2011-10-20 15:24:11

Vdes nga plagët Gedafi, 42 vjet në krye të Libisë


Bie sipari mbi Muhamar Gedafin. Koloneli libian, raisi, profeti i Afrikës së bashkuar dhe i panarabizmit, armik i kolonializmit doli nga skena sot, duke u ndarë nga kjo jetë pas plagëve të marra gjatë kapjes së tij në Sirte nga ushtarët e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit.
Për 42 vjet në krye të Libisë, ka qenë shpesh protagonist në arenën ndërkombëtare, mik-armik për shumë vetë, gjithnjë gati të habisë e të provokojë me të gjitha mënyrat. E famshme tenda e tij prej beduini, të cilën donte ta vendoste kudo ku shkonte për vizitë. Ja një sintezë e jetës së tij në krye të libianëve:
- 1 shtator 1969. Koloneli 27 vjeçar, Gedafi, kundër qeverisë së mbretit të moshuar Isdris al Senusi, i cili mbahej si tepër i dobët para Francës dhe SHBA-ve, përmbys regjimin me një grusht shteti pa gjakderdhje, merr Tripolin dhe shpall Republikën. Bëhet autoriteti i saj më i lartë, duke u mburrur vetëm me titullin e “Udhëheqësit të Revolucionit”.
- tetor 1970. Italianët rezidentë në Libi, pas kufizimeve të vazhdueshme të Gedafit, u përjashtuan nga vendi.
- 1976. Publikohet Libri i gjelbër i revolucionit, me të cilin lideri libian shpall parimet e tij politike e filozofike në favor të panarabizmit, kundër marksizmit dhe kapitalizmit.
- 1977. Lind Xhamahirija, “shteti i masave”, me të cilin Gedafi, udhëheqës i vetëm i Libisë, ripagëzon vendin.
- dhjetor 1979. SHBA-të e vendosin Libinë në listën e vendeve, që mbështesin terrorizmin, pasi gjatë një manifestimi në Tripoli u dogj ambasada amerikane.
- prill 1986. Pas atentatit (3 viktima e 250 të plagosur) në diskotekën berlineze “La belle”, frekuentuar nga ushtarë amerikanë, presidenti amerikan Ronald Regan miraton një raprezalje: në natën ndërmjet 14 e 15 prillit, SHBA-të bombardojnë Tripolin dhe Bengazin, duke shkatërruar rezidencën e Gedafit e duke vrarë bijën e tij të adoptuar. Koloneli, i lajmëruar nga Italia e Kraksit dhe e Andreotit, shpëton. Si përgjigje, Libia hedh dy raketa kundër stacionit të radios “Loran”, të rojes detare amerikane në ishullin italian të Lampeduzës.
- mars 1992. Embargo ajrore e ushtarake e OKB-së kundër Libisë, ndjekur nga sanksione ekonomike.
- mars 1999. Gedafi lajmëron se të dyshuarit për atentatin e Lokerbit, që ndodhen në burg në Libi, do të transferohen në Hollandë, e më pas, në procesin e tyre në Britaninë e Madhe.
- mars 2001. Në një mbledhje në Sirte, Gedafi mbështet lindjen e Bashkimit Afrikan.
- gusht 2003. Libia njeh përgjegjësinë e drejtuesve të saj në masakrën e Lokerbit, atentat në një avion të Pan Am, që në dhjetor 1998 shkaktoi 270 të vdekur, dhe impenjohet të dëmshpërblejë familjarët e viktimave.
- dhjetor 2003. Pas luftës në Irak, Gedafi shpall se heq dorë nga programi bërthamor libian.
- qershor 2006. SHBA-të e heqin Libinë nga lista e zezë.
- 30 gusht 2008. Traktat i miqësisë italo-libiane, i cili i jep fund problemeve koloniale ndërmjet dy vendeve.
- shtator 2008. Vizita në Tripoli e Sekretares së Shtetit amerikan, Kondolica Rajs, pas 55 vjetësh që nuk shkelte autoritet kaq i lartë amerikan në Libi.
- shkurt 2011. Shpërthen në Bengazi, revolta kundër Muhamar Gedafit. Pas gjashtë muajsh lufte dhe ndërhyrjes së NATO-s, rebelët hyjnë në Tripoli më 21 gusht, duke e bërë raisin të ikë nga sytë këmbët. Sot, kapja e tij në Sirte dhe vdekja për shkak të plagëve të marra.







All the contents on this site are copyrighted ©.