2011-10-25 15:38:59

Benedikti XVI për Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit: fenomeni i emigracionit “mundësi”, që na jep Provania Hyjnore


“Emigracioni dhe ungjillëzimi i ri”: kjo është tema e Mesazhit të Papës për Ditën e ardhshme Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që do të kremtohet më 15 janar 2012. Sot paradite, dokumenti u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve, kryeipeshkvi Antonio Maria Veliò.
Benedikti XVI vë në dukje se koha jonë karakterizohet nga përpjekjet për ta shlyer Zotin nga jeta e përditshme. Pikërisht, për këtë arsye, është urgjent impenjimi për riungjillëzimin e botës, duke zgjuar në secilin prej nesh, entuziazmin dhe guximin për ta shpallur haptas e qartë Lajmin e Mirë të Krishtit, Ungjillin e Birit të Hyjit. Nga kjo pikpamje, fakti që në Perëndim vijnë valë të herëpashershme emigrantësh, duhet parë si një mundësi, që na jep Provania Hyjnore për ungjillëzimin e ri të bashkëkohësve. E nuk janë vetëm emigrantët, ata që duhet ta njohin Krishtin – natyrisht, kush nuk e njeh – por, emigrantët e krishterë, vëren Papa, vijnë shpesh nga vende, ku feja jetohet në mënyrë më të plotë se në Perëndim, prandaj, janë ata, që mund ta ndihmojnë Kishën në shpalljen e në dëshmimin e dashurisë së Zotit për njeriun.
Benedikti XVI kërkon kujdes të veçantë sidomos për këta emigrantë, të cilët, pavarësisht se e njohin Jezusin dhe mesazhin e Tij, kur vijnë në Perëndim, nxiten nga shoqëria ta humbasin përshpirtërinë e tyre. Për ta, nënvizon Ati i Shenjtë, duhen gjetur strategji të veçanta baritore.
Benedikti XVI porosit të tregohet mirëkuptim dhe solidaritet ndaj refugjatëve, duke kapërcyer frikën dhe diskriminimin. Ata kanë ikur me rrezik jete nga persekutimi e dhuna, nënvizon Papa, prandaj u duhen respektuar të drejtat dhe duhet të bëhen të vetëdijshëm për detyrat, që i presin në vendin, ku zgjedhin të banojnë. Rol vendimtar në këtë drejtim, u takon meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve të Kishës Katolike, për të cilët Ati i Shenjtë uron të bashkëpunojnë e të krijojnë lidhjet e nevojshme ndërmjet Kishës së origjinës, asaj të vendit tranzit e asaj të vendit destinacion, për të mirën e emigrantëve e të refugjatëve.
Vazhdon më pas Papa Racinger, duke kërkuar politika ekonomike e shoqërore në favor të punëtorëve emigrantë e të familjeve të tyre, si edhe një paqyrim më të mirë të problematikës së emigracionit në media. Së fundi, Benedikti XVI tërheq vëmendjen për gjendjen e studentëve të huaj, të cilët kanë probleme të mëdha burokratike, vështirësi për të gjetur shtëpi e për të kuptuar mënyrën e funksionimit të vendeve, ku studiojnë. Veçanërisht, universitetet me frymëzim të krishterë, thekson Papa, duhet të kontribuojnë në dialogun ndërmjet kulturave, duke vlerësuar atë ç’mund të japin në këtë fushë studentët ndërkombëtarë. Në përfundim të Mesazhit, Ati i Shenjtë i lutet Zojës së Bekuar, t’u zgjojë shpresa në zemër, atyre, që ecin nëpër rrugët e botës, në kërkim të një jete më të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.