2011-10-19 11:59:27

Tetë vjetori i lumturimit të Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut


Sot me 19 tetor kujtojmë tetë vjetorin e lumturimit të Nënës sonë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan nga Papa Gjon Pali II.
Si sot, me 19 tetor 2003, tetë vjet më parë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e lartonte Nënë Terezën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e elterit me shqiptimin e formulës kanonike të Kishës katolike. Ta dëgjojmë pikërisht çastin kulmor, shqiptimin e FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Pra, sot me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj në Shqipëri. Kjo ditë, me të drejtë, u shpall festë e të gjithë shqiptarëve, për të cilët e Lumja Nënë Terezë tani ndërmjetëson nga qielli pranë Hyjit Atë, ndërsa vijon të na kujtojë se udha, e vërteta e jeta është përherë Ai, Jezu Krishti. E Lumja Nënë Terezë na kujton se:
“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se ne duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu siç është Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.
Ja çka është shkruar më 19 tetor 2003 në motivacionin e lumturimit të
Gonxhe Bojaxhiut:
"Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës - Gonxhe Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar". Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe fakti se Nënë Tereza gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht lutjes, pat thënë Gjon Pali II.

Gjatë periudhës së errët të izolimit të plotë të Shqipërisë nga bota nën diktaturën komuniste, sipas Gjon Palit II, ishte pikërisht Nënë Tereza ajo që e barti dhe nderoi emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve në mbarë botën. Po, pikërisht atëherë ku populli shqiptar shtypej e persekutoj nga komunizmi ateist, atëherë nuk kishte kurrfarë lirie e vuante mizorisht nga persekutimi i tërbuar, atëherë kur dhunoheshin e mohoheshin vlerat njerëzore, shpirtërore, kulturore e deri edhe ato kombëtare, ishte pikërisht Nënë Tereza, bija e mohuar dhe e refuzuar nga komunistët shqiptarë, ajo që e mbajti para botës të ndezur dritën e shpirtit të vërtetë të popullit shqiptar e shpresën e tij.

Papa Gjon Pali II Gjatë vizitës së tij apostolike historike në Shkodër, më 23 prill 1993, pas kremtimit të Meshës në Katedralen e qytetit, gjatë lutjes së mesditës të Mbretëreshës Qiellore nga ballkoni i selisë së kryeipeshkvisë, para sheshit të Katedrales mbushur përplot me besimtarë e qytetarë shkodranë e të rretheve tjera të veriut, e falënderoi popullin shqiptar për këtë dhuratë të madhe që është Nënë Tereza e tha për të:
“Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person shumë të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës.
Të gjithë e dinë nga vjen, cili është atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve e çonte në mbarë botën emrin e Atdheut tuaj.
Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë.
Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtet të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të bamirësisë.
Ju falënderoj sot në emër të Kishës universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj.
Të gjithë le ta falënderojmë Zotin për këtë ditë.
‘Kjo është dita që na dhuroi Zoti’. Zoti ju bekoftë!”.

Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e të Lumit Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar në Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin e ta ndjekim shembullin e saj”.
Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore, mjete paqeje e pajtimi, vegla bamirësie e shprese, ndërtues të qytetërimit të bazuar mbi vlera që nuk perëndojnë kurrë, sipas shembullit të Bijës, Motrës e Nënës sonë Terezë Gonxhe Bojaxhiut.







All the contents on this site are copyrighted ©.