2011-10-20 12:16:31

Në Asizi me fetë botërore, 25 vjet pas Papës Vojtila.


“Edhe sot, ashtu si 25 vjet më parë, bota ka nevojë për paqe. E për të jetuar në paqe, duhet që besimtarët e feve të ndryshme të ecin krah për krah në rrugët e jetës e të botës”. Përmblidhet në këto fjalë të kardinalit Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, shpirti me të cilin, më 27 tetorin e ardhshëm, 25 vjet pas Papës Vojtila, do të mblidhen në qytetin e Shenjtit të paqes, barinjtë e grigjave më të mëdha të mbarë botës. Ishte viti 1968 kur Papa Gjon Pali II shtegtonte drejt Asizit, i ndjekur me vëmendje të jashtëzakonshme nga mbarë bota, që shikonte për herë të parë duke ecur së bashku, përfaqësues të të gjitha feve të globit tokësor. Edhe Papa Benedikti XVI do të shtegtojë në Asizi mbi gjurmët e Gjon Palit II, së bashku me përfaqësuesit e feve të ndryshme, për të marrë pjesë në ditën e reflektimit, të dialogut e të lutjes për paqen dhe drejtësinë në botë. Do të jenë 300, delegatët e feve botërore, nga 50 vende të ndryshme, që do të mblidhen rreth Papës në qytetin e Shën Françeskut, ku do të mbërrijnë së bashku, me tren. Përfaqësojnë shumë vende evropiane dhe amerikane, por edhe Egjiptin, Izraelin, Jordaninë, Pakistanin, Iranin, Indinë, Arabinë Saudite, Filipinet e shumë e shumë të tjera. Vihen për udhë të nxitur nga përgjegjësia që kanë njerëzit e fesë për paqen e bashkëjetesën paqësore. Ata kanë dëshirë – shpjegoi kardinali Turkson, duke ia paraqitur veprimtarinë shtypit, së bashku me sekretarin e dikasterit për dialogun ndërfetar, imzot Pierluigji Çelata, me përfaqësues të dikasterit për Bashkimin e të krishterëve e të Kulturës - edhe t’u kundërvihen të gjitha formave të përdorimit të fesë për qëllime, që nuk kanë të bëjnë fare me të. Ushtrimi i dhunës ndërmjet feve është shkandull. E shpërfytyron identitetin e vërtetë të religjonit, e fsheh fytyrën e Hyjit dhe i largon njerëzit nga feja. Është parim ky, që duhet ripohuar me forcë në këto kohë, kur vërehen gjithnjë më shumë forma, të vjetra e të reja, të diskriminimit e të ndeshjeve, siç janë ndeshjet e fundit në Egjipt e edhe në vende të tjera. Në sfond të tyre, janë edhe sfidat e reja – siç i quajti kardinali Turkson - sfida e krizës së ekonomisë, kriza e institucioneve demokratike e shoqërore, kriza ushqimore e ambientale, kriza e emigracioneve biblike, e thellimit të pabarazive. Në këtë kuadër, aspak të dëshirueshëm, plagët më të rënda, që presin mjekim të shpejtë, janë varfëria, uria e terrorizmi ndërkombëtar.
Për një botë të mbuluar me plagë të rënda, do të luten përfaqësuesit e feve të ndryshme, në Asizi. Por, për të mos krijuar rrezikun e sinkretizmit, domethënë të prirjes për të pajtuar elemente kulturore, filozofike a fetare të ndryshme, që u përkasin dy a më shumë kulturave a doktrinave, nuk do të ketë çaste lutjesh të përbashkëta: secili do të lutet sipas mënyrave e formave të fesë së vet. Theksi, më shumë se mbi lutjen, vihet mbi pjesëmarrjen në shtegtim, ndonëse nuk i ka përmasat numerike të Ditëve të mëparshme, siç theksoi kardinali Turkson, duke nënvizuar në mënyrë të veçantë temën e kësaj Dite: “Shtegtarë të së vërtetës- Shtegtarë të paqes”. Kërkimi i së vërtetës – vijoi Prelati i lartë - është kushti i parë, që duhet plotësuar për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, për ta mundur çdo formë paragjykimi, por edhe për të shmangur çdo formë sinkretizmi, që errëson identitetin.
Është një shtegtimin i përbashkët. Duhet ta njohësh atë që ke përkrah, ta kërkosh së bashku me të, të vërtetën, kusht i domosdoshëm për të fituar mbi fanatizmin e fondamentalizmin.
Për herë të parë në këtë shtegtim shprehës, do të marrin pjesë edhe personalitete, që nuk besojnë. Ndërmjet intelektualëve do të radhiten shumë emra të njohur.
Kujtojmë Julia Kristevën. gjuhëtare, psikanaliste, filozofe e shkrimtare franceze, me origjinë bullgare, autore e një romani shumë të njohur kushtuar Shën Terezës së Aviulës;
Remo Bodei-n, filozof italian, autor i dhjetra veprave filozofike e estetike; ndërmjet tjerash, i veprës “Filozofia e nëntëqindes”;
Guilermo Hurtado-n, diplomuar në filozofi pranë Universitetit të Oksfodirt, filozof e shkrimtar i njohur meksikan, autor veprës së famshme “Filozofia analitike dhe filozofia tomiste”, pa kujtuar të tjerat;
Valter Beier-in, ekonomist austriak, koordinator i transformeurope Network, e të tjerë e të tjerë...
Të gjithë, të ftuar përmes “Oborrit të paganëve”, saktëson struktura kushtuar dialogut me jo besimtarët.
Në krahasim me Ditët e mëparshme, duhet theksuar se numri i myslimanëve është më i madh, rreth 50, ndonëse shtegtimi i paqes kremtohet njëkohësisht me atë të Mekës e me punimet e Konferencës së Dohës, pa harruar se ‘pranvera arabe’ ka marrë edhe përmasa fetare, duke e lehtësuar, në disa vende, mundësinë e dialogut. Ndërmjet problemeve të mprehta të këtij dialogu, duhet kujtuar ngrirja e marrëdhënieve me Universitetin më të lashtë mysliman, Al-Azhar-in, që nisi vitin e kaluar, pasi Papa ngriti zërin për mbrojtjen e pakicave fetare në Egjipt. Por, përsa i përket qëndrimit të Benediktit XVI ndaj myslimanëve, pavarësisht nga polemikat e pas Regensburgut, “besoj se asnjë njeri i drejtë e vullnetmirë, nuk mund të gjejë elemente, që i kundërvihen apo shprehin antipatinë e Papës për botën myslimane” – nënvizoi Imzot Çelata.
Kështu, bota do t’i shikojë edhe një herë pranë e pranë prijësit e vet fetarë, të mbledhur për paqen, në qytetitn e paqes, për të kumtuar dëshirën e zjarrtë të njerëzimit për paqe!







All the contents on this site are copyrighted ©.