmbë nga porta e Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, në Sheshin e Los
Anxhelos, ku zunë vend në minibuse, për të arritur pastaj, në Sheshin e Shën Françeskut,
në majë të kodrës, pranë Bazilikave madhështore të Shenjtit. Në orën 16.30 nisi
takimi përfundimtar. Përshëndetjen e hapjes e mbajti kardinali Toran, kryetar i Këshillit
Papnor për Dialogun Ndërfetar. Menjëherë pas tij, u përsërit impenjimi solemn për
paqen, duke nisur nga Bartolomeu I, Patrik Ekumenik, kryepeshkop i Kostandinopojë,
për të vijuar me përfaqësuesin e Federatës Luterane Botërore; përfaqësuesin e Sikhve;
Hirësinë e Tij, Aleksandër, përfaqësues i Patriarkanës së Moskës; delegatin e Besëlidhjes
Botërore Batiste; atë mysliman; budist, rabinin hebre, përfaqësuesin e Bashkimit Botëror
të Kishave të Reformuara dhe përfaqësuesin e jo besimtarëve. Kurrë më dhunë,
kurrë më luftë; kurrë më terrorizëm! Në emër të Zotit çdo fe të sjellë mbi tokë paqe
e drejtësi, falje e jetë, mirësi e dashuri” - me këto fjalë Benedikti XVI përfundoi
përtërtijen e zotimit solemn për paqen. Pastaj Ati i Shenjtë iu drejtua përfaqësuesve
të feve botërore me fjalët: “Në përfundim të kësaj dite, të ngarkuar me veprimtari,
dëshiroj t’ju falënderoj ju të gjithë. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht atyre,
që e bënë të mundur takimin e sotëm. E në në mënyrë të veçantë, falënderoj atë, që
na mikpriti përsëri: qytetin e Asizit, bashkësinë e kësaj dioqeze, me ipeshkvin e
saj dhe bijtë e Shën Françeskut, që ruajnë trashëgiminë e çmuar shpirtërore të Varfanjakut
të Asizit. Falënderojmë përzemërsisht edhe të rinjtë, që shtegtuan në këmbë nga Shën
Maria e Engjëjve, për të dëshmuar se ndërmjet breznive të reja, janë të shumtë ata,
që impenjohen për t’i dhënë fund dhunës e përçarjeve dhe për t’u bërë nismëtarë të
drejtësisë e të paqes.
Ngjarja e madhe e sotme tregon qartë se përmasa shpirtërore
është elementi kyç për ndërtimin e paqes. Përmes këtij shtegtimi të përbashkët ne
mundem të hyjmë në dialog vëllazëror, të thellojmë miqësinë, të heshtim e të lutemi
së bashku.
Pasi përsëritëm zotimin tonë për paqen e shkëmbyem me njëri-tjetrin
shenjën e paqes, ne e ndjejmë veten të përfshirë edhe më thellë, së bashku me të
gjithë burrat e gratë e bashkësive që përfaqësojmë, në shtegtimin tonë të përbashkët
njerëzor.
Ne nuk do të ndahemi: do të vijojmë të takohemi, të jemi të bashkuar
në këtë shtegtim, në dialog, në ndërmtimin e përditshëm të paqes dhe në zotimin për
ngritjen e një bote më të mirë, një bote, në të cilën çdo burrë, çdo grua e çdo popull
mund të jetojë në përkim me dëshirat e veta legjitime.
Ju falënderoj me gjithë
zemër, që e pranuat ftesën time për të ardhur në Asizi si shtegtarë të së vërtetës
e të paqes. E uroj secilin nga ju me fjalët e Shën Françeskut: “Zoti të dhëntë paqe!
Pasoi një çast heshtjeje e reflektimi, që përfundoi me gjestin simbolik të
shpërndarjes dhe ndezjes së qirinjve, në sa kori këndonte “Lutjen e thjeshtë”. Në
përfundim të kësaj veprimtarie të jashtëzakonshme, me jehonë në mbarë botën, sepse
mbarë bota kishte sot në Sheshin e Asizit, përfaqësuesit e vet më lartë shpirtëror,
delegatët i shtrënguan njëri-tjetrit duart: ishte gjesti i paqes, i një paqeje, që
përhapte frymën e vet jetëdhënëse në mbarë rruzullimin. Kremtimi i sotëm i “Shtegtarëve
të së vërtetës, shtegtarë të paqes”, nuk mund të mos përfundonte me një këngë, tingujt
e së cilës shoqëruan gjithë veprimtarinë: me Këngën e Krijesave, kënduar nga kori
i dioqezës së Asisit. Po nesër Papa do të takohet përsëri me delegacionet pjesëmarrëse
në Ditën e sotme të Dialogut. E, pas takimit, në Sallën Klementine, në Vatikan, përfaqësuesit
e feve të botës do të ulen rreth një sofre të përbashkët, në Sallën vatikanase të
Palit VI, mysafirë të Sekretarit të Shtetit të Shenjtërisë së tij, kardinalit Tarçizio
Bertone.