2011-10-19 13:52:04

Papa: në historinë 2000 vjeçare të Kishës mirësia e Zotit gjithmonë ka qenë e pranishme, edhe në kohën e nazizmit e të komunizmit. Ta kujtojmë këtë mirësi Hyjnore


“Të dashur vëllezër e motra, sot dua të meditoj me ju Psalmin që përmbledh tërë historinë e shpëtimit për të cilën na jep dëshmi Besëlidhja e Vjetër. Është fjala për një himn lavdi që kremton Zotin në shfaqjet e shumta e të përsëritura të mirësisë së tij gjatë historisë së njerëzve”. Kështu tha Benedikti XVI e shtoi duke komentuar Psalmin 136/135 të quajtur “Hallel i Madh”, që këndon mirësinë e Zotit dhe veprat e Tij të mrekullueshme në historinë e popullit të Izraelit. “Në këto dymijë vjet të historisë së Kishës mirësia e Zotit gjithmonë ka qenë e pranishme: pas periudhës së errët të persekutimit nazist e komunist – tha sot paradite Papa gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan – Zoti na ka liruar e ka treguar se forca e tij vlen përherë”. “E siç është e pranishme kjo kujtesë e mirësisë së Zotit në historinë e përbashkët – shtoi Benedikti XVI –, po kështu çdonjëri duhet të ketë kujtesën e historisë personale të shpëtimit, të vlerësojë si thesar të çmuar, ta ketë parasysh”. Benedikti XVI e bëri këtë reflektim gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, para mëse 150 mijë shtegtarëve të ardhur nga vendet e ndryshme, duke ilustruar para besimtarëve Psalmin 136 e orvatjet e Zotit në favor të popullit të vet. “Struktura themelore e lutjes së këtij psalmi”, ajo e përvetësimit të lutjes personale, shpjegoi Papa Ratcinger, është që Izraeli e “kujton mirësinë e Zotit: ekzistojnë shumë lugina të errëta, shumë shtigje të vështira e vdekjeprurëse, mirëpo Hyji është i mirë e përdëllimi i tij vlen gjithmonë e për amshim; prandaj është mirë për ne – shtoi Ati i Shenjtë – ta kemi memorien e mirësisë së Zotit, kujtesën që Zoti është i mirë e edhe kohët më të errëta e ditët më të vështira i hap me shpresë ndaj të ardhmes”.
Ja Psalmi 136 apo 135 sipas numërimit greko-latin, që ishte sot në qendër të katekizmit të Papës gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan.
PSALMI 136 /135/
Litani të mëdha falënderimi
1 ALELUJA!
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
2 Lavdëroni Hyjin e hyjnive,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
3 Lavdëroni Zotin e zotave,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
4 Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
5 Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
6 Ai e forcoi tokën mbi ujëra,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
7 Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
8 Diellin që ta sundojë ditën,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
9 Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
10 Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
11 Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
12 Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
13 Ai e ndau dysh Detin e Kuq,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
14 E kaloi Izraelin mes për mes tij,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
15 E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
16 E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
17 Ai i goditi mbretërit e mëdhenj,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
18 Vrau mbretër të fuqishëm,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
19 Sehonin, mbretin e amorrenjve,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
20 Edhe Ogun, mbretin e Basanit,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
21 Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
22 për trashëgim Izraelit, popullit të vet,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
23 Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
24 Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
25 Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
26 Lavdërojeni Perëndinë e qiellit,
sepse e amshueshme është dashuria e tij!







All the contents on this site are copyrighted ©.