2011-10-21 15:39:48

Kardinali Turkson dhe nunci në Libi mbi vrasjen e Gedafit: nuk mund të gëzohemi për vdekjen e një njeriu!


Kardinali Peter Turkson, gjatë një bisede me “Tmnews”, pohon: “Bota nuk mund ta kremtojë vdekjen e një njeriu, edhe në qoftë kriminel”. Duke komentuar vdekjen e Gedafit, kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, nënvizon se Libisë, ashtu si dhe pjesës tjetër të Afrikës, që ka nisur të gëzojë “pranverën arabe’, nuk i mjafton të jetë e lirë nga ca lidër. I duhet të sigurojë lirinë për të gjithë, edhe për pakicat e krishtera.
“Kur jemi para një të vdekuri, duhet të mbizotërojë ndjenja e mëshirës së krishterë e asaj njerëzore. Nuk është rasti të gëzohemi para një kufome, e as të kënaqemi, para një njeriu të masakruar”. E ripohoi këtë, pak orë pas vdekjes së Gedafit, imzot Tomazo Kaputo, nunc apostolik i Maltës e i Libisë, që nënvizon se në këto çaste, më shumë se kurrë, duhet ecur përpara me dëshirën e sinqertë për t’i siguruar mbarë Libisë paqe e përtëritje. Por, ç’ndryshim pëson, me zhdukjen e Gedafit, fytyra e Libisë, ende përplot me konflikte civile ndërmjet kryengritësve e partizanëve të regjimit të vjetër?
Të dëgjojmë mendimin e imzot Kaputos:

Përgjigje: - Përballë vdekjes së një njeriu, duhet të mbizotërojnë gjithnjë ndjenjat e mëshirës kristiane e humane. Nuk mund të gëzohesh për një epilog, për vdekjen e kolonelit Gedafi, e cila inkuadrohet në skenën e një konflikti, që zgjati tepër e përfundoi me flijimin e shumë jetëve njerëzore. Në këto çaste, më shumë se kurrë, i duhet hapur udha vullnetit të sinqertë për t’i siguruar mbarë vendit kohë vërtet të reja, nën shenjën e rikthimit të harmonisë shoqërore. E, në çastin kur vihet dorë mbi rindërtimin e vendit në të gjitha nivelet, duke nisur nga rendi shtetëror, objektivi i pajtimit kombëtar duket si mundësia e vetme dhe e papërsëritshme, lidhur ngusht me kërkesën e drejtësisë shoqërore e atë të respektit, të dinjitetit të çdo njeriu, si parakusht themelor për një zhvillim të rregullt e të drejtë shoqëror.

Pyetje: - Ç’shpresa keni për vendin, për Libinë e re?

Përgjigje: - Gjatë katër vjetëve të fundit të shërbimit tim si përfaqësues i Papës në Libi, kam qenë në lidhje të ngushtë me popullin libian, duke vizituar posaçërisht rregulltaret tona, që kryejnë misionin në 13 strukturat e ndryshme, si në Cirenaikë, ashtu edhe në Tripolitani. Jam i bindur se në zemrën e libianëve ka shumë dëshirë për paqe e harmoni. E kjo është shenjë shpresash të mëdha për të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.