2011-10-24 16:17:23

Papa në Koncertin pranë Sallës së Palit VI: muzika e Bruckner vëzhgon me art misterin e fesë.


“Një vepër madhështore, që sintetizon fenë e një muzikanti të madh, e njëkohësisht na kujton edhe ne se duhet të shikojmë më larg, të mendojmë për jetën e amshuar”. Ky, thënë me dy fjalë, ishte reflektimi i Papës, në përfundim të koncertit, që u dha të shtunën e kaluar, në sallën e Palit VI, në Vatikan. Në program, “Te Deum” dhe “Simfonia n. 9 në re minore” e Anton Bruckner. Protagoniste, Orkestra e Operas së Shtetit të Bavarisë, drejtuar nga Ken Nagano si dhe Audi Jugendchorakademi, drejtuar nga Martin Steidler. Ndërmjet orkestrantëve, edhe një violinist shqiptar: Arben Spahiu.

Papa e quajti veprën e luajtur, faqe e një analize të rafinuar muzikore, ndriçuar nga drita e fesë. Të dëgjosh muzikën e Brucknerit, është si të hysh në një katedrale të madhe, me harqe të përkryera, që të shtyjnë të ngrihesh lart e të krijojnë emocione të paharrueshme. Por themeli i gjithë këtij lartimi është feja e thjeshtë, e fortë, e vërtetë, mbi të cilën kompozitori i madh austriak mbështeti gjithë jetën, gjithë muzikën, gjithë tingujt, gjithë koncertet. E, në këtë simfoni të fundme, që ia kushton Zotit të mirë, shpreh një dëshirë pothuajse të fshehur të shpirtit të tij delikat:
“Të duket gati-gati sikur deshi t’ia besojë frytin e fundit të pjekur të artit të vet, Atij, që i kishte besuar gjithnjë e që tashmë ishte i vetmi bashkëbisedues, të cilit mund t’i drejtohej, në sa kishte arritur në çastet e fundme të jetës”.
E pikërisht në një përmasë misterioze, gati jashtë kohe, na çojnë tri lëvizjet simfonike. Na krijojnë ndjesinë e pritjes së vijueshme, që nga tingujt e parë misteriozë, deri tek adaxhio përfundimtare. Me mjeshtrinë e jashtëzakonshme, me tingujt rrëmbenjës, Bruckner i kërkon Zotit të mirë ta lejojë të hyjë në misterin e tij, që të mund ta lavdërojë në qiell, ashtu si kishte bërë në tokë me muzikën e vet e me këtë akt feje - nënvizoi Papa - duke folur, më pas, për aktualitetin e veprës së madhe muzikore, e cila tingëllon si…
“Një thirrje edhe për ne, që të shikojmë larg e të mendojmë për jetën e pasosur, e jo për të ikur nga e sotmja, edhe pse e ngarkuar me probleme e vështirësi. Përkundrazi: për ta jetuar edhe më thellësisht, duke rrezatuar në realitetin, ku jetojmë, pakëz dritë, shpresë e dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.