2011-10-27 11:15:02

Bazilika e shën Françeskut


Bazilika e Shën Françeskut ngrihet në vendin ku deshi të varrosej i Vobekti i Asizit. Në Mesjetë, kjo zonë njihej si “kodra e ferrit”, pasi aty bëheshin ekzekutime publike si në malin e Kalvarit, ku kryqëzuan Krishtin. Kisha shtrihet në tri nivele: Kripta, Bazilika e poshtme dhe Bazilika e epërme.
Kantieri për ndërtimin e saj u hap në vitin 1228, me urdhër të Papës Gregori IX, falë veprimtarisë së fra Elisë, mik i shenjtit e eprori i dytë i bashkësisë. Më 16 korrik të atij viti, vetëm dy vjet pas vdekjes, Françesku shpallet shenjt e të nesërmen, vetë Papa dhe eprori i ri i Urdhërit vendosën gurin e parë të Bazilikës, ku pushojnë eshtrat e shenjtit. Kaq shumë ishte përhapur fama e shën Françeskut, sa për ndërtimin e kishës erdhën oferta të jashtëzakonshme. Kështu, u bë e mundur që krejt kompleksi të përfundonte në një kohë rekord për atëherë, në pak më tepër se një shekull.
Varri i shenjtit dhe dy kishat. Në vitin 1230, trupi i shën Françeskut transferohet në kishën e shën Gjergjit (kisha e ardhshme e shën Kiarës) për t’u varrosur më pas në bazilikën e ndërtuar për nder të tij. Nën elterin e madh, në një vend, që për shekuj, nuk mund të shihej, pika e saktë e varrosjes harrohet. Rigjehet në shekullin XIX e aty bëhet Kripta. Që atëherë, Asizi është etapë thelbësore për shtegtarët që shkojnë në Romë. Kompleksi përbëhet nga dy kisha të pavarura, vendosur njëra mbi tjetrën, si edhe nga kripta. Sipas projektit fillestar, të dyja kanë vetëm një navatë, por më vonë, bazilika e poshtme pasurohet me kapelat anësore.
Këmbanorja. E stilit romak, këmbanorja lartohet drejt qiellit, “e penguar” vetëm nga korniza e harqe, që e zbukurojnë edhe më tepër. Përballë hyrjes së Bazilikës së Poshtme gjendet ish-Oratoriumi i Shën Bernardit, ndërtuar për Urdhërin e Tretë françeskan nga mjeshtra lombardë, rreth gjysmës së shekullit XV. Pas portës hyhet në Kuvendin e Shenjtë, ku përveç bashkësisë së fretërve të vegjël, ndodhet edhe Instituti Teologjik, një Qendër dokumentash dhe një fond i rëndësishëm arkivor e bibliotekar, i specializuar në françeskanizëm.
Tërmeti i vitit 1997. Tërmeti i 26 shtatorit të vitit 1997 i shkaktoi dëme të mëdha Bazilikës së Epërme. Kupola ra në dy pika, duke shkaktuar vdekjen e katër vetëve. 130 metra me afreske mesjetare u bën hi e pluhur. Restaurimi zgjati dy vjet. Tërmeti shkaktoi edhe prishjen e pjesshme të afreskeve si ai i Shën Jeronimit, që disa ia atribuojnë Xhotos së ri, ku paraqiten katër Doktorë të Kishës; u dëmtua edhe figura e shën Mateut në afreskun e Katër Ungjilltarëve të Çimabues, si edhe qielli me yje i pikturuar në vitet ‘800. Ranë në tokë tetë figura shenjtorësh dhe dekoracione të tjera.
Ç’kanë brenda dy kishat. Hyhet në Bazilikën e Poshtme përmes një portiku të dyfishtë gotik mbi të cilin ndodhen tre rozeta, gjithnjë në stil gotik e një portik i shekullit XV. Navata e vetme është e ndarë në pesë ndërtrenë. I pari, ai i hyrjes është pikturuar nga Sermei e Marteli, majtas ndodhet kapela e shën Sebastianit me afreske të ‘600-ës të G. Martelit. Djathtas, dy varre gotike dhe një tribunë. Pasi kalohet kapela e Shna’Ndout Abat, përmes një porte në të djathtë, hyhet në një kiostër të vogël e më pas në kapelën e Shën Katerinës, ku ruhen afreske me “episode nga jeta e Shenjtes”, vepër e Andreas nga Bolonja. Navata pasurohet me afreske të shumta të viteve ‘200, vepër e Mjeshtrit të Shën Françeskut. Në gjysmën e navatës, dy shkallë të çojnë në Kriptë, ku ruhen eshtrat e shenjtit. Vetratat janë të shekullit XIII dhe XIV e zbukurojnë kapelat e shumta të shekullit XIII. Në të djathtë, kapela e shën Shtjefnit me afreske të viteve ‘500 të Doni Donit, pastaj kapela e shna’Ndout të Padovës me vepra të Sermeit, ajo e shën Madalenës me afreske të Xhotos e të Mjeshtrit të Velave, kapela e shën Martinit me afresket e Simon Martinit në fillimet e shekullit XIV. Drejt presbiterit, elteri i madh elegant është i shekullit XIII e mbi harqet e voltës janë pikturuar afreske të shkollës së Xhotos, që pasqyrojnë virtytet françeskane (pastri, varfëri, bindje) e me radhë, vepra të tjera e afreske, që nga Xhovani Orsini e deri te Pjetro Lorenceti. Nga një shkallë, që fillon në terracën me pamje nga Kiostri i Madh i viteve ‘400, mund të ngjitesh në Bazilikën e Epërme, me afreske të shekullit XIII e XIV, nga artistët më të mëdhenj të kohës: Xhoto, Çimabue, Pjetro Kavalini, Jakopo Torriti etj.. Afresket e navatës, që pasqyrojnë “episode nga jeta e shën Françeskut”, i atribuohen Xhotos, i cili ka punuar këtu edhe me nxënësit e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.