2011-10-19 15:29:31

Kardinali Turkson: në Asizi, Benedikti XVI do t’i ftojë të gjithë njerëzit vullnetmirë të punojnë për paqen


Edhe sot, si 25 vjet më parë, bota ka nevojë për paqe e për këtë shërben impenjimi të njerëzve të fesë: kështu u tha gjatë paraqitjes së Ditës së lutjes për paqen në Asizi, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Takimi historik ndërmjet përfaqësuesve të të gjitha feve, nismë e filluar nga i Lumi Gjon Pali II në vitin 1986, do të zhvillohet më 27 tetor. Me gazetarët, folën edhe kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinal Peter Koduo Apiah Turkson dhe sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Pier Luigji Çelata.
Papa do të jetë shtegtar mes shtegtarëve të paqes në Asizi, nënvizoi kardinali Turkson, i cili vuri theksin në frymën e vëllazërimit, që do të përjetohet në qytetin e Shën Françeskut, ku do të shkojnë personalitete nga mëse 50 vende:
“Është një ëndërr, që vazhdon dhe bëhet gjithnjë e më shumë realitet: secili bashkë me tjetrin, jo më njëri kundër tjetrit; të gjithë popujt në marrshim nga pika të ndryshme të tokës, për t’u mbledhur në një familje të vetme”.
Për ndërtimin e një bote më të mirë, shtoi kryetari i dikasterit për Drejtësinë e Paqen, është i nevojshëm impenjimi i të gjithë njerëzve vullnetmirë, jo vetëm i njerëzve të fesë. E foli për sfidat e reja, nga kriza ekonomike në qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike e në terrorizmin ndërkombëtar:
“Edhe një herë – mjafton të mendojmë për ngjarjet e fundit në Egjipt, ose në rajone të tjera të botës – i duhet thënë “jo” çdo lloj instrumentalizimi të fesë. Dhuna ndërmjet feve është një shkandull, që shpërfytyron identitetin e vërtetë të fesë, e fsheh fytyrën e Zotit dhe i largon njerëzit nga feja”.
Kardinali Turkson shpjegoi se Papa dëshiron, që Dita e Asizit të jetë jo vetëm ditë lutjeje, por edhe shtegtimi. Në qendër të saj është kërkimi i së vërtetës:
“Kërkimi i së vërtetës është kusht për të mundur fanatizmin dhe fondamentalizmin, për të cilët paqja arrihet vetëm duke ua imponuar bindjet të tjerëve”.
Nga ana e tij, sekretari i dikasterit për dialogun ndërfetar, imzot Çelata nënvizoi se fetë duhet të ofrojnë zgjidhje për problemet e kohës. Kjo bën pjesë në aftësinë e tyre për t’i shërbyer njeriut e nga kjo varet besueshmëria e feve:
“Në këtë kontekst, është e qartë nevoja e takimit, e dialogut, e impenjimit të përbashkët, sepse, në një botë, që vrapon drejt globalizimit, fetë e ndryshme, me mjetet e tyre të veçanta, mund t’u përgjigjen aspiratave për promovimin e vlerave vërtet njerëzore”.
Imzot Çelata shprehu keqardhjen që “pranvera arabe” në Egjipt solli edhe pezullimin e marrëdhënieve me Universitetin mysliman “Al Azhar”, seli e lashtë e prestigjioze e Islamit:
“Në qëndrimin e Papës Benedikti XVI ndaj myslimanëve, mendoj se asnjë person vullnetmirë nuk mund të gjejë elemente, që shprehin kontrastin, kundërshtimin, ose antipatinë për botën myslimane”.
Gjatë konferencës së shtypit, u nënvizua edhe një tjetër risi e rëndësishme e këtij viti: prania e katër intelektualëve jo besimtarë, të ftuar nga Papa. Nuk do të ketë lutje të përbashkëta, por individuale, për të shmangur rrezikun e sinkretizmit. Përmasa kryesore do të jetë ajo e shtegtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.