Qyteti i mirënjohur Asizi, zu fill në krahinën italiane të Umbries si vendbanim i
vogël. I kthyer, më pas në bashkësi, u lidh me Romën, duke marrë emrin Asisium. U
ungjillëzua në vitin 238 pas Krishtit përmes veprimtarisë misionare të ipeshkvit Rufino.
U pushtua e rrënua nga Gotët e Totilës. Deri në shekullin XI kur, duke kaluar nga
ana e gibelinëve, jetoi kohë shumë të trazuara, gjithnjë në ndeshje me Perugjën, guelfe.
Në vitin 1189, duke përfituar nga mungesa e mëkëmbësit perandorak, Korradon di Lucèn,
banorët e Asizit pushtuan fortesën e tij. Me që Perugja donte të ngatërrohej në luftën
e asizianëve për çlirim, Asizi marshoi kundër perugjianëve, por pësoi humbje të rënda
mbi Urën e Shën Gjonit. Kundërshtarët zunë shumë robër. Një prej tyre ishte edhe Françesk
Bernardone, i biri i tregtarit të pasur të pëlhurave, Pietro Bernardone, me origjinë
nga Luka, dhe i gruas së tij, Zonjës Pika. Ky djalosh, që do të bëhej asiziani më
i famshëm në shekuj, kishte lindur ndërmjet viteve 1181 e 1182. Pas burgimit në Perugjia,
vendosi të ngjeshë përsëri shpatën e të niset për kryqëzatën e kryesuar nga Gueltiero
di Brienne, por një sëmundje e papritur e detyroi të ndalohej në rrethinat e Spoletos.
Ndërkaq, në vitin 1197, në Asizi pagëzohej perandori i ardhshëm Federiku II. Më 1316
qyteti zgjëroi rrethimin me mure, duke përfshirë edhe kompleksin e Shën Françeskut,
kuvendin benediktin të Shën Pjetrit dhe lagjen Aretine. Por lulëzimi zgjati pak. Asizi
u dobësua keqas nga epidemia e murtajës së zezë dhe nga luftërat e paprera të kryesuara
nga kapedanë, që ndiqnin njëri-tjetrin. Gjithsesi në këtë kohë, Sheshi i Popullit
(1305) dhe Pallati i Igumenëve (1338) kishin marrë formën që kanë edhe sot. Qyteti
jetoi një periudhë tjetër qetësie gjatë sundimit të kardinalit Albornoz i cili, pasi
pati shtënë në dorë pronat e Kishës, rindërtoi Fortesën e Madhe, rrënuar gjatë ndeshjeve
të vazhdueshme të shekullit XIII. Pas tij, ndeshjet u ndezën përsëri ndërmjet dy familjeve
të fuqishme Nepis e Fiumi, për sundimin e pjesës së epërme e asaj të poshtër, sundim
që kalonte dorë më dorë, duke shkaktuar rrënime e çrregullime të reja. Në këto rrethana,
në qytet u bënë shumë pak ndërtime të reja. Meriton të kujtohet restaurimi i kuvendit
të Shën Françeskut dhe fillimi i punimeve për ndërtimin e Bazilikës së Shën Marisë
së Engjëjve, në zonën e Porciunkolës, zënë nga një mori banesash, ngritur që në kohën
e Shën Françeskut. Bazilika e re, e jashtëzakonshme, nisi të lartohej dalëngadalë
sipas projektit të Galeaco Alesit, për të mbrojtur denjësisht Kapelën e Porciunkolës
e për t’iu përgjigjur kërkesave të panumërta të shtegtarëve, që dyndeshin drejt viseve
françeskane. I njëjti arkitekt nisi restaurimin e Katedrales së Shën Rufinit, që humbi
stilin e vet romanik. Pasuan shumë ndërtime të tjera kishash e pallatesh private,
që u dhanë pamje të re edhe udhëve të qytetit të gurtë. Por kjo periudhë nuk zgjati
shumë e vendi ra përsëri në dekadencë ekonomike, me pasojë pakësimin e popullsisë.
Shekulli XIV nuk qe më i begatë për vendlindjen e Shën Françeskut. Shumë kisha u mbyllën,
të tjera u dëmtuan rëndë. Vepra artistike të të gjitha llojeve humbën ose u shitën
nga njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime fitimi. Nga një grabitje e tillë nuk shpëtuan
as afresket. Shumë prej tyre u shkëputën nga muret e u zhdukën kush e di se ku. Vetëm
në vitin 1881 rifilloi interesimi për qytetin e Shën Françeskut e të Shën Kiarës.
U hapën rrugë të reja, për të lehtësuar shtegtarët, që rifilluan të dynden me shumicë
në Asizi e, në fund të shekullit, në qytet arriti treni i parë. Dolën kështu, përsëri
në dritë kryeveprat e mëdha të arkitekturës, të skulpturës, të qelqit e të pikturës,
posaçërisht afresket e famshme të Giotto-s e të Cimabue-s.