Çelësi i fjalëve të Kishës: kuptimi i krishterë i "veprave"!
Të dashur dëgjues, sot do të flasim për kuptimin e krishterë të ”veprave”.
Idenë na e dhanë autoritetet e pranishme sot e nesër për kremtimin e 20-vjetorit të
marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, veprat e të cilëve
dëshmojnë për mënyrën si i shërbejnë ata popullit të vet. Por të ndalemi më hollësisht
në këtë fjalë, duke pasur parasysh Biblën. ”Bëj” është pa dyshim folja më e zakonshme
dhe më e përdorur në të gjitha gjuhët e botës, ashtu si ”veprat” janë realitete që,
së bashku me ”fjalët”, i japin kuptim historisë së njerëzimit, e bëjnë atë të qëndrueshme
e të vazhdueshme dhe dëshmojnë fazat e ndryshme të zhvillimit të saj. Por, këto terma
mund të përdoren edhe për Zotin. Vepra e Tij themelore është krijimi, siç thuhet në
fund të tregimit biblik të shtatë ditëve të Zanafillës: ”Të shtatën ditë Hyji e
kreu punën e vet…Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë, që kishte bërë” (Zan 2,2).
Kështu, Bibla na jep shprehjen ”vepër e duarve të Hyjit”, me të cilën karakterizon
qiejt e yjet, por edhe vetë njeriun. ”Vepra” të mirëfillta hyjnore janë sidomos
aktet shëlbuese të Zotit në historinë e shpëtimit të botës. Shkrimi i Shenjtë përshkruan
qartë atë që s’beson, ose mëkatarin, të cilët ”s’i kqyrin veprat e duarve të tija”,
pavarësisht se shpesh, vepra e Hyjit është ”e jashtëzakonshme” e ”puna e
Tij është e mrekullueshme” (Is 5,12; 28,21). Nga ana tjetër, gjejmë besimtarin,
i cili i tregon ”veprat e Zotit, Hyjit të vet” (Jer 51,10). Por, pa dyshim, fjala
”vepër” merr vlerë të veçantë në dy nga ungjilltarët. I pari është shën Gjoni, i cili
përshkruan si ”vepra” (në greqisht ”érga”), disa mrekulli të Jezusit. Ato janë shenjë
e punës së Atit, i cili vepron përmes Birit, siç thotë vetë Krishti në Ungjill: ”Duhet
t’i kryejmë veprat e Atij, që më dërgoi… Ati, që banon në mua, i kryen veprat e veta.
Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak
të veprave” (Gjn 9,4; 14,10-11). Jo vetëm Zoti e Krishti veprojnë. Edhe
njerëzimi bën vepra, si të mira, ashtu edhe të këqia. Bibla na ofron një sërë thirrjesh
të Ligjit, të profetëve, të të urtëve, të krerëve të Izraelit, që të veprohet me drejtësi,
sidomos ndaj të afërmit. Madje, të gjitha aktet e dashurisë për të mjerët e të varfërit
konsiderohen nga Zoti, sikur të ishin bërë për Të, siç na thotë Jezusi, në Ungjillin
sipas Mateut, i dyti ungjilltar, që flet për veprat: ”çkado bëtë për njërin
ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40). Që këtej
del detyra për veprat e jetës sonë të përditshme, të cilat duhen bërë pa u mburrur,
sipas këshillës së Shën Palit Apostull. Shën Pali e shtjellon më tej domethënien
e veprimit të njerëzve në histori e në shoqëri. Ai deklaron se ”veprat e Ligjit” në
vetvete, pra ato, që u imponon hebrenjve Besëlidhja e Vjetër, janë të drejta, por
nëse njeriu mendon se vetëm përmes tyre mund të shëlbohet e të ndihet pranë Zotit
si bir i Tij, ato kthehen në ligje të rreme. Do të ishte njëlloj sikur një person,
që bie në moçal, të përpiqej vetë të dilte prej tij, vetëm duke lëvizur duart e duke
u përpjekur të ngrihet në këmbë. Natyrisht, nuk mund të dalë nga moçali, nëse nuk
i jep dorën dikujt jashtë tij, i cili mund ta tërheqë me forcë drejt tokës së qëndrueshme,
pavarësisht se është e rëndësishme edhe përpjekja e njeriut për të dalë. Është i nevojshëm
pra, një bashkëpunim. Përvijohen kështu, dy koncepte të rëndësishme paoline: ”feja”
nga ana e njeriut dhe ”hiri” nga ana e Zotit. Kuptohet qartë nga kjo thënie e Apostullit
të Popujve: ”Njeriu nuk shfajësohet në sajë të veprave të Ligjit, por vetëm në
sajë të fesë në Jezu Krishtin… sepse ’askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë’
me anë të veprave të Ligjit” (Gal 2,16). E atëherë, nuk paska nevojë për asnjë
impenjim nga ana e besimtarit? Nuk duhet të bëjmë vepra të drejta? Natyrisht që duhet
t’i bëjmë, por veprat do të jenë fryti i shfajësimit të marrë përmes fesë. Të gjithë
e dimë se bëjmë vepra të mira, kur jemi në hirin e Tënzot dhe e kemi shpirtin e pastër.
Edhe Shën Pali, pasi dënon veprat e mbrapshta, por edhe ato, që japin iluzionin e
vetëshëlbimit, pra, të shëlbimit me forcat e veta, rreshton ”frytet e ndikimit
të Shpirtit Shenjt”, që janë ”dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia,
mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria” (Gal 5,22). E kush me mirë se shqiptarët
i njeh pasojat e ”punës me forcat tona”, parrullë e tejetpërdorur në kohën e komunizmit,
që çoi në mjerimin e një populli të tërë e larg nga frytet e predikuara nga Shën Pali
Apostull.