2011-10-22 19:46:23

Prefekti i “Ungjillëzimit të Popujve” mbi Ditën Misionare Botërore: “Misioni ‘ad gentes’ ne harmoni me ungjillëzimin e ri”


Të dielën më 23 tetor Kisha katolike kremton Ditën e 84-të Misionare Botërore. Kumitmi i Ungjilli është shërbimi i parë ndaj njeriut. Ishte viti 1926, kur Vepra e Përhapjes së Fesë (Propaganda Fidae) i sugjeroi Papës Piu XI të themelonte një Ditë vjetore në favor të veprimtarisë misionare të Kishës universale. Një vit më pas, më 1927, u kremtua Dita e parë Misionare Botërore, e cila vazhdoi të kremtohet gjithnjë të dielën e parafundit të tetorit, muaj misionar. E kjo ditë është pikërisht sot me 23 tetor. E gjithë Kisha Katolike, në mbarë botën, përqendrohet në nevojat e misionarëve e në punën e tyre për ungjillëzimin e popujve. Tema e sivjetme është marrë nga Ungjilli i Shën Gjonit: “Ashtu si Ati më ka dërguar mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju”. Në mikrofonin tonë, Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, dikur “Propaganda Fidae”, kryeipeshkvi Fernando Filoni:
Zgjedhja e kësaj teme nga ana e Atit të Shenjtë ka si pikë referimi, para së gjithash, Atin Qiellor, sepse misioni vjen nga Zoti, i besohet Jezu Krishti e Ky ua beson njerëzve. Këta njerëz janë Apostujt, të cilët, nga ana e tyre, ia besojnë misionin pasardhësve e pra Kishës. Hallka e parë e këtij zinxhiri është Zoti e pastaj, ai mbërrin natyrshëm tek njerëzit. Është historia ajo, që na mundëson më pas ta çojmë Lajmin e Mirë në të gjitha vendet e në të gjitha kombet. Derisa të ekzistojë edhe një njeri i vetëm, që nuk e njeh Ungjillin, nuk e njeh dashurinë e Zotit, për Kishën mbetet thelbësore t’i çojë mesazhin e Ungjillit, ashtu siç na e ka lënë Jezu Krishti: “Ashtu si Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj juve”.
Ç’kuptim merr Dita Misionare Botërore në kuadrin e ungjillëzimit të ri?
Ungjillëzimi i ri ka të bëjë me ata, që e njohin Ungjillin, janë pagëzuar, por e kanë harruar, ose e injorojnë përkatësinë e tyre të krishterë. Ndërsa Dita Misionare ka të bëjë me ungjillëzimin e parë, ashtu siç e ka përcaktuar Koncili II i Vatikanit, në dekretin “ad gentes”: “detyra e parë e Kishës mbetet ajo e shpalljes së Lajmit të Mirë”. Por, së bashku me shpalljen bëhet edhe riungjillëzimi i atyre, që e kanë lënë disi pas dore jetën e krishterë.
Gjatë kësaj dite, ofertat e besimtarëve në meshë mblidhen dhe përdoren për qëllime të veçanta misionare. Po këtë vit, ku do të shkojnë këto fonde?
Ofertat e Ditës Misionare përdoren për të gjitha veprimtaritë misionare, nga ungjillëzimi tek vendosja e Kishës, aty ku nuk ekzistonte më parë. Pra, ato ndihmojnë në formimin e dioqezave, të klerit, të rregulltarëve, u japin atyre struktura dhe krijojnë elementet e nevojshme për jetën e Kishës. Fondet përdoren për ndërtimin e kishave e për formimin e të rinjve përmes shkollave të të gjitha niveleve. Gjithashtu ndihmohen njerëzit në fushën e shëndetësisë e të realitetit të tyre në përgjithësi. Të gjithë të krishterët marrin pjesë në këto oferta. Janë pak si paratë e vejushës së Ungjillit, nuk e zgjidhin plotësisht problemin, por ndihmojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.