2011-10-24 15:46:19

Dokument i Vatikanit për ekonominë: urgjent, krijimi i një autoriteti botëror për qeverisjen e financës


Selia e Shenjtë paraqiti sot një dokument, i cili përmban ide për daljen nga kriza ekonomike botërore. Me titull “Për një reformë të sistemit financiar e monetar ndërkombëtar, në perspektivën e një autoriteti publik me kompetencë universale”, libreti i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen u bë i njohur nga kreu i dikasterit, kardinali Peter Turkson, së bashku me sekretarin, ipeshkvin Mario Toso dhe me profesorin italian të ekonomisë, Leonardo Beketi.
Kriza e rëndë ekonomike e botës së sotme, shkruhet në dokument, e ka zanafillën në kombinimin e gabimeve teknike me përgjegjësitë morale. Gabimet e politikave të Ekonomisë dhe të Financave, si edhe dobësitë strukturore të institucioneve të tyre, janë rënduar për shkak të qëndrimeve të gabuara etike në të gjitha nivelet, në një ekonomi, që bazohet gjithnjë e më tepër në utilitarizmin dhe në materializmin.
Në shënjestër të dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen është veprimtaria e bankave, të cilat duke e zgjeruar fushën e kredive, shtuan sasinë e monedhës në qarkullim, duke krijuar inflacionin, i cili më pas, u kthye kundër vetë bankave, të paafta të paguanin interesat. Shpejt, kjo krizë kaloi edhe në ekonominë reale, duke filluar nga sektori i ndërtimit. Prirjet negative për zhvillimin dhe tregtinë sollën pasoja të rënda për punësimin e jetën e miliarda njerëzve. Mëse 1 miliard vetë, vë në dukje Selia e Shenjtë, janë të detyruar të jetojnë me diçka më tepër se një dollar në ditë.
Me trishtim, në dokument vihet në dukje se ndërmjet 1900-ës dhe 2000-shit, popullsia e botës është katërfishuar dhe pasuria e prodhuar në nivel botëror është shtuar me shpejtësi edhe më të madhe. Pra, të ardhurat për frymë janë rritur jashtëzakonisht, por jo edhe shpërndarja e drejtë e kësaj pasurie, e cila në të kundërtën, është keqësuar. Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen vë gishtin mbi plagën e mosrespektimit të rregullave e të kontrolleve në nivel ndërkombëtar, pavarësisht se ato shpesh respektohen brenda vendeve. Në nivel botëror, vlen rregulla e më të fortit, vihet në dukje në dokumentin për ekonominë. Ideologjia në bazën e këtij qëndrimi është “dobia personale sjell edhe të mirën e përbashkët”, por kjo – vëren dikasteri për Drejtësinë e Paqen – nuk është gjithmonë e vërtetë. Do të duhej më tepër frymë solidariteti, e vetmja, në gjendje të heqë dorë nga dobia personale për të mirën e përbashkët. Vendimet për ekonominë botërore, thekson Vatikani, duhet të merren jo mbi bazën e interesave të grupeve, apo të vendeve të caktuara, por në favor të të gjithëve.
Në dokument përkrahet ideja e vendosjes së një takse ndërkombëtare për transaksionet financiare. Duhet të vilet, duke pasur parasysh sasinë e transaksionit dhe kompleksitetin e operacioneve, sidomos ato që realizohen në tregun “dytësor”, ku bëhen pjesa më e madhe e spekullimeve financiare. “Një taksë e tillë – lexohet në tekst – do të ishte shumë e dobishme për të nxitur zhvillimin global e të qëndrueshëm, sipas parimeve të drejtësisë shoqërore e të solidaritetit”. Fondet e mbledhura në këtë mënyrë, vazhdon Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, do të kontribuonin në krijimin e një rezerve botërore për të përkrahur ekonomitë e vendeve në krizë, si edhe ndërhyrjet në sistemin e tyre monetar e financiar.
Rikapitalizimi i bankave, vazhdon dokumenti, pra, shpëtimi i tyre nga falimentimi, duhet të bëhet vetëm nëse ato detyrohen të veprojnë në mënyrë “virtuoze”, me qëllim zhvillimin e ekonomisë reale e jo spekullimin. Vatikani denoncon rrezikun e krijimit të një brezi “teknokratësh”, që s’dinë ç’është e mira e përbashkët, kërkon reformimin e sistemit financiar e monetar ndërkombëtar dhe themelimin e një autoriteti publik universal, që të qeverisë financat. Mund të jetë një Bankë Qendrore Botërore, shkruhet në dokument, e cila duhet të mendohet e krijohet duke pasur si pikë referimi Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ky autoritet i ri, duhet ta vendosë politikën mbi ekonominë e të jetë “super partes”. Fondi Monetar Ndërkombëtar, që duhej të kryente detyrën e vendosjes së një numri të vogël me rregulla të pranueshme për të gjithë, e ka humbur qëndrueshmërinë e vet dhe nuk është në gjendje ta udhëheqë tregun ekonomik botëror, vëren Vatikani.
Dokumenti “Për një reformë të sistemit financiar e monetar ndërkombëtar, në perspektivën e një autoriteti publik me kompetencë universale” është hartuar në vazhdën e Enciklikës së Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate” dhe bazohet në traditën më të mirë të doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.