2011-10-25 15:42:37

Kah takimi i lutjes për paqen në Asizi. Imzot Sorrentino: jemi të gjithë kërkimtarë të përvuajtur të së Vërtetës.


Kanë kaluar 25 vjet, që kur Gjon Pali II mblodhi në Asizi, përfaqësuesit e feve botërore, që të luteshin për paqen. Ai 27 tetor i largët, rikthehet këtë vit, pas tri ditësh, me dëshirën e Benediktit XVI, që për këtë edicion, deshi një përmasë të re: atë të shtegtimit kah e vërteta. “Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes” është titulli i kësaj dite reflektimi, dialogu e lutjeje për paqen, në të cilën do të marrin pjesë, në qytetin e Shën Françeskut, 176 përfaqësues të traditave të ndryshme fetare, përveç të krishterëve e hebrenjve. Ky vit sjell një të re: edhe ata, që nuk besojnë, do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre.
Për pritjen e kësaj ngjarjeje të madhe, na flet imzot Domeniko Sorrentino, kryeipeshkëv i Asizi-Noçera Umbra-Gualdo Tadino:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ai, që u realizua këtu 25 vjet më parë, la pas gjurmë të pashlyeshme. Gjithçka erdhi më pas, u bë nën hijen e këtij frymëzimi të madh, që u quajt me të drejtë “shpirti i Asizit”, duke u lidhur me figurën e Shën Françeskut e me karizmën e kësaj Kishe. Bashkësia jonë kishte shumë dëshirë që Papa të rikthehej e ta rikujtonte profecinë, e cila kumboi këtu në mënyrë të paharrueshme, 25 vjet më parë. Ishim në pritje që një ngjarje e tillë të rikujtohej e të rihapte rrugë të reja, me të njëjtin frymëzim françeskan. E ndjejmë veten me të vërtet të nderuar si bashkësi, që vihet përsëri në qendër të vëmendjes së Kishës e, në një farë mënyre, edhe të mbarë botës. Fërgëllimi i zemrës, entuziazmi i fesë e lutja, janë gjithçka.

Pyetje: - Imzot Sorrentino, tema e kësaj dite i kushtohet kuptimit të shtegtimit, lidhur ngusht me kërkimin e së vërtetës…

Përgjigje: - Kur mendon për paqen, të tundon mendimi se paqja favorizohet nga kushte, në të cilat pak mbrohet e vërteta: të krijohet ideja se sa më pak të themi të vërtetën, sa më pak ta dëshmojmë të vërtetën, aq më shumë e më mirë mund të rrimë së bashku. Po Papa na kujton se pa të vërtetën, mund të përligjet çdo tip i dhunës. E vërteta duhet thënë hapazi, duhet kërkuar. Njeriu duhet të jetë gjithnjë për udhë drejt së vërtetës, të shtegtojë kah ajo, me bindjen se të gjithë jemi kërkimtarë të përvujtë të së Vërtetës.

Pyetje: - Cilat janë dëshirat dhe shpresat tuaja, posaçërisht për periudhën pas 27 tetorit?

Përgjigje: - Mendojmë se Asizi duhet të bëjë diçka edhe më pas: jemi impenjuar, për shembull, që më 27 tetor të çdo viti, të gjejmë ndonjë formë të re përkujtimi, aktualizimi, ripërtëritjeje të kësaj ngjarjeje të madhe. E për këtë punë, po ngrejmë edhe një organizëm koordinimi me mbarë botën françeskane. Uroj – posaçërisht për bashkësinë time - që ta përvetësojë plotësisht shpirtin e kësaj ngjarjeje. Shpirt që, përmes Françeskut, na çon tek Ungjilli, tek Jezusi, tek e Vërteta, që shëlbon e që duhet dëshmuar, pa u vringëlluar kurrë si armë, por gjithnjë me ëmbëlsi, butësi, përvujtëri, me frymën e dialogut e me dëshirën për të ndërtuar një shoqëri universale, e cila ta marrë, posaçërisht nga fetë, shtytjen për transhendencë e bashkim, që i krijojnë jetës njerëzore kushtet për të jetuar në paqe.









All the contents on this site are copyrighted ©.