2011-10-20 14:29:34

Benedikti XVI ipeshkvijve australianë: të frymëzuar nga shenjtja Meri MekKillop, impenjohuni në ungjillëzimin e ri


Kisha australiane është rinovuar falë Ditës Botërore të Rinisë në Sidnej dhe pas kanonizimit të shenjtes Meri MekKillop: këtë nënvizoi Benedikti XVI në fjalën, që u drejtoi ipeshkvijve australianë, të cilët i priti sot në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre “ad Limina”. Papa i inkurajoi prelatët të impenjohen në sfidën e ungjillëzimit të ri. Gjithashtu, u kërkoi atyre të përpiqen për riparimin e të gjitha gabimeve e mëkateve të klerit.
“Dita Botërore e Rinisë – tha Papa – u bekua nga një sukses i madh e vazhdoi të japë fryte. Kleri dhe besimtarët eksperimentuan gjallërinë e Kishës dhe rëndësinë e përhershme të Lajmit të Mirë, i cili i duhet shpallur çdo brezi. Shpirti i Shenjtë nuk rresht kurrë së zgjuari në zemrat e të rinjve dëshirën për shenjtëri dhe zell apostolik”.
Këtu, Papa theksoi se u duhet qëndruar afër të gjithë atyre të rinjve, që reflektojnë seriozisht mbi mundësinë për t’u bërë meshtarë, ose rregulltarë. Më pas, Benedikti XVI u ndal në shenjtërimin e Meri MekKillop, apo shën Maria e Kryqit:
“Në rrethana sprovash të mëdha, Meri MekKillop mbeti gjithmonë një nënë shpirtërore, mbushur me dashuri për fëmijët dhe për gratë, që i ishin besuar”.
Ka qenë, vazhdoi Ati i Shenjtë, edhe një mësuese plot me risi për të rinjtë:
“Feja e saj e fuqishme, e shndërruar në veprimtari plot durim, ka qenë dhurata e saj për Australinë dhe për botën. Shembulli i saj duhet të frymëzojë prindërit, rregulltarët, mësuesit e të gjithë ata, që kanë për zemër të mirën e fëmijëve”.
Benedikti XVI nënvizoi rëndësinë e formimit, duke filluar nga katekizmi për fëmijët. Njëkohësisht, shtoi, është e nevojshme që edhe anëtarët e klerit të ndihmohen e të inkurajohen që t’i kushtojnë kohë e energji formimit të tyre të vazhdueshëm, duke u thelluar në jetën shpirtërore, në një botë, e cila shekullarizohet gjithnjë e më tepër. Ati i Shenjtë bëri thirrje për të shëruar plagët e së kaluarës:
“Është e vërtetë se detyra juaj baritore – u tha ipeshkvijve australianë – është bërë më e rëndë, nga mëkatet dhe gabimet e të tjerëve në të kaluarën, që janë edhe më të rënda kur bëhen nga anëtarë të klerit e rregulltarë. Megjithatë, ju keni tani për detyrë t’i shikoni gabimet e së kaluarës me ndershmëri e sinqeritet, për të ndërtuar, me përvuajtëri e vendosmëri, një të ardhme më të mirë për të gjithë”.
Së fundi, Papa shprehu vlerësimin e tij për përkthimin e ri të Mesharit Romak, fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet ipeshkvijve dhe Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.