2011-10-22 19:47:31

Shenjtorët e javës që vjen


E diel 23 tetor, Kisha kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 23 tetor kalendari kishtar përkujton edhe shën Gjon Kapestranin e shën Severinin. Po sot Bie Dita Botërore Misionare. Këta shenjtorë na mësojnë se për të sjellë fryte në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit.
Të hënën më 24 tetor kalendari përkujton shën Anton Maria Klaret e shën Luigji Guanella. Liturgjia e kësaj dite na sjell mësimin e Jezusit i cili na kujton se masa e gjykimit hyjnor do të jetë e njëjtë me atë që kemi përdorur në jetën tonë për t’i gjykuar të tjerët.
Më martën më 25 tetor kalendari përkujton shën Krispinin e shën Gaudencin. Liturgjia e ditës na kujton se jeta është dhuratë nga Hyji e nuk na përket neve. Ne jemi vetëm mbarështues të saj, e kush ta ketë mbarështuar me urti, do të shpërblehet sipas planit të Zotit, që është burim i dritës, i gëzimit e i shëlbimit.

Të mërkurën më 26 tetor, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Dhimitrin, martir. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të enjten e ardhshme më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. Liturgjia e ditës na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.

Të premten më 28 tetor, sipas kalendarit kishtar do të kremtohet festa e shenjtorëve Simoni e Juda Tadeu, Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.

Të shtunën që vjen më 29 tetor kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Në këtë ditë liturgjia na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë në jetën tonë të përditshme

Të dielën e ardhshme më 30 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 31 gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 30 tetor kalendari kishtar do të përkujtojë festën e shën Gjermanit, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.