2011-10-25 17:35:10

Vërejtje për dy poezi të Fishtës, botuar në gazetën Milosao.


Më 23 tetor u përkujtua 140 vjetori i ditëlindjes së Poetit tonë kombëtar, atë Gjergj Fishtës. E përkujtuam ne, që nuk e harrojmë në ditën kur lindi për tokë, e as në atë, kur lindi për qiell. E sivjet e përkujtoi edhe shtypi, në faqet e të cilit u dukën disa shkrime të dashamirëve të atë Gjergj Fishtës. Veçojmë shkrimin “Gjergj Fishta Átë në letrat shqipe”, shkruar nga Visar Zhiti, shoqëruar me një antologji poetike, zgjedhur nga një dashamir tjetër i Fishtës, Zef Skanjeti. Nuk e vëmë në dyshim qëllimin e mirë të këtij shkrimi, e aq më pak, autorët, që meritojnë nderimin më të madh. Megjithatë, duke i hedhur një sy vargjeve tejet të njohura, lexuesi i mësuar sticohet menjëherë, duke e ndjerë se diçka nuk shkon, se dikush ka gabuar! Po kush e ka fajin, që Poezia e atë Gjergjit, në veçanti, e gjithë letërsia e shkruar në dialektin gegë, në përgjithësi, duket në shtyp me gabime, që ia dëmtojnë seriozisht brendinë, formën, muzikalitetin? Vetëm në poezinë e parë (12 vargje, që i prijnë antologjisë), botuar më 23 tetor në gazetën ‘Milosao’, titulluar “Shqypnisë”, ka 10 gabime. Po i radhisim më poshtë dy variantet, me e pa gabime:
SHQYPNISË
(1909)
(Variant i gazetës)
T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri
Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri
Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshuemit.

SHQYPNISË
(1909)
(Variant origjinal)
T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri
Për nen qiellë t’ande t’kthielltë un me u perftue.
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,
Ku Shqypja e Burrit s’dron se i qaset niri.
Ktû trima léjn gjithmonë, pse ti je nâna
E armvet n’zâ, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zâna:
Eden n’Balkan ti jé; ti prej t’Amshu’mit.

Ndërsa në fragmentin e shkëputur nga poezia “Shqipnia e Lirë”, gabimet nisin që nga titulli:
SHQIPNIA E LIRË
(1921)
(Variant i gazetës)
Do t’valvitet m’Kaçanik
M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,
Përse toka shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, qi prej t’parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,
Posë atëherë kur vjen për mik.
Jo, jo: sot na ktu sundojmë;
Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin na nuk e lshojmë
S’njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n’qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazen e shokë,
Por se i cili m’cak të vet.

SHQYPNIA E LIRË
(1921)
(Variant origjinal)
Do t’valvitet m’Kaçanik
M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e zi Flamri i shqyptarvet,
Përse toka shqyp kû flitet,
Ajo vetë âsht, qi prej t’parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,
Posë atê herë kur vjen për mik.
Jo, po: sod na ktû sundojmë;
Ktû s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirín na nuk e lshojmë
S’njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n’qiell e na mbi tokë:
Me gjithkend vllazen e shokë,
Por se i cilli m’cak të vet.
Më se dhjetë gabime edhe në shkrimin e kësaj poezie, për të mos kujtuar, më pas gabimet në shkrimet e tjera kushtuar atë Gjergjit. E deri kur do të vijojmë t’i lexojmë kryeveprat e Poetit Kombëtar të tjetërsuara? Njëqind vjet pas botimit të tyre pa asnjë gabim, realizuar në sa ishte gjallë, nën syrin e mprehtë të redaktorit të tij, gjuhëtarit të madh, atë Viktor Volajt? Si t’i quajmë botimet e kohëve tona, shkëputur nga tradita tejet e pasur gege, në faqet e gazetave shqiptare? Çkujdesje e ‘skribëve’ apo regres. Në Shqipërinë e sotme ka njerëz që dinë të shkruajnë korrekt deri japonisht, e s’po paska asnjë që ta shkruajë si duhet gegërishten (të cilën vijon ta flasë mbarë Veriu), me të gjitha shenjat e saj diakritike, mungesa e të cilave e dëmton rëndë poezinë, për të mos folur, pastaj, për historinë e gjuhës? E në se nën kujdesin e dashamirëve dalin në dritë botime me kaq shumë gabime, ç’mund të presim prej atyre që vijojnë ta shikojnë shtrembër veprën e pater Gjergjit, thjesht sepse nuk janë në gjendje ta kuptojnë e ta shijojnë?!
Po a ia vlen të revoltohemi për ca hundore e tinguj të gjatë zanorë, shkurtuar mizorisht, në sa ne, në këtë përvjetor të lindjes së atë Gjergjit, duke shfletuar, për mall, Anzat1, në çerdhe të të cilave është edhe më i madh se në Lahutë, lexojmë qysh në faqen e parë:
“Sot n’Shqypní, more lum miku
Histori âsht meteliku;
Pse per tjeter, per ketë besë,
Veç se i qet ti zavall kresë,
Veç sa i lán ti kryet gomarit,
Tu u mundue per fis t’Shqyptarit”.
Thua t’i ketë shkruar këto vargje edhe për sot, kur ka kaq shumë lëndë për satirë e asnjë poet satirik? Thjesht nga që, duke shkruar kështu, shfren, sepse edhe në varr, vijon t’i dhimbset populli i vet?

1 Nakdomonicipedia, Pjesa I; Anzat e Parnasit, Botim III, Shtypshkroja A. Gj. Fishta, 1942, fq. 5







All the contents on this site are copyrighted ©.