2011-10-26 17:07:13

Nga veprimtaritë, në vigjilje të Ditës së Lutjes për Paqen, në Asizi.


Dje, në Romë, filloi takimi i shtatëmijë anëtarëve të Lëvizjes Kolping, për formimin shpirtëror, moral e profesional, apostullimin shoqëror në shërbim të punëtorëve e të familjeve të tyre dhe përhapjen e doktrinës shoqërore të Kishës. Shtegtimi i anëtarëve të Veprës organizohet me rastin e 20-vjetorit të Lumnimit të Themeluesit, meshtarit gjerman, Adolf Kolping (1813-1865), kryesuar, në Vatikan, më 27 tetorin e vitit 1991, nga i Lumi Gjon Pali II.
Sot shtegtarët e Kolpingut morën pjesë në Liturgjinë e Fjalës, kryesuar nga Benedikti XVI, ndërsa pasdite ishin të pranishëm në Sallën e Palit VI, për manifestimin e hapjes së takimit.
Kremtimet kryesore liturgjike do të jenë Mesha Shenjte në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, kryesuar nga kardinali mbrojtës i Veprës, Joakim Maisner, kryeipeshkëv i Këlnit dhe Eukaristia përfundimtare në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga kardinali i Vienës, Kristof Shënborn.
Kujtojmë se Vepra Kolping zhvillon një veprimtari konkrete bamirëse në Shqipëri, ku ndihmon pa kursim njerëzit më të ligshtë: të varfër, të sëmurë, të paaftë për të siguruar deri bukën e përditshme, për të cilën shpesh mendojnë bamirësit e Kolpingut, në emër të Krishtit!

Pranë Universitetit Tre të Romës, sot u organizua një tryezë e rrumbullakët me temë “Besimtarë e jo besimtarë përballë sfidave të botës moderne”. Veprimtaria përkon me takimin e Asizit, në të cilin këtë herë do të marrin pjesë edhe jo besimtarë. E pikërisht për dialogun me jo besimtarët u diskutua në takim, duke u mbështetur tek libri i ri “Oborri i paganëve” (Shtëpia Botuese Donzelli). Pas përshëndetjes së hapjes, nga kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, folën përfaqësues të disa Universiteteve të botës, nga Kalifornia, Londra, Meksiko, Parisi, Roma etj. etj.

Ndërsa Asizi u gjunjëzua për një çast lutjeje e reflektimi, në katedralen e Shën Rufinit, kryesuar nga ipeshkvi i Asizi-Noçera Umbra-Gualdo Tadino, imzot Domeniko Sorrentino. Në vijim të pranishmit ndoqën reflektimin e fra Enco Biankit, Epror i Bozes, i cili u përqendrua kryesisht në përgatitjen shpirtërore të bashkësisë dioqezane e të të gjithë mysafirëve të Asizit, për Ditën e nesërme. Pati, më pas, shumë dëshmi të besimtarëve, që impenjohen konkretisht në dialogun ndërmjet popujve. Pas ekzekutimit të valles “Table of Silence Project” në Sheshin para katedrales së Shën Rufinit, filloi Mbrëmësorja e lutjes, me pjesëmarrjen e të rinjve të dioqezave të Umbries. Natë pa gjumë, në lutje, që takimi i madh i dialogut ndërfetar për paqen, t’i sjellë pikërisht sa më shumë paqe botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.