Kardinali De Paolis për vizitën apostolike në Lëvizjen “Regnum Christi”: duhen reflektime
e ndryshime
Gjykim në thelb pozitiv, por me pika, që kanë nevojë për sqarim e reflektim. Me këto
fjalë, kardinali Velasio De Paolis bën bilancin e vizitës apostolike pranë anëtarëve
të shuguruar të “Regnum Christi”, lëvizjes laikale, e cila ka të njëjtën karizëm me
Legjionarët e Krishtit. Në një letër, dërguar të dyja institucioneve kishtare,
prelati i referohet vizitës, që bëri pranë kësaj Lëvizjeje, kryeipeshkvi i Valadolidit,
imzot Rikardo Blaskéz, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Që në fillim, ai
vë në dukje se të shuguruarit e “Regnum Christi” e jetojnë me gëzim jetën e tyre në
bashkim me Zotin. Gjithsesi ka aspekte, që duhen thelluar e rimenduar, për të cilat,
kardinali përcakton katër dispozita. Së pari, përgatitja e anëtarëve të Lëvizjes
do të bëhet nën përgjegjësinë e delegatit papnor e të këshilltarëve të tij personalë.
Së dyti, Eprori i përgjithshëm i Legjionarëve të Krishtit do të vazhdojë të jetë përgjegjës
për personat e shuguruar të “Regnum Christi”, por vendimet me rëndësi, në veçanti
pranimin e personave të rinj, transferimet, emërimet, ose anullimi i premtimeve, duhet
të merren me miratimin e delegatit papnor, pasi të dëgjohet mendimi i asistentit të
përgjithshëm të të shuguruarve. Pika e tretë sanksionon pezullimin nga detyra të meshtarit
të deleguar nga drejtori i përgjithshëm e nga drejtorët territorialë për të shuguruarat.
Funksionet e tij u kalojnë asistentëve të përgjithshëm, të ndihmuar nga tre këshilltarë. Në
pikën e katërt e të fundit flitet për çështjet e lidhura me Sakramentin e Pendesës,
me udhëheqjen shpirtërore, me korrespondencën dhe me përdorimin e internetit. Si për
anëtarët e Lëvizjes “Regnum Christi”, ashtu edhe për Legjionarët e Krishtit, vlejnë
të njëjtat rregulla. Në veçanti, për Sakramentin e Pendesës, u njihet atyre e drejta
të zgjedhin lirisht rrëfyesin e atin shpirtëror.