2011-10-26 15:57:21

Papa në vigjilje të takimit të Asizit: të krishterët nuk duhet të bëhen ujq ndërmjet ujqish, por të punojnë për mbretërinë e paqes së Krishtit.


“Të krishterët nuk duhet t’i nënshtrohen kurrë tundimit për t’u bërë ujq mes ujqve”: me këto fjalë Papa utërhoqi vëmendjen të krishterëve në Liturgjinë e Fjalës, kremtuar sot paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan, për t’u përgatitur shpirtërisht, në prag të takimit të nesërm ndërfetar për paqen në Asizi. Në kremtimin, kryesuar nga mëkëmbësi i Papës, kardinali Agostino Valini, morën pjesë besimtarë të dioqezës së Romës e, sidomos, grupe shtegtarësh, ardhur nga mbarë bota. Papa uroi që të krishterët të jenë gjithnjë mbrojtës të paqes, në një botë të dërmuar nga luftërat e nga egoizmi.RealAudioMP3
Para çastit të lutjes, Benedikti XVI ishte në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku përshëndeti mijëra besimtarë, të cilët nuk gjetën vend në Sallën e Palit VI: për shkak të kohës së keqe, ngarkuar me re e me shi, audienca u mbajt në Sallën vatikanase, e jo në Sheshin e Shën Pjetrit, sipas traditës së audiencave të përgjithshme të së mërkurës, në stinët e ngrohta.

“Jepi njerëzimit dhuratën e paqes së vërtetë”: në prag të Ditës së Asizit, Papa lutet për paqen dhe drejtësinë në botë. E nënvizon se “kush është për udhë kah Zoti, nuk mund të mos transmetojë paqe” dhe “kush punon për paqen, nuk mund të mos i afrohet Zotit”. Ja pra, pse, në takimin e Asizit – shpjegoi Papa – do të jenë të pranishëm jo vetëm përfaqësues të feve të ndryshme, por edhe njerëz që nuk besojnë.
Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë theksoi posaçërisht Leximin e parë, shkëputur nga Libri i Zakarisë. Profeti kumton ardhjen e një mbreti të përvuajtur, që do t’i copëtojë harqet e betejës e do t’u kumtojë paqen mbarë popujve të rruzullit:
“Jezusi është mbret i varfër, ndërmjet të varfërve; zemërbutë, ndërmjet atyre, që e duan butësinë. Kështu ai është Mbret i paqes, për virtyt të pushtetit të Hyjit, pushtetit të së mirës, pushtetit të dashurisë”.
Një mbret – shtoi Papa, që e realizon paqen mbi kryq, duke bashkuar qiellin me tokën e duke hedhur urën e vëllazërimit të të gjithë njerëzve:
“Kryqi është harku i ri i paqes, shenja e mjeti i pajtimit, i faljes, i mirëkuptimit; shenjë që tregon se dashuria është më e fuqishme se çdo dhunë e çdo shtypje, më e fortë se vetë vdekja: e keqja mundet me të mirë, me dashuri”.
Horizonti i këtij mbreti - vërejti në vijim Papa - nuk është ai i një territori, i një shteti. Horizonti i Zotit përfshin kufijtë e mbarë botës, të cilën dëshiron ta bashkojë në një familje të vetme E këtë bashkim, këtë unitet, ne e shikojmë qartë në Eukaristi. Në Hosten Shenjte – pohoi Benedikti XVI - Zoti na pastron nga individualizmat, për të formuar një korp të vetëm, një mbretëri të vetme: mbretërinë e paqes, në një botë ende të përçarë:
“Kudo, në çdo realitet, në çdo kulturë, që nga qytetet e mëdha, me pallatet e tyre madhështore, tek fshatrat e vogla me kasolle; nga katedralet mahnitëse, tek kapelat e vogla, Ai vjen, Ai bëhet i pranishëm; e në sa bëhen një me Të, edhe njerëzit ndjehen të bashkuar në një korp të vetëm, duke kapërcyer përçarjet, rivalitetet, zilitë, mllefet”.
Prej këndej mund të themi me plot gojën se kush dëshiron të bëhet dishepull i Zotit, duhet të jetë gjithnjë gati edhe për t’u bërë ballë mundimeve, për t’u martirizuar, për të humbur jetën e vet, për t’ia dhuruar këtë jetë Atij. Sepse vetëm kështu në botë mund të ngadhënjejnë e mira, dashuria, paqja:
Të krishterët nuk duhet t’i nënshtrohen kurrë tundimit të bëhen ujq ndërmjet ujqve: nuk është pushteti, forca, dhuna, që ndihmojnë në shtrirjen e mbretërisë së paqes të Krishtit. Mbretëria e paqes shtrihet me dhurimin e vetvetes, me dashurinë, deri në kulm, edhe ndaj armiqve. Jezusi nuk ngadhënjen mbi botën me forcën e armëve, por me forcën e Kryqit, garancia e vetme e fitores”.
Ashtu si Shën Pali – vërejti Papa - duhet të jemi gati të paguajmë personalisht, ta vuajmë në shpirtin e në korpin tonë fyerjen, moskuptimin, përjashtimin, persekutimin. Sepse nuk është shpata e ngadhënjimtarit ajo, që siguron paqen, por shpata e njeriut të vuajtur, që di të dhurojë jetën e vet. Prej këndej, thirrja e Atit të Shenjtë, drejtuar të krishterëve për t’u bërë armë të paqes, në një botë ende të copëzuar nga urrejtja, përçarjet, egoizmi, luftërat:
Duhet t’i lutemi Zotit, që takimi i nesërm në Asizi, të favorizojë dialogun ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare e të sjellë një rreze drite, për të ndriçuar mendjen dhe zemrën e të gjithëve, që mllefi t’ia lëshojë vendin faljes; përçarja, pajtimit; urrejtja, dashurisë; dhuna, zemërbutësisë e, në mbarë botën të mbretërojë paqja”.
Liturgjinë e Fjalës e hapi kardinali Agostino Valini, i cili bëri thirrje, që emri i Zotit të mos përdoret kurrë më për të përligjur luftën e dhunën por, përkundrazi, të jetë burim, që ndihmon për njohjen dhe respektin ndërmjet popujve e kombeve.
Në shumë gjuhë, nga ajo arabe, tek gjuha kineze, ndjetet e lutjeve. Në spanjisht, lutja që të krishterët të rizbulojnë udhën e unitetit e të bëhen shenjë e asaj paqeje, për të cilën Krishti dha jetën, i mbërthyer mbi kryq.








All the contents on this site are copyrighted ©.