2011-10-27 12:44:53

Benedikti XVI: dhuna e lufta nuk janë në natyrën e fesë. Papa me tren në Asizi për një ditë reflektimesh, dialogu e lutjeje për paqen e drejtësinë në botë


Është e nevojshme të përsëritet edhe sot, ç’thanë krerët fetarë më 1986 në Asizi: kurrë, fetë nuk mund të jenë shkak për dhunë e luftë. Kështu foli sot Papa Benedikti XVI në fjalimin, që mbajti para përfaqësuesve të traditave të ndryshme fetare të botës, mbledhur në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi të Italisë për Takimin e paqes, i cili mbush 25 vjet, që nga themelimi i tij nga i Lumi Gjon Pali II.
Dhuna e lufta nuk janë në natyrën e fesë, nënvizoi Papa Racinger, i cili bëri “mea culpa” edhe për fajet e të krishterëve. “Si i krishterë – theksoi Benedikti XVI – dua të them se gjatë historisë, në emër të fesë së krishterë, është përdorur dhuna. E pranojmë, me turp të madh”. Ati i Shenjtë sqaroi se në këto raste, është abuzuar me fenë, prandaj, është detyrë e autoriteteve të saj ta purifikojnë atë vazhdimisht, duke vënë gjithnjë në qendër Kryqin e Krishtit, në mënyrë që, megjithë dobësitë e njeriut, ajo të jetë vërtet mjet paqeje në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.