Më 18 tetor 1685 botohet “Çeta e Profetëve” të imzot Bogdanit
Me 18 tetor përkujtojmë datën e botimit të kryeveprës së ipeshkvit shqiptar imzot
Pjetër Bogdanit “Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” me 18 tetor të vitit
1685, vepër enjohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe
dhe italiane. Ja edhe titulli origjinal i plotë: “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore
Mundi, et eius evangelica veritate, italice, et epirotice contexta, et in duas Partes
divisa”. Kjo vepër teologjike e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit, shkruar
për të ndihmuar besimtarët e krishterë shqiptarë në përthellimin e njohjes të të vërtetave
të fesë së krishterë, të të vërtetave ungjillore e në mënyrë të posaçme të figurës
së Shëlbuesit të Botës, Jezu Krishtit, cilësohet edhe si libri i parë i prozës origjinale
shqipe dhe mbetet një nga monumentet e teologjisë shqipe, të kulturës e posaçërisht
të gjuhës e letrave shqipe. Siç dihet, në saje të botimit të kësaj vepre “Çeta
e Profetëve” në vitin 1685 në Padovë të Italisë, imzot Pjetër Bogdani zë një vend
të dorës së parë në letërsinë shqipe të vjetër. Me botimin e parë, vepra zgjoi një
interes të madh jo vetëm në trojet shqiptare po edhe në Itali e më gjerë, sikur dëshmojnë
edhe dy botimet e kësaj vepre në vitet 1691 e 1702. Interesi i zgjuar nga kjo vepër
është në radhë të parë teologjik, sepse bënë fjalë për jetën e Jezu Krishtit, por
edhe shkencor. Pranë të dhënave biblike, të vërtetave ungjillore, shtjellimeve teologjike
e Katekistike, në këtë vepër gjenden edhe disa interpretime shkencore mbi dukuritë
e natyrës, të bazuara në astronomi. Rëndësia gjuhësore kryeveprës së imzot Pjetër
Bogdanit “Çeta e Profetëve”, është origjinaliteti, shkruar shqip e italisht, sepse
botimi i fundit dhe më interesant midis botimeve tjera të lashta në gjuhën shqipe
që kemi qysh nga dom Gjon Buzukut me ‘mesharin’, Lekë Matranga, Frang Bardhi, Pjetër
Budi e tjerë. Veprat e këtyre autorëve ishin kryesisht vetëm përkthime të latinishtes
e të italishtes me disa shtojca origjinale të vetë autorëve, ndërsa vepra e imzot
Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve” është krijimtari e tij teologjike, filozofike,
historike e shkencore. Në këtë vepër, shohim përgatitjen e lartë e të thellë teologjike
dhe kulturore të imzot Pjetër Bogdanit, shohim vetëdijen që ai ka për situatën e rëndë
në të cilën ndodhët populli e grigja e tij shqiptare nën zgjedhën otomane, dhe luftën
që ai bën për ta “mposhtur errësirën e injorancës, për të ndriçuar njerëzit me anë
të diturisë e jetës, që buron nga Bariu i Mirë, Shëlbuesi i botës, Jezu Krishti. Ky
është ideali që e frymëzoi imzot Pjetër Bogdanin gjatë veprimtarisë së tij në shërbim
të Popullit e të Kishës, sikur dëshmon vepra “Çeta e Profetëve”. Kjo vepër doli
që një kërkesë e kohës që përjetonin trevat shqiptare dhe Evropa. Në vitin 1639 kryengritësit
shqiptarë të Kelmendit kishin vënë në ikje një ushtri të madhe turke, ndërkohë që
osmanët ishin kthyer përpara Vjenës vetëm dy vjet para daljes së veprës së imzot Pjetër
Bogdanit. E pikërisht dëshira e urgjenca për të ungjillëzuar dhe riungjillëzuar
shqiptarët që kishin përqafuar fenë e pushtuesit turk, e shtynë imzot Pjetër Bogdanin
që t’i kërkonte kolegjit të Propagandës së Fesë botimin e një vepre ku të shpjegoheshin
themelet e doktrinës së krishterë katolike. Vepra e shkruar nën dritën e qiriut në
kushte të vështira, ku imzot Bogdani strehohej që mos ta kapnin turqit, nxirrej mbasi
libra të tillë në gjuhën shqipe mungonin, me shpresën se duke e ndriçuar kombin shqiptar,
të tjerë Gjergj Kastriota do të dilnin në mbrojtje të vlerave e të vet popullit.