2011-10-24 12:53:57

Kosovë: në veri situata është e tensionuar


Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë, por shumë e tensionuar për shkak të veprimeve të ekstremistëve serbë, të cilët vazhdojnë t'i mbajnë rrugët e bllokuara.
Gjatë një takimi të mbajtur sot Komitetin lokal të sigurisë publike të Komunës së Mitrovicës, Kryetari i komunës, Avni Kastrati përshëndeti aksionin e KFOR-it për të zhbllokuar rrugët magjistrale nga barrikadat që kanë vendosur strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.
Zyra e shtypit e komunës se Mitrovicës bëri të ditur se Kryetari Kastrati e vlerësoi këtë si një hap të domosdoshëm për të vendosur lirinë e lëvizjes në atë pjesë të vendit, ndërsa theksoi se bllokimi i rrugëve është i papranueshëm, meqë shumë banorë pa dallim të përkatësisë etnike kanë mbetur të izoluar.
"Ne vazhdimisht kemi kërkuar largimin e këtyre barrikadave në mënyrë që të normalizohet situata dhe njerëzit t'u kthehen aktiviteteve të përditshme", shtoi Kastrati.
Ndërsa Shefqet Aliu, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se, "strukturat e sigurisë duhet të shtojnë masat tek lagjet me popullatë të përzier në veri dhe se një vëmendje më e madhe duhet t'u jepet edhe fshatrave shqiptare të Leposaviçit".







All the contents on this site are copyrighted ©.