Benedikti XVI ambasadorit të Vendeve të Ulëta: forca e Kishës nuk bazohet mbi llogaritë,
as mbi interesat, por mbi besimin në Krishtin.
“Forca e çarmatosur e parimeve, që burojnë nga besimi i saj në Krishtin. Kjo është
baza e autoritetit të Kishës në arenën ndërkombëtare”. Benedikti XVI e ripohoi
këtë, në audiencën me ambasadorin e ri të Vendeve të Ulëta pranë Selisë së Shenjtë,
Jozef Weterings, të cilin e priti sot paradite në Vatikan, për paraqitjen e letrave
kredenciale. Papa i vlerësoi lart përpjekjet e autoriteteve holandeze në mbrojtje
të lirisë së besimit, që – siç theksoi Shenjtëria e Tij – kërcënohet seriozisht nga
mendësia e përhapur antifetare, edhe në ato kombe, ku mbrohet me ligj.
I lirë
nga çdo llogari, që ka të bëjë me grumbullimin e votave, e edhe nga nënshtrimi që
krijon paraja në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të varfëra me ato të pasura, ndikimi
i Selisë së Shenjtë në botë fluturon shumë më lart. Me flatrat e lajmit të Ungjillit
e të vlerave të krishetra, ndikon kudo në jetën e njeriut, posaçërisht të atij që
është më i varfër, më i ligësht. Kisha e ka jetuar e vijon ta jetojë kështu misionin
e saj, edhe pse ndokush, për dobësi, e tradhton. Me guximin e transparencën, që
e karakterizon gjithë papninë e tij, Benedikti XVI e nisi fjalimin drejtuar ambasadorit
të ri holandez, akredituar pranë Vatikanit, me një konstatim, që nënvizohet shpesh
në rrethana të tilla. Selia e Shenjtë – pohoi - nuk është fuqi ekonomike, e as ushtarake: ““Its
contribution to international diplomacy… Kontributi i saj në diplomacinë
ndërkombëtare qëndron kryesisht në përkujtimin e parimeve etike, që do të duhej të
mbronin rendin shoqëror e politik, si dhe në tërheqjen e vëmendjes mbi nevojën e ndërhyrjes
për të parandaluar shkeljen e këtyre parimeve. Prej këndej, dialogu diplomatik, në
të cilin impenjohet Selia e Shenjtë, nuk zhvillohet as në mënyrë konfesionale, e
as për arsye pragmatike, por mbi bazën e parimeve universalisht të praktikueshme,
reale, në përkim me elementet fizike të mjedisit natyror”. Zëri i Kishës,
e në veçanti i Selisë së Shenjtë – vijoi Benedikti XVI – është zëri i fortë i
atij që nuk mund të dëgjohet, sepse i pambrojtur, i varfër, i sëmurë, i moshuar, përfaqësues
i pakicave ose, ende i palindur. Kisha – theksoi me forcë Papa - kërkon gjithnjë të
mbrojë drejtësinë natyrore, detyrë kjo, dhe drejtë e saj. Prej këndej, Ati i Shenjtë
shtoi: While recognizing with humility… Ndonëse pranon
përvujtërisht se anëtarët e saj nuk janë gjithnjë në lartësinë e detyrave fisnike
morale, që ajo propozon, Kisha nuk mund të bëjë tjetër, veçse të vijojë t’i nxisë
të gjithë njerëzit, përfshirë edhe anëtarët e saj, të bëjnë gjithçka është në përkim
me drejtësinë e t’i kundërvihen çdo gjëje që është në kundërshtim me të”. Pastaj,
duke e përqendruar fjalimin në situatën e Vendeve të Ulëta, Benedikti XVI nënvizoi
një fragment nga fjalimi i diplomatit holandez, që pak më parë kishte folur për nevojën
e rivendosjes së paqes globale, përmes zgjidhjes së konflikteve dhe kundërshtimit
të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Për t’u vlerësuar – pohoi Papa - edhe
theksi që vuri ambasadori mbi nevojën për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Duke kujtuar
veprimtarinë e qeverisë holandeze kundër drogës e prostitucionit, Benedikti XVI vërejti
se liria e njerëzve për të zgjedhur rrugën që u pëlqen, e mbështetur gjithnjë nga
Holanda, balancohet me vetëdijen se rrugët e zgjedhura nuk duhet ta dëmtojnë atë që
i zgjedh, e aq më pak, të tjerët, gjithnjë në të mirë të shoqërisë. Papa vuri
në dukje, me kënaqësi, edhe veprimtarinë e qeverisë holandeze në mbrojtje të lirisë
fesë: “As you know, is a matter…Siç e dini, është çështje
që, në këtë çast, i intereson posaçërisht Selisë së Shenjtë. E kjo, sepse kërcënohet
jo vetëm nga detyrime ligjore, në disa vende të botës, por edhe nga mendësia anti-fetare
në gjirin e disa shoqërive, edhe në ato ku liria fetare gëzon mbrojtjen me ligj. I
urojmë, prandaj, qeverisë suaj, të përkujdeset që liria e fesë dhe liria e kultit
të vijojnë të mbrohen e të promovohen, si në atdhe, ashtu edhe jashtë tij”.