2011-10-20 12:16:55

Zoja e Bekuar rikthehet pambarimisht ndërmjet bijve të vet!


Më 5 nëntorin e ardhshëm, në orën 17.00, Kryesia Kombëtare e Unitalsit (Bashkimi kombëtar italian për transportimin e të sëmurëve në shenjtëroret ndërkombëtare), do të jetë e pranishme në një Meshë, pranë famullisë së Shenjtorëve Marçelini e Pjetri, në Romë, ku gjatë protestave të së shtunës së kaluar, u dhunua Kisha dhe u thye shtatorja e Zojës së Papërlyer.
Shtatorja e re do t’i dorëzohet famullitarit, në fund të meshës.
Kjo shtatore e thyer, e flakur copa-copa në rrugë të madhe, na kujton shumë të tjera, të dhunuara, në të katër anët e botës, nga forcat më të zeza të kohëve. E të rikthyera, mbi elterët e vet, pambarimisht.
Që nga koha e lashtë, kur në amfiteatrot e perandorive, që dukeshin të pathyeshme, copëtoheshin kocka njerëzish e gjymtyrë shtatoresh.
Shtatoret e Zojës dolën nga katakombat e lashtësisë, së bashku me krishterimin, që në shekullin e IV pas Krishtit, kur Kostandimi I shpallte Dekretin e Milanos.
I shpëtuan dyndjeve barbare, në Mesjetën e mugët.
E dyndjeve të forcave të errëta në kohët e reja!
Shtatoret e Zojës u rikthyen në Kishat e veta në Francën, që i theu e para gjatë Revolucionit borgjez, kur u rrokullisen pak si tepër koka shtatoresh e njerëzish, duke përfshirë edhe krerët e këtij revolucioni.
U rikthyen në kishat e kuvendet e veta në Spanjë, pas rrënimit të madh të Luftës civile.
Zoja zuri rishtas vendin e vet mbi elterët e Rusisë, që u bë shkollë e shkatërrimit ateist për gjithë Evropën Lindore.
U rikthyen në Poloni, në Çekosllovaki, në Bullgari, në Rumani e edhe në Shqipërinë, së cilës i mungoi për më se një gjysëm shekulli, Pajtorja!
Zoja rikthehet pambarimisht mes bijve të vet. Gjithsesi, një gjest i tillë nuk mund të mos e tronditë jo vetëm besimtarin, por edhe çdo njeri vullnetmirë. Prandaj famullia romake e Shenjtorëve Marçelini e Pjetri, na fton të gjithë t’i lutemi njëzëri Zotit, që të gjitha shtatoret e thyera nëpër botë, të rikthehen, të reja, në vendin e tyre e sidomos, ndër zemrat e njerëzve, Kisha më e dëshiruar për Nënën e Krishtit.
Në kremtim do të jetë i pranishëm edhe një delegacion fëmijësh, të cilët pikërisht më 15 tetor do të kremtonin në Romë “Shtegtimin e fëmijëve në mision për paqen”, i cili u shty në pranverën e ardhshme, për shkak të protestës, që përfundoi me akte dhune. Do të rikthehen për të kremtuar në pranverë, fëmijët, e nuk do të harrojnë t’i bëjnë një vizitë falënderimi edhe Zojës së Papërlyer, e cila të dielën e ardhshme do ta zërë përsëri vendin, që i takon.







All the contents on this site are copyrighted ©.