2011-10-21 12:23:55

Ekspozitë për Nënë Terezën në muzeun historik kombëtar në Tiranë


Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka çelur në një nga pavijonet e tij një ekspozitë të përhershme, në kuadër të tetë vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës më 19 tetor.
Ekspozita përmban një set fotografish të së Lumes Nënë Terezë, bamirëses së njerëzimit me mbishkrime të saj dhe atë çka kanë thënë personalitete të ndryshme për të. Gjithashtu aty janë ekspozuar edhe disa prej objekteve personale të saj si kryqi i mbajtur nga Nënë Tereza, dhuratë nga Papa Gjon Pali i II, peshqiri që ajo ka përdorur në vizitën e saj në Shqipëri, në vitin 1991, Rruzaret e Shenjtë e saj, ujëbekorja, etj.
Për herë të parë në këtë ekspozitë Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka bërë publike një dokument të vitit 1970 lidhur me përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare pas kërkesës së bërë në vitin 1969 nga ambasada franceze lidhur me strehimin e nënës dhe motrës së Nënë Terezës pranë Caritas-it.
Pjesë e këtij këndi, është edhe një dokumentar i vitit 2010 "Ikona e dashurisë", një realizim i Muzeut Kombëtar dhe RTSH-së, me skenar të Luan Malltezit dhe regji të Ilir Harshovës.
Më datën 19 tetor shënohen tetë vjet nga Lumturimi të Nënë Terezës, Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, bamirëses shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqen më 1979. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, Nënë Tereza u shpall "E Lumtur" nga Papa Gjon Pali i II gjatë kremtimit të Meshës solemne në sheshin e Vatikanit më 19 tetor 2003, një ceremoni që e lartoi figurën e saj në nderime të elterit dhe hapi rrugën drejt shenjtërimit.
Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes ripohoi punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve më të varfër dhe të personave që mënjanuar nga shoqëria, të atyre që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një mirënjohje botëror veprimtarisë së Nënë Terezës e të motrave Misionare të Dashurisë që kishte themeluar, për të dëshmuar dashurinë e Zotit ndaj çdo njeriu e posaçërisht ndaj atyre që refuzoheshin e refuzohen nga shoqëria njerëzore.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, Nënë Tereza mes tjerash deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri".
Nënë Tereza, u lind në kohën e pushtimit otoman në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej motër rregulltare për t’iu kushtuar jetën Krishtit e njerëzve të varfër. Në moshën 18 vjeç hyri në Urdhrin e Motrave të Loretos, në Dublin, më vonë kalon me mision në bashkësinë e Motrave të Loretos në kryedioqezën e Kalkutës e pikërisht në një shkollë. Këtu Nënë Tereza merr vendimin dhe e le shkollën për t’iu përshkuar krejtësisht të varfërve, të sëmurëve e të braktisurve në emër të dashurisë së Jezu Krishtit. Shërbimi i saj shembullor ndaj të varfërve qe një dëshmi e jashtëzakonshme e dashurisë Ungjillore, që zgjoi ndërgjegjen e njerëzimit para dramës së urisë të njerëzimit të mënjanuar nga shoqëria.
"Shenjtore e të varfërve", siç u quajt e Lumja Nënë Terezë ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Trupi i saj pushon në shtëpinë e Motrave Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.







All the contents on this site are copyrighted ©.